7.3 miliardët e ilaçeve po mbyllen si 7.3 miliardët e Bankës

Skandali i vjedhjes gjigante me rimbursimin e ilaçeve me receta false, duket se po mbyllet siç u mbyll skandali i vjedhjes gjigante që u zbulua në Bankën e Shtetit Shqiptar. Dje drejtësia shqiptare provoi me fakte konkrete se nisi hapjen e mbylljes së këtij skandali, duke dhënë vendime absurde për një çetë hajdutësh nëpunës shteti në sektorin e shëndetësisë e të Ilir Beqajfarmaceutikës, të cilët kishin në duar administrimin e tregut të ilaçeve. Në qeli mbeti vetëm Pjerin Xhuvani, drejtor i Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor Tiranë, dhe H.Roçi, administratori i katër farmacive private, i cili sipas organit të akuzës, ka pranuar aktivitetin e tij të paligjshëm me rimbursimin fiktiv të ilaçeve. Por nuk u mbajtën në qeli, duke u lënë me detyrim paraqitjeje dhe arrest shtëpie zyrtarët e tjerë të shërbimit shtetëror farmaceutik, të cilët kanë firmosur e vulosur gjithë aktivitetin e paligjshëm të rimbursimit fiktiv të ilaçeve.

Përse? Sepse një dorë e fortë, që e ka “shpatullën” në krye të Ministrisë së Shëndetësisë dhe “një dorë e fortë” në parlament dhe në pushtetin e “Rilindjes”, kanë urdhëruar drejtësinë të mos preket as “bishti i peshkaqenëve” të këtij super-skandali me ilaçet. Arrestimet e bëra janë disa emra që kanë hedhur vula e firma konktratash, që kanë hedhur vula e firma likujdimesh, që kanë lejuar e mbajtur të fshehtë krimin e rimbursimit fiktiv, që kanë plotësuar formularë e dosje false për katër farmacitë e bëra publike, të bëra “bedel” për bosët e vërtetë të këtij krimi shtetëror. Gazeta “Telegraf” paralajmëroi arrestimet që do të bëheshin, duke pasur informacionin se t ëparët do të arrestoheshin zyrtarët e lartë të ISKSH-së e të Ministrisë së Shëndetësisë, të cilët kanë pasur dijeni për këtë krim, madje janë skenaristët e këtij krimi, duke përdorur farmacitë e tyre reale dhe farmaci fiktive, të paregjistruara në QKR ose që nuk ekzistojnë as si objekte. Fakti doli ndryshe. Spektakli i arrestimeve u mbyll pas 48 orësh me lirimin e zyrtarëve që kishin hedhur firmat, me mbajtjen në qeli të një drejtore e të një menaxheri farmacie dhe me mosshqetësim as të ministrit, as të drejtorit të ISKSH-së, as të nëndrejtorit të ISKSH-së Skuraj, as të drejtuesve të tjerë që kanë lidhje dhe përgjegjësi direkte me sektorin farmaceutik ku u bë krimi.

Drejtësia nuk po tregon emrat e mjekëve, duke vijuar skemën e zyrës antikorrupsion të Kryeministrisë, e cila përmendi vetëm emrat e katër farmacive dhe asnjë emër tjetër farmacie, asnjë emër zyrtari të lartë e të ulët, asnjë emër mjeku e shefi pavionesh të përfshirë në skandal apo qoftë edhe emra pacientësh që janë përdorur fiktivisht në receta rimbursimi fals, në emër të të cilëve janë vjedhur miliona euro rimbursim ilaçesh. Cilët janë emrat e mjekëve që kanë lëshuar recetat? Cilëve mjekë u janë vjedhur vulat dhe janë përdorur për receta false rimbursimi? Cilët i kanë ato vula? Me çfarë urdhri u mblodhën vulat? Sa farmaci janë përfshirë realisht në këtë krim financiar? A ka lidhje ministri i Shëndetësisë me këtë skandal? Në sa farmaci të ministrit Beqaj, të zv.ministrave, të drejtorit dhe nëndrejtorit të ISKSH-së e të zyrtarëve të lartë të Ministrisë së Shëndetësisë, të ministrave, deputetëve, politikanëve, diplomatëve etj është bërë rimbursim recetash false? Këto fakte nuk publikohen, pasi mbahen të bllokuara nga ministri Beqaj.

Drejtësia duhet të publikojë çdo detaj të këtij skandali pasi sipas burimeve, janë përdorur 193 vula në afro 200 farmaci në të gjtihë Shqipërinë, me epiqendër Tiranën, Durrësin, Vlorën, Beratin, Shkodrën dhe farmaci të tjera në zona rurale skajore të vendit, siç ishte rasti i katër farmacive, të cilat prej administratorit të tyre ëshët pranuar se janë përdorur si qendra vjedhjeje me receta false rimburismi. Ka një fakt që nuk duhet anashkaluar: ministri Beqja është kryetar bordi i ISKSH-së dhe si i tillë ka detyrimin të përgjigjet publikisht se cilët janë autorët e vërtetë të skenarit të këtij skandali. Ministri Beqaj, si ministër, duhet të përgjigjet publikisht dhe ligjërisht se përse nuk i kërkon drejtësisë të zbardhet skandali i plotë me emra dhe abuzime, duke çuar në bankën e drejtësisë këdo që është zhytur në moçalin e rimbursimit fals. Vendimi i djeshëm i drejtësisë po jep sinjalin se edhe skandali i rimbursimit flas të 7.3 miliardë lekëve me ilaçet, do të mbyllet siç u mbyll skandali i vjedhjes së 7.3 miliard lekëve në Bankën e Shtetit./ Telegraf

Postime të ngjashme

Shqipëria vijon të shuhet, lindjet ranë me 10.5% në T3, shtesë pozitive vetëm Tirana e Durrësi
Shtatë fëmijë të Kopshtit nr. 10 në Vlorë përfundojnë në spital, dyshohet për helmim nga ushqimi
Produktet e pasigurta në treg, alarmi vjen nga Belgjika; kontrollet në Shqipëri ranë me 33% në 2025
Trajtimi me medikamentet GLP-1 RA, mjekja zbulon gabimet më të zakonshme që bëjnë pacientët
Buxheti 2027/ Spahiu: 117.8 miliardë lekë për shëndetësinë dhe mirëqenien sociale
Pagesat nga xhepi për shëndetësinë, Raporti i KE: Qytetarët paguajnë tri herë më shumë se mesatarja e BE-së
Mjekja zbulon dietat që janë efektive për rënien nga pesha
Përtej vitaminës D: Si ndikon drita e diellit në metabolizëm dhe sheqerin në gjak