Jeta Lakrori, Instituti i Shëndetit Publik
Ka disa mënyra të lehta për të zvogëluar rrezikun e zhvillimit të sëmundjes së veshkave. Disa ndryshime të vogla në sjellje mund të kenë përfitime të madha në shëndet, dhe këto ndryshime njihen si “tetë rregullat e arta për veshkat”:
Aktiviteti fizik është i rëndësishëm për funksionin e veshkave, përmirëson funksionin e muskujve, ul tensionin e gjakut, kolesterolin në gjak, mban një peshë të shëndetshme të trupit dhe përmirëson gjumin; për këto arsye ul rrezikun e sëmundjes kronike të veshkave.
Merruni me aktivitet fizik të moderruar, të paktën 30 minuta në ditë në pesë ditë të javës, si ecja me ritëm mesatar, vrapim, lëvizje me biçikletë, etj.
- Kontrolloni rregullisht nivelin e sheqerit në gjak
Rreth gjysma e njerëzve që kanë diabet zhvillojnë dëmtime në veshka, të cilat mund të reduktohen ose të parandalohen nëse zbulohen herët; kështu që është e rëndësishme për njerëzit me diabet të kryejnë analiza të rregullta për të kontrolluar funksionet e veshkave të tyre.
Pak njerëz e dinë se tensioni i lartë i gjakut është një shkaktar i zakonshëm i dëmtimit të veshkave. Niveli normal i tensionit të gjakut është 120/80 mmHg. Në mes të këtij niveli dhe 129/89, konsiderohet prehypertension, prandaj duhet të përshtatet mënyra e jetesës dhe të bëhen ndryshime në ushqyerje. Nëse tensioni është 140/90 mmHg dhe më lart, atëhere duhet të diskutoni me mjekun dhe të kontrolloni rregullisht presionin e gjakut.
Pacientët me tension të lartë të gjakut duhet të mbajnë nën kontroll shifrat e tensionit, të kenë kujdes me dietën dhe aktivitetin fizik, pasi të gjitha këto ngadalësojnë avancimin drejt sëmundjes kronike të veshkave.
Ngrënia e shëndetshme parandalon diabetin, sëmundjet e zemrës dhe faktorë të tjerë të lidhur me sëmundjet kronike të veshkave. Çdo ditë përdorni 5 porcione me fruta e zarzavate, 5 porcione me drithra, pini jo më pak se 1,5 litra ujë dhe reduktoni marrjen e kripës. Rekomandohet konsumi i jo më shumë se 5-6 gram kripë në ditë (rreth një lugë çaji) dhe të shmanget konsumi i ushqimeve të kripura.
Përpiquni të kufizoni konsumin e ushqimeve të përpunuara dhe të restoranteve, dhe mos i shtoni kripë ushqimeve në tryezë.
- Merrni sasinë e duhur të lëngjeve
Për të ruajtur shëndet të mirë, duhet të konsumoni 1.5 deri 2 litra lëngje. Konsumi i shumtë i lëngjeve ndihmon veshkat të pastrohen nga natriumi, ureja dhe toksinat e tjera nga trupi. Nga ana tjetër, ky konsum çon në ulje të ndjeshme të rrezikut për zhvillimin e sëmundjes kronike të veshkave. Mesatarisht duhet të merren rreth 2 litra ujë çdo ditë, që të zvogëlohet rreziku i rënies së funksionit të veshkave. Është e rëndësishme të mbahet parasysh se marrja e lëngjeve varet nga shumë faktorë si gjinia, aktiviteti fizik, klima, kushtet shëndetësore, shtatzënia dhe dhënia e gjirit. Përveç kësaj, njerëzit që kanë pasur gur në veshka këshillohet të pinë 2-3 litra ujë në ditë për të pakësuar rrezikun e formimit të gurëve të rinj.
Duhanpirja ngadalëson rrjedhjen e gjakut në veshka dhe dëmton funksionimin e tyre. Duhanpirja rrit rrezikun për kancer të veshkave me 50%.
- Mos përdorni ilaçe pa konsultën e mjekut
Shumë njerëz për të qetësuar dhimbjet e ndryshme përdorin pa kriter apo me shumicë ilaçe kundër saj, p.sh. brufeni,etj. Medikamente të tilla ndoshta nuk përbëjnë rrezik të ndjeshëm në qoftë se veshkat tuaja janë relativisht të shëndetshme dhe ju i përdorni vetëm për raste urgjente. Por në qoftë se keni të bëni me dhimbje kronike, të tilla si artriti ose dhimbje shpine, duhet të flisni me mjekun tuaj për të gjetur një mënyrë për të kontrolluar dhimbjen tuaj pa vënë në rrezik veshkat tuaja.





