Gazmend Velçani, “gjurmët” që një kirurg lë pas

Denisa Canameti

Gazmend Velçani ishte një kirurg që bëri shumë e u nderua pak për vlerat që investoi në mjekësi. Tiranasit e kuksianët e njohin me mirë se kushdo tjetër. Njeri novator në mjekësi, profesori “arrogant” e miku i mirë ishte ai që i hapi një rrugë të re kirurgjisë në Shqipëri. Në një intervistë për lexuesin e gazetës “Shëndet+” e bija e Gazmendit e njëkohësisht kirurge e njohur në QSUT, Silvana Çeliku, tregon shumë për të atin.

Gazmend Velcani (4)

Gazmend Velçani me të bijën, Silvana Çeliku

Ajo flet për marrëdhënien speciale me të, marrëdhënien e doktorit me miqtë. Ajo tregon për karakterin e tij tepër të vështirë, karakter që i jepte besimin që të mos bënte kompromise në fushën e tij, e kjo e bënte unik. E përlotur, doktoresha na tregon se pavarësisht gjithë këtyre vlerave i ati nuk mori kurrë një vlerësim nga instancat, edhe pse doktori e mori vlerësimin më të madh, ai pati respektin dhe dashurinë e pacientëve të tij, e njerëzve që kuroi e shpëtoi.

Kush ishte doktor Gazmend Velçani?

Të flasësh për babanë, është pak e vështirë. Gjithmonë në retrospektivë njeriu bëhet nostalgjik, kujton shumë gjëra. Mund ta vlerësosh më mirë figurën e tij, aq më tepër që jemi në të njëjtën fushë. Në fakt, stimulin e parë dhe dashurinë për mjekësinë e kam prej tij.

Im atë ishte njeri i dhënë pas librit, edhe pse u rrit në kushte shumë të vështira ekonomike, pasi nëna i la shumë të vegjël. Ishin shumë fëmijë dhe u detyruan të rrisnin njëri-tjetrin. Një pjesë shkuan në shtëpi fëmije, të tjerë u rritën nga të afërmit. Por babai çau çdo gjë me vullnet. Ndërkohë që shokët shkonin dhe shikonin sport, ai shkonte në varreza dhe lexonte. Për këtë e thërrisnin peshkop.

Kur mbaroi fakultetin, e vendosën pedagog në Anatomi Normale. Kini parasysh që është një nga degët më të rëndësishme të mjekësisë. Na është thonë gjithnjë se “kush kalon Anatominë Normale, është bërë mjek”. Sidomos ne që kemi pasur fillimisht shkollën ruse si drejtim, ka qenë gjithmonë një shkollë shumë e fortë.

Gazmend Velcani (7)Babi im hodhi bazat e Anatomisë Normale. E ngriti si katedër, punoi shumë për të. E dinte anatominë në mënyrë perfekte, nuk kishte nevojë që të hapte atlasin.

Ishte shumë i përkushtuar, ndaj si rrjedhojë kërkonte shumë nga studentët. Të merrje lëndën e tij ishte arritje. Por mjekët që ka nxjerrë im atë, janë ndër më të mirët që ne kemi sot, janë mjekë që kanë lënë gjurmë në mjekësinë shqiptare.

Por babai juaj është larguar nga Tirana…

Në fakt, në ’67-n, me motivacionin “arrogant dhe prepotent”, babanë nga Tirana e çuan në Kukës dhe u bë kirurg. Megjithatë, im atë ishte njeriu më i respektuar atje pas sekretarit të parë. E donin, por edhe ai i donte shumë. Pas njerëzve të familjes, dashurinë më të madhe e kishte për kuksianët.

Babai bëri të mundur që njerëzit të mos shkonin në Tiranë për të bërë ndërhyrje, pasi bënte çdo lloj ndërhyrje, sado e vështirë që ishte. Futi për herë të parë anestezinë gjenerale, sepse atëherë ishte anestezia me eter.

Tregojnë se kur ka shkuar njëherë në një dasmë, njerëzit janë ngritur në këmbë dhe kanë duartrokitur e brohoritur.

Ishte shumë i drejtpërdrejtë dhe cilësohej si arrogant. Ndoshta kjo bëri që të mos vlerësohej shumë nga instancat politike.

A e tregonte këtë arrogancë në marrëdhënie me njerëzit?

Edhe pse shquhej për arrogancë, babai i donte njerëzit. Me femrat kishte një raport shumë të mirë. Mbaj mend që kisha një shoqe që nuk ishte shumë simpatike. Sa herë takonte Gazmendin, thoshte: “Sot ndihem më e lumtura në botë, më e bukura”. Sepse im atë sa e shikonte, i thoshte: “Ku je moj Anë e bukur, doktoreshë e bukur”. Për të, femra ishte simbol i së bukurës, i së mirës. Mamanë e ka trajtuar gjithmonë si princeshë. Kishte nervat e veta, por harronte shumë shpejt. Dhe ne dy motrat kemi marrë karakterin e tij. Jemi të nxituara, themi gjithë ç’kemi ndërmend, por harrojmë shumë shpejt.

