Valdete Malaj: Vullneti më ndihmon të realizoj çdo objektiv

Denisa Canameti

Të qenit femër dhe në post drejtues tanimë as nuk paragjykohet e as nuk tingëllon si e çuditshme. Përkundrazi “përvoja ka treguar se femrat dinë të jenë më të suksesshme”. Gastro-hepatologia Valdete Malaj, njëkohësisht drejtoreshë e Poliklinika e Specialiteteve nr.3, Tiranë, në një intervistë për lexuesin e gazetës “Shëndet+” tregon karrierën e saj 5-vjeçare si drejtuese e këtij institucioni, vështirësitë që ka kaluar, objektivat e realizuara, objektivat e parealizuara, si dhe planet për të ardhmen.

Valdete

Mjekja Valdete Malaj

Doktoreshë, prej sa vitesh e ushtroni profesionin e mjekes?

Këtë profesion e ushtroj që prej vitit 1990. Pra, u bënë 25 vjet. E nëse të bëri përshtypje kur hyre ambienti im plot lule, janë pikërisht lulet e 49-vjetorit që e festova para disa ditësh.

Nëse bëj një kronologji të punës sime profesionale mund të them se në vitet ‘92-‘96 kam bërë specializimin. Kam punuar në Spitalin Ushtarak 1 vit. 2 vite kam punuar në Kosovë. Dhe në vitet 2000 jam rikthyer. Gjatë gjithë këtyre viteve kam bërë shumë trajnime dhe kam marrë pjesë aktivisht në të gjitha aktivitetet shkencore brenda dhe jashtë vendit. Jam në përfundim të studimit shkencor për Doktor Shkencash.

Sot jeni në një post drejtues të një Poliklinike kaq të madhe. Sa mirë e gjeni veten në atë karrige dhe a jeni ndier e paragjykuar prej faktit që jeni femër dhe në krye?

Jam rritur dhe edukuar për të mos paragjykuar të tjerët, femër apo mashkull qoftë, ndaj as mua s’do të më pëlqente të paragjykohesha. Të gjykojnë punën time, sigurisht që po, madje do më pëlqente. Përsa i përket kësaj lidhjes femër dhe në post drejtues, mund të them se përvoja ka treguar që femrat dinë të jenë shumë herë më të afta se meshkujt në drejtim. Ndoshta instinkti që ka femra që të shikojë perfekten në çdo gjë si në shtëpi, edhe në punë e favorizon atë.

A ka pasur skeptik në momentin që jua dhanë këtë post?

Unë di që e kanë pritur mirë. Duke pasur parasysh edhe natyrën time bashkëpunuese, them se e kanë pritur mirë. A ka pasur skeptikë? Ndoshta dhe ka pasur, si çdokund. Sepse duhet thënë që në çdo profesion ka skeptikë, ka të kënaqur, të pakënaqur.

poliklinikaSa ju ka mbështetur familja dhe a të inkurajuan pozitivisht për këtë punë?

Familja ka qenë dhe vazhdon të jetë mbështetja ime më e madhe. Që në momentin e parë kam ndjerë përkrahjen e familjes. Edhe pse kam një ngarkesë shumë të madhe, edhe pse kam ndoshta jo kohën e mjaftueshme për ta përpiqem t’ju jap vëmendjen e duhur. Sepse familja është kryesorja për mua.

Cila është marrëdhënia me kolegët?

Marrëdhënia është shumë e mirë. Dhe jam e sigurt që është një marrëdhënie e ndërsjelltë. Gjithmonë jam munduar të tregohem e hapur ndaj çdo problemi që ata mund të kenë ngritur. Jam përpjekur t’i ndihmoj  dhe jam e bindur që ata e kanë vlerësuar këtë gjë.

Në kushte të tilla a duket i vështirë menaxhimi i marrëdhënies familje-punë-karrierë?

Thashë edhe më lart që është ngarkesë e madhe dhe stres i madh. Por jam përpjekur gjithmonë që gjithë atë energjinë negative që mund të më ngarkojë puna, të mos e përcjell në shtëpi. Ju përmendët fjalën karrierë. Të jesh femër që synon të bëjë karrierë, do të thotë aftësi, punë dhe përkushtim. Sigurisht që këto të tria kërkojnë vëmendjen e vet dhe unë përpiqem t’i jap vëmendjen maksimale edhe karrierës. Pra, duket e vështirë një kombinim i tyre, duket e vështirë që të ecin paralel, njësoj, me të njëjtin ritëm, por unë them që vetëm me pak sforcim mund t’ia dal. Për të përballuar çdo sfidë, duhet të jesh e fortë, dhe unë them se jam e fortë.

Sa e vlerësuar është sot një femër në post drejtues, si në rastin tuaj?

Mendoj që një femër është dhe duhet të ndihet e vlerësuar në poste të tilla drejtuese, të cilat të mirëfunksionojnë duhet  shumë  mund, përkushtim dhe pasion gjë që tek femrat janë shumë mirë të mishëruara, duke përfshirë këtu edhe rastin tim. Për t’ju përgjigjur pyetjes suaj, po ndihem e tillë, pra, shumë  e vlerësuar dhe e respektuar.

