Etika mjekësore, mbrojtje e njeriut në identitetin dhe dinjitetin e vet

Dr. Med. Ndue Nikaj

Për etikën është e vështirë të jepet një përkufizim i saktë ose të përcaktohen vlera dhe rregulla (principe) që përcaktojnë qendrimin e mjekut. Shoqëria u kërkon mjekëve të ndjekin një “moral”. Sot është i keqintepretuar, ngaqë kujton shënimet filozofike dhe i referohet një faji individual. Po ashtu shprehja “moral mjekësor” shpesh është zëvendësuar me “etikë mjekësore”. Në fakt, etika vjen nga fjala greke “ethos”, që do të thotë “zakon” dhe nga fjala “moralis” në latinisht që do të thotë “zakon – moral”, të cilat janë sinonime.

Mjeku dhe bebiSi përkufizim etika mjekësore dikton rregulla, sjellje të mjekut, kur në praktikën e tij bën thirrje pacientit që ballfaqohet me zgjedhje mjekësore dhe sidomos kur paraqiten rrjedhoja që është e vështirë për t’i vlerësuar. Qëllimi i mjekut do të duhet të diktohet nga sjellja e tij morale që mbetet e njëjtë: të bëjë mirë sa të jetë e mundur me çdo mjet dhe në të njëjtën kohë “të mos bëjë keq”, sipas shprehjes latine “Primum non nocere” , “në radhë të parë mos dëmto”.

Etika dhe ligji

Mjeku u bindet ligjeve ose rregullave që vendos shoqëria ku jeton. Përballë një rasti konkret mjeku ngre çështjen nëse për këtë person duhet t’i referohemi principeve të përgjithshme që lënë hapësirë veprimi apo të ndiqen dekretet e ligjet e shkruara. Në fakt, teksti nuk mund të qeverisë etikën e mjekut, ngaqë ata janë të ngurtë, shpesh të vështirë të shqyrtohen, të kufizuar dhe lënë vend për hipokrizi mjeko – ligjore.

Një shembull i vështirësive është marrja e pëlqimit të pacientit nëse do të mbrohet nga rreziku i gjykimit dhe i dënimit, pra për këtë mjeku duhet të informojë pacientin me shkrim ose në prani të familjarëve ose personave të tretë. Kështu një urografi intravenoze me “Lipjodol” për veshka mund të paraqesë një rrezik vdekjeprurës (qoftë dhe minimal) nga reaksioni alergjik ndaj jodit, që ka kontrasti për të paraqitur imazhin radiologjik të aparatit urinar. Mirëpo qëllimi etik nuk është të rrisë ankthin e pacientit, por të vendosë një marrëdhënie besimi, të dëgjojë dhe të kuptojë dhe të shpjegojë nevojën e këtij ekzaminimi dhe të vlerësojë shqetësimet e tij dhe të mos i shkaktojë atij frikë për eventualitetin e një ndodhie si përjashtim. Në këtë rast mund të merret një vendim për ta shtruar 2 – 3 ditë të sëmurin sa të qetësohet pas bërjes së kësaj urografie. Efikasiteti i marrjes nën kujdes dhe trajtimi adekuat është më mirë, kur pacienti është i bindur për vendimin e marur dhe ligjet nuk ndryshojnë asgjë.

Profesioni i mjekut është sa i nderuar; po aq dhe i vështirë, ai duhet të karakterizohet nga disa virtyte, si: humanizmi, mirësia, ndjenja e ngrohtë dhe vetëmohuse. Puna e mjekut veç të tjerash është një profesion që shtron kërkesa shumë të larta si ndaj mendjes dhe ndaj zemrës së tij. Në kongresin e fundit të Shoqatës ndërkombëtare “Mjekësia dhe ligji” thuhet: “Një mjek që nxjerr në shesh një sekret profesional vullnetarisht është fajtor dhe shkel betimin e Hipokratit si mjek; por po të japë të dhëna me interes për shoqërinë, mjedisin sipas kërkesave ligjore nuk ngarkohet me faj”. Përsa i takon të fshehtës ndaj vetë pacientit, Konventa Ndërkombëtare e Gjenevës e vitit 1987 duke prekur të drejtat dhe detyrat e ndërsjellta mjek – pacient; kodi Deontologjik i njeh të drejtën që çdo pacient pas vizitës mjekësore të informohet për sëmundjen e tij, për prognozën (të ardhmen; prespektivën) e saj me trajtimin që merr.