Cila ishte marrëdhënia juaj me babanë?

Unë gjithmonë kam qenë e preferuara e tij. Ndoshta për faktin se isha fëmija e parë. Babai u martua i ri, 24 vjeç. Me mua kishte raporte të mira dhe unë s’e kam ndjerë kurrë atë pjesë të vështirë të karakterit të tij. Kam trashëguar dëshirën për të lexuar, dëshirën për të mësuar, egon për të qenë gjithmonë e para. Ime motër nuk e ka pasur këtë. Në karakter jemi të ngjashme, por ajo nuk shkëlqente në shkollë dhe babai e vuante shumë një gjë të tillë.

Kur erdhët në “botën” e mjekësisë, cili ishte imazhi që babai juaj kishte lënë në spital?

E kam ndjerë jashtëzakonisht praninë e tij. Im atë kishte lënë gjurmë në brezin e pedagogëve të mi. E ndieja atë “hakmarrje”. “Ti je goca e atij që na ka marrë shpirtin”. Por kjo thjesht më ka bërë të mësoj dyfish. Ka patur lëndë që, sa herë shkoja në mësim, do të ngrihesha në dërrasën e zezë. Edhe pse e bënin si me të qeshur. Megjithatë, babi kishte lënë shumë respekt midis kolegësh.

Cilat parime keni marrë prej tij?

Kur isha e vogël, më merrte ngado. Edhe kur do të dilnim ndonjëherë me mamin, siç e kanë gratë që vonohen, ai më merrte dhe shkonim hanim akullore te ish-kafe “Flora“ të Rruga e Durrësit. Dhe pavarësisht nga mosha, biseda me të ishte e ngrohtë, e përzemërt. Kishte gjithmonë diçka për të mësuar prej tij.

Mbarimi i gjimnazit me medalje, mbarimi i Fakultetit të Mjekësisë shkëlqyer, bëjnë të kuptosh që kam marrë shumë nga parimet e tij.

Parime të tjera? Të jesh i ndershëm me veten tënde. Të respektosh e të të respektojnë. E kam vlerësuar gjithmonë figurën e pedagogut si një njeri në piedestal. Edhe pse në shkollë isha sekretare rinie, përgjegjëse grupi, jam munduar që në shkollë t’i justifikoja shokët e mi, edhe pse vetë nuk përfshihesha në rrëmuja, sepse nuk doja të bëhesha protagoniste. Nuk më shkonte, isha “e bija e profesorit”.

Parim tjetër që kam marrë prej tij, është prirja për të mos shkelur mbi dinjitetin e të tjerëve. Kam pasur një shoqëri shumë të zgjedhur.

Po marrëdhënia me miqtë?

Shumë e dashur. Në shtëpinë tonë çdo fundjavë kishte festa, kishte njerëz. Sidomos me brezin e ri babi ishte shumë i lidhur. U jepte shumë nga vetja. Nëpërmjet tij, u njoha me bashkëshortin që ishte nxënës i babit. Falë këtij virtyti që kishte, u jepte dorë të rinjve. U jepte të bënin gjëra të mëdha dhe shpesh merrte përgjegjësi mbi vete thjesht për t’i mbuluar. Mjekësia kërkon mbështetje.

Çfarë konsideroni arritje në jetën e tij profesionale?

Edhe pse nuk njohu shumë grada e lëvdata si nga ai regjim, edhe nga ky, ai kishte dashurinë dhe mirënjohjen e masës. Edhe sot vijnë njerëz e më thonë, na ka operuar babi yt. Sigurisht që të vret pak mosinteresimi i shtetit.

Pse është kaq e rëndësishme për një mjek të marrë lavde e falenderime nga instancat?

Është e rëndësishme, sepse duhet të promovohesh. Në përgjithësi mjekët dhe inxhinierët jetojnë dhe vdesin në heshtje. Njerëzve të artit ose gazetarëve u bëhet diçka pas vdekjes, ndoshta komuniteti i tyre është më i lidhur. Ne jemi një komunitet i përçarë ende. Një inxhinier që ka krijuar ura, hidrocentrale, një mjek novator duhet falënderuar. Babi im im ka bërë ndërhyrje kirurgjikale të një niveli botëror, askush nuk ia njohu. Nëse nuk ke ego për t’u promovuar vetë, nuk të promovon njeri. E shpëton njeriun nga një sëmundje e rëndë ose, edhe nëse nuk e shpëton, bën që ato ditë që jeton, të jetojë me cilësi. Kjo duhet vlerësuar. Shokët e afërt dhe miqtë ia dinë. Shpesh disa e kanë parë me zili. Babai duke qenë dhe shumë i drejtpërdrejtë, të bëhej armik. Sepse askujt nuk i pëlqen që t’ia thuash gjërat në sy. Di të them që im atë ka qenë shkencëtar. Dhe i ka dhënë shumë kësaj mjekësie.

