Gratë shtatzëna, të cilat përjetojnë ndjenja harrese apo zhvillimi të ngadaltë aspirator, zakonisht fajësojnë “trurin e bebit” për gjendjen e tyre. Por në fakt, kjo nuk është e vërtetë.
Ndërsa gratë shtatzënë besojnë se kujtesa e tyre po përkeqësohet, një studim ka arritur në përfundimin se në testet e kujtesës ato dalin njësoj me gratë që nuk janë shtatzëna. Dhe kjo nuk është vetëm për kujtesën. Aftësi të tjera, si përqendrimi apo orientimi gjithashtu nuk ndikohen nga shtatzënia.
Mbi 80% e grave shtatzëna thonë se vuajnë nga boshllëqe të kujtesës. Gjithsesi studiuesit thonë se ky studim është kryer për të rritur vetëbesimin e mamave të ardhshme. Ata shprehen se gratë duhet t’i rezistojnë prirjes për ta lënë trurin pasiv kur janë shtatzënë.
Grupi i studiuesve të Universitetit të Brigamit testoi 21 gra në kohën kur ishin shtatzëna dhe disa muaj pasi kishin lindur fëmijën. Gjithashtu u testuan edhe 21 gra të cilat nuk ishin shtatzëna dhe s’kishin pasur kurrë fëmijë.
Nuk kishte asnjë dallim mes dy grupeve në kujtesë, mendime, përqendrim apo në aftësitë orientuese dhe organizative. Qoftë në kohën kur ishin shtatzënë, ashtu edhe pasi lindën fëmijët, nënat ishin po aq të zonjat sa edhe gratë që s’kishin qenë asnjëherë shtatzënë. Gjithsesi kur u pyetën se si kishin dalë në test, ato u shprehën se s’kishin dalë mirë.
Profesori i psikologjisë Majkëll Larson, i cili drejtoi studimin, tha: “U habita me faktin se tek gratë shtatzëna ishte shumë e fortë ndjenja që nuk i kishin bërë gjërat mirë. Ndjenja “po bëj gjithçka keq” ekziston pavarësisht se provat tregojnë se në fakt ato po punojnë mirë”.
Profesor Larson tha se boshllëqet e kujtesës ekzistojnë gjithnjë, vetëm se kur janë shtatzënë, gratë e vënë re më shumë se zakonisht një gjë të tillë.
/Përshtati në shqip: Daniela Bardhi


