Denisa Canameti
Shoqata e Dermato-Venerologëve Shqiptarë dhe Shërbimi i Dermatologjisë QSUT organizuan sot në Ditën Shqiptare të Melanomës, aktivitetin “Mbroni lëkurën, mbroni jetën”. Ky aktivitet nisi në orën 10:00 dhe u zhvillua pranë Kompleksit Taiwan Tiranë.
Në një intervistë për lexuesin e gazetës “Shëndet+”, Ermira Vasili, shefe e Shërbimit të Dermatologjisë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë, si dhe kryetare e Shoqatës Dermatologjike-Venerologjike Shqiptare u shpreh se ky aktivitet që bëhet për të 5-in vit radhazi bëhet për të ndërgjegjësuar njerëzit lidhur me melanomën. Pyetjes nëse ka patur një shtim të numrit të rasteve të të prekurve nga melanoma doktoresha i përgjigjet se në krahasim me vitin e mëparshëm është vënë re një rritje e rasteve të prekura nga melanoma.
“Megjithatë, vazhdon doktoresha, vihet re një ndërgjegjësim nga ana e popullatës të cilët vijnë më shpesh për tu diagnostikuar. Kur melanoma kapet në stadin e parë atëherë ajo është 90% e shërueshme. Njerëzit duhet ta dinë këtë.
“Melanoma është një nga kanceret më të rrezikshme të lëkurës që ka një rritje shumë të lartë të mortalitetit. Në të gjithë botën numërohen 132 mijë raste të reja në vit.
“Muaji maj është muaji i melanomës sepse jemi në prag të stinës së verës. Rrezatimi diellor është një nga faktorët më të rrezikshëm në shfaqjen e melanomës. Aktiviteti është sot dhe vazhdon edhe nesër me një Konferencë Shkencore në Kosovë”.
Në kuadër të kësaj dite, veç stendave Shoqata ishte organizuar edhe me mjete të tjera informuese-ndërgjegjësuese si fletëpalosje. Në të cilat shpërndahej informacion i plotë lidhur me melanomën. Faktorët e rrezikut, personat më të rrezikut si dhe rregullat që ndihmojnë të kontrollojmë nishanet.
Kanceri i lëkurës është lloji më i zakonshëm i kancerit në mbarë botën. Melanoma është forma më e rrezikshme e kancerit të lëkurës e cila është në rritje. Melanoma përbën formën më malinje të nishaneve dhe zhvillohet nga qelizat e lëkurës që prodhojnë melaninë. Melanomat janë të lidhura me ekspozimin e tepruar në diell. Edhe një episod i vetëm i djegies nga dielli në fëmijëri mund të jetë i mjaftueshëm për të shkaktuar dëme të cilat më vonë mund të zhvillojnë melanomën. Kjo sëmundje kërcënuese për jetën është e shërueshme nëse zbulohet dhe trajtohet në fazat e hershme.
Melanoma mund të ndodhë në çdo moshë por më shpesh mund të ndodhë në moshat e reja. Njerëzit me lëkurë të bardhë preken 10 herë më shumë.
Drejtohuni te dermatologu, nëse vëreni ndryshime të nishaneve.
Ju mund ta parandaloni melanomën!
*Në numrin e ardhshëm të gazetës Shëndet+ së 11 majit 2015 do të gjeni informacion të plotë lidhur me kancerin e lëkurës (melanomën) nga dermatologia Blerta Gjoni.