Thonë që mjekët kanë qenë shumë humanë. Duke iu referuar punës së babait tuaj dhe asaj që ndodh sot në mjekësi, ju si do ta interpretonit këtë besim?

Sigurisht. Unë e kam arritur atë periudhë. Kur babai e filloi mjekësinë, kanë qenë honoraret, bënte rojet në poliklinikë dhe shpërbleheshin.  Në shtëpinë tonë nuk mungonin kurrë vezët, gjalpi, se i sillnin. Ka qenë mjek i të huajve dhe në atë kohë jetoi shumë mirë.

Por për të baza materiale nuk ishte asnjëherë kryesore. Ai këtë gjë na e ka ushqyer gjithmonë. Por edhe populli e shikonte gjithnjë veten borxhli ndaj mjekut.

Çfarë do të thoshte ai po të dëgjonte fjalët korrupsion, tendera, ilaçe të skaduara?

E ka jetuar atë periudhë. Ka pasur mundësinë që pas ‘90 t’i hynte politikës. Por thoshte që vetëm një javë do të kisha mbijetuar. Ishte i zhgënjyer nga kjo politikë. Ka qenë një njeri që e ka dashuruar jetën, e ka jetuar jetën. Në 5 ngrihej nga shtrati dhe në 6 ishte në pavion. Kishte një energji të pashtershme. Të gjithë të sëmurët merrnin zemër sa dëgjonin hapat  e tij. E shikonin si shpëtimtar. Ata që e njohën babin, e vlerësuan.

Gazmend Velcani (3)A pati skeptikë kur ju u caktuat mjeke në spital?

Kur erdha në punë këtu, thanë “obobo kë kanë caktuar në punë këtu. Vajzën e një mjeku, e llastuar, vajzë Tirane”. Por gjithmonë kam dashur të jem e thjeshtë. Ka qenë karakteristikë e tim eti. Jam ulur e kam ngrënë me sanitaren, edhe me infermieren. Jam munduar t’i respektoj kolegët e mi, pavarësisht nga niveli shoqëror.

Jeni e vetmja onkogjinekologe femër. Lidhet kjo me atë tendencën për të qenë ndryshe, për të pasur standarde të tjera?

Sigurisht që lidhet edhe me këtë. Po, jam e vetmja onkogjinekologe femër. Është një ndjenjë shumë e bukur. Të jesh kirurge duhet të kesh karakter, duhet të pranosh të mirën e të keqen, suksesin e dështimin, duhet të jesh e fortë. Kirurgjia është një profesion për burra. Femrat që bëhen kirurge, janë burrnesha. Përballesh me sfida shumë të mëdha.

E keni bërë krenare babanë?

Shumë. Me mua kishte një raport shumë të mirë. Ai më dha bekimin para se të vdiste. Ashtu siç jetoi me dashuri dhe vendosmëri, ashtu preferoi dhe të vdiste. Nuk mendonte dot të jetonte me patericë, pa sy dhe pa këmbë, se diabeti bëri të tijën. U nda nga jeta duke besuar që e plotësoi ciklin. Jetoi i varfër dhe vdiq i varfër, por i pasur në shpirt. Vajza ime në vitet e para të shkollës mësoi shumë prej tij, sepse dëshirën për mjekësinë ia la dhe vajzës sime. Edhe pse 80 vjeç, me lupë vazhdonte dhe lexonte. Shënimet që ai ka lënë, janë për ne një pasuri e jashtëzakonshme. Nuk duhen lënë mënjanë, duhet t’i sistemojmë. E mbylli karrierën si kirurg. Nuk ishte servil, nuk bënte kompromise. E donte njeriun që mësonte.

Amaneti i tij i fundit?

Amaneti i fundit që na ka lënë, veç mamit, ishin librat. Libri për të ishte i shenjtë. Ne falë Zotit jemi disa breza mjekësh.

Gjithashtu im atë na mësoi ta dashuronim jetën. Përveç punës, ai kishte dëshirë të kërcente e të dëgjonte muzikë. Ishte njeri i shumanshëm, i mrekullueshëm.

Postime të ngjashme

Mjeku që braktisi Gjermaninë, rikthehet në Divjakë pas 20 vitesh, dr. Shundi: Nuk ka si vendlindja
Infermieria, profesioni që të zgjedh
Elda Skënderi, mjekja që i kupton fëmijët pa folur
Arben Baboci, kirurgu i zemrës së fëmijëve
Arjana Rreli: Zgjodha ëndrrën e babait tim
Festa Mjeshtri: Realiteti vret ëndrrat e grave
Pëllumb Pipero: Odisea, nga repartet ushtarake, në gjirin e elitës mjekësore
Infeksionet në shtatzëni, kur e rrezikojnë bebin