Për t’u kthyer pak tek puna konkrete, në çfarë kushtesh e keni gjetur poliklinikën para se të vinit ju?

Këtu kam shumë për të thënë. Poliklinikën e kam gjetur me një aktivitet 65%, aktiviteti është numri i vizitave që duhet të bëhen në poliklinikë. E përkthyer kjo dhe në lekë që i qarkullojnë poliklinikës. Kam gjetur një bonus 65-70% dhe kjo e përkthyer në lekë që i xhiron poliklinika. Duke pasur parasysh këtë situatë, kam bërë një riorganizim sipas mënyrës së shërbimit. Dhe për 4 muaj kemi kapur aktivitetin 100%, madje dhe e kemi tejkaluar.

Poliklinikën e kam marrë me të ardhura 3 milionë në muaj, kemi arritur ta çojmë deri në 12 milionë në muaj. Kjo falë angazhimit të stafit.

Kemi bërë të mundur hapjen e 4 kabineteve të reja. Poliklinika kur kam ardhur unë, ka qenë e rikonstruktuar, por mobiljet ishin të gjitha të vjetra. Gradualisht kam mobiluar të gjitha dhomat, laboratorët etj. Kemi blerë aparatura të reja dhe të gjithë këtë e kemi bërë që në 6-mujorin e parë. Kjo ka qenë periudha ime më e ngarkuar. Në poliklinikën tonë tashmë prej pesë vitesh e kemi bërë traditë që në muajin tetor në kuadër të sensibilizimit të  grave në luftën kundër kancerit të gjirit kemi bërë të mundur realizimin e mamografisë falas. Në dy vitet e fundit kemi bërë edhe mamografi falas për nënat e fëmijëve jetimë. Unë jam vlerësuar nga Shoqata e Fëmijëve jetim si Anëtare Nderi e Shoqatës së Fëmijëve Jetimë.

Përmendët që janë shtuar të ardhurat, që do të thotë është shtuar numri i pacientëve. A ka çuar kjo në nevojën për të sjellë specialistë të rinj për ta përballuar?

Jo, jemi të kompletuar. Në fillim, në kohën kur u hap Poliklinika e specialiteteve në Paskuqan, na ra fluksi, sepse zona e Kamzës dhe gjithë pjesa tjetër shkonte atje. Gjëja e parë që kam bërë, i kam kërkuar Fondit që të bëjë një riorganizim të sistemit që ne të kishim fluks. Ne sigurisht që kemi interes të kemi njerëz, pasi kjo përkthehet në të ardhura.

Doktoreshë, çfarë vlerësoni si nismë pozitive për shëndetësinë duke e parë nga posti i drejtueses, por jo vetëm?

Unë kam 5 vite drejtoreshë në këtë Poliklinikë dhe sigurisht që kam një pasqyrë të qartë të realitetit në shëndetësi. Gjëja e parë që dua të theksoj dhe që e vlerësoj si shumë pozitive, është vënia nga ministria e sistemit të referimit. Sigurisht që kjo na ka ndihmuar shumë dhe ka rezultuar një punë e mirë. Tjetër gjë pozitive, është edhe sistemi i edukimit në vazhdim. A ka mangësi? Sigurisht që ka, edhe shumë, si në çdo vend tjetër. Sepse kjo është mjekësia, ajo lëviz, e pamundur të jesh sinkron me mjekësinë.

A i quan të realizuara objektivat e tua si drejtoreshë në këtë post, duhet theksuar që ju jeni ndër të paktat drejtuese të kësaj poliklinike që vazhdoni të qëndroni kaq gjatë në krye?

Sigurisht që objektivat nuk mund të thuhet asnjëherë që janë të realizuara 100%. Se, nëse do të ishte kështu, nuk do të flisnim për mangësi. Ka gjithmonë diçka më mirë për të bërë. Megjithatë, duhet ta them që jam shumë e kënaqur me ato që kam arritur.

Postime të ngjashme

Ozempic, bari inovativ antidiabetik me mbrojtje nga risqet kardiovaskulare edhe në Shqipëri
Dërgonin pacientët e Onkologjikut në klinika private, Prokuroria mbyll hetimet dhe dërgon për gjykim zyrtarë dhe mjekë të QSUT (EMRAT)
Pse luleshtrydhet myken kaq shpejt? Gabimi që bëjmë të gjithë
Këto janë efektet anësore të ujit me limon
Mishrat e dhëmbëve: Çfarë tregon ngjyra e tyre për shëndetin tonë
Shifra shqetësuese: Vdekjet nga kanceri i rektumit po trefishohen te të rinjtë
5 superushqime që do t'ju ndihmojnë të flini më mirë dhe më gjatë
Erëzat që zvogëlojnë inflamacionin dhe forcojnë trupin