Fenomeni i prishjes së kontratave me spitalet nga mjekët specialistë pasi mbarojnë studimet vazhdon të shkaktojë dëme ekonomike dhe lënie pa mjekë specialistë të spitaleve në rrethe.
Fenomeni korruptiv vazhdon me gjithë premtimeve të ministrit Beqaj që nuk do të lejonte këtë fenomen të vazhdonte. Si duket eurot e thata në dorë janë verbuese përpara ligjeve që duhen zbatuar.
Korrupsioni aktual, që është si një pikë ujë në oqean krahasuar me miliona euro nga Ministria e Shëndetësisë dhe drejtoritë e spitaleve me anë të thyerjes se kontratave të mjekëve specialistë të sapodiplomuar, është një ndër keqmenaxhimet që po u bëhet burimeve njerëzore.
Shumë mjekë specialistë të sapodiplomuar për llogari të spitaleve të rretheve, po thyejnë kontratat e tyre, kundrejt parave të thata në dorë të dhëna në Ministrinë e Shëndetësisë dhe drejtoritë spitalore të rretheve.
Pagesat që janë bërë për këta mjekë të specializuar për katër vite për këto rrethe në mënyrë që pas diplomimit t’i shërbejnë kësaj popullate, jo vetëm shkaktojnë dëme ekonomike por lënë pa mjekë edhe popullatën në rrethe që pastaj kjo vërshon nëpër spitalet e Tiranës. Ndërsa një pjesë për arsye ekonomike nuk e merr farë shërbimin mjekësor të specializuar.
Ministri Beqaj deklaroi zyrtarisht (më tetor 2013 dhe në hapjen e specializimeve 2014) se ky fenonem nuk do ndodhte më, por faktet tregojnë të kundërtën, pra prishja e kontratave të këtyre mjekëve pasi mbarojnë studimet vazhdon të jetë një plagë e madhe në kujdesin shëndetësor me mungesën e specialistëve mjekësore në rrethe (shumë mjekë specialistë të sapodiplomuar që nuk kanë pasur kontrata me spitalet e rretheve ankohen për këto shkelje dhe kanë sjellë edhe kopje të thyera të këtyre kontratave me bekimin e ministrisë).
Për këto fenomene korruptive dhe shpërdorim detyre të radhës tashmë është vënë në dijeni edhe prokuroria, që urojmë që të zgjohet nga gjumi letargjik shumëvjeçar.
Ne do të vazhdojmë ta ndjekim këtë rast dhe do të publikojmë të tërë kontratat e prishura nga këta mjekë nga Tropoja, Kukësi, Peshkopia, Bulqiza, Mirdita, Kavaja, Lushnja, Mallakastra, Tepelena, Gjirokastra, Saranda, Përmeti, Korça, Librazhdi dhe rrethe të tjera.
Në këto rrethe nuk ka mjekë specialistë, nuk ka ose janë të pakët për të përballuar volumin e punës si: kirurgë, gjinekologë, anesteziste, nuk ka kardiologë etj./ Kolegji i Mjekëve e Kirurgëve Shqiptarë