Për këtë në botë ka disa qëndrime:

Qëndrimi i parë: Vënia në dijeni të plotë pa asnjë rezervë të pacientit dhe të familjarëve, kjo për sëmundjet dhe traumat jo të rënda; ndërsa për sëmundje të rënda me prespektivë të rezervuar, pacienti nuk do të marrë vesh të vërtetën dhe duhet të mbahet me shpresë deri në fund, sidoqë është gënjeshtër, sipas Botkinit kjo është “gënjeshtër e mirë”, ngaqë është një akt jo imoral, por në interes të pacientit që shpreh dimension njerëzor, gjeneron shpresë, ku “shpresa është doktori më i mirë në botë”. Sipas shprehjes latine “Dum, spiro, spero” (Sa të kem frymë kam shpresë).

Qëndrimi i dytë që i kundërvihet qëndrimit të parë (të mësipërm) që i përmbahen Anglosanksonët (Anglo-amerikanët) për të sëmurët rëndë dhe të pashpresë, pra që dhe kjo kategori duhet të njohë gjendjen e vet reale shëndetësore pa asnjë të fshehtë  e gënjeshtër, sepse nuk është normale të gënjesh dhe heret a vonë i sëmuri do ta marrë vesh të vërtetën.

Qëndrimi i tretë, është një qëndrim i ndërmjetëm ku kodi deontologjik shprehet… “Mjekut i lejohet kur e sheh të arsyeshme të mos i tregojë të vërtetën për diagnozën dhe prognozën e një sëmundje me ecuri të keqe dhe vijon në nenin 40… “Prognoza fatale e një sëmundje në rast se thuhet, duhet të formulohet me shumë kujdes e takt. Për këtë, sidoqoftë, duhet të dijë dhe familja ose persona të tjerë, kur atyre u besohet nga familja…”

Në literaturën botërore publikohet rasti i një gruaje para një profesori të madh – pas operacionit – në të dhënat  anatomo-pathologjike të tumorit të gjirit, kur profesori po i jepte përgjigjen.

Ajo e pyet: “Po tash pas kësaj dhe sa më ka mbetur të jetoj?”

Profesori i thyer në moshë pasi u mendua, i tha: “Zonjë, sa të jem gjallë unë, ti nuk do vdesësh”.

Ajo ju hodh në krah profesorit dhe e përqafoi, të cilit iu kujtua shprehja latine “Dum spiro, spero” (Sa të kem frymë, shpresoj)

Pra, siç shihet, etika mjekësore është e lidhur direkt me bio-etikën që përbën tërësinë e rregullave që e cituam më sipër që aplikohen në të gjitha fushat shkecore të jetës.

Në 1992 Komiteti Evropian e bioetikës u pagëzua si Komiteti Drejtues për bioetikën i Komisionit Evropian (C.D.B.I) i përbërë nga mjekë, filozofë, juristë, shkencëtarë dhe anëtarë të Asamblesë Parlamentare të: “mbrojë qenien humane në identitetin dhe dinjitetin e vet”.

Betimi i Hipokratit

“Në prani të profesorëve të mi të kësaj shkolle, të kolegëve të mi dhe para shenjës së Hikratit; unë premtoj të bëhem dhe të jem besnik i ligjeve dhe i ndershmërisë në ushtrimin e profesionit të mjekut… Do jap, ndihmë falas për të varfërit dhe nuk do të kërkoj kurrë pagesë mbi atë që vlen puna ime. Duke hyrë në intimitetin e shtëpisë, sytë e mi nuk do shohin atë që ndodh, gjuha ime do të ruajë sekretin që më besohet dhe sjellja ime nuk do të sjellë dhe nuk do të favorizojë krimin. Duke respektuar dhe duke shprehur mirënjohjen ndaj profesorve të mi; unë do t’u mësoj fëmijëve të tyre atë që kam mësuar prej prindërve të tyre. Të më nderojnë njerëzit nëse jam besnik i premtimeve të mia”.

 

Postime të ngjashme

Vaksinat: Konspiracion apo mbrojtje e jetës?
Kur sëmundjes nuk i japim si terapi ilaçin, por betonin
Si 2025 mund të jetë një vit kyç përparimi për industrinë farmaceutike
Hulumtimet e fundit mbi viruset duhet të ngrenë alarmin, shkencëtarët po na vënë në rrezik
Çfarë është mjekësia e personalizuar?
Nuk ka diskutim: dhuna ndikon në shëndet dhe mirëqenie
Sistemi shëndetësor/ Rama si macja që fajson minjtë pse hëngrën djathin, dhe nginjet me të tërën
Mjeku Aliahmeti: Oksid etileni në akullore do të thotë të helmosh me duart e tua fëmijët!