Tiranë, rregullohet skaneri në Spitalin Universitar të Traumës

Ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, vizitoi Spitalin Universitar të Traumës (SUT) në Tiranë, për të parë nga afër ecurinë e shërbimeve shëndetësore dhe nevojat e spitalit më të madh të traumës në vend. Beqaj, i shoqëruar nga një grup mjekësh dhe drejtori i SUT-së vizitoi pajisjen ekzaminuese të skanerit, repartin e reanimacionit, si dhe laboratorin e urgjencës, të cilat janë tashmë në funksion të plotë.

Spitali i TraumesPrej dy javësh, skaneri i vetëm i Spitalit Universitar të Traumës është në funksion të plotë. Ai kryen deri në 20-25 raste në ditë, prandaj për këtë arsye, Ministri i Shëndetësisë u shpreh: “Kemi ndërhyrë për rivënien në punë të skanerit, ndërkohë që falë buxhetit të ri të vitit 2014, ne do të garantojmë edhe blerjen e një pajisje të re skaneri të fjalës së fundit, në mënyrë që me skanera, spitali i traumës të mos ketë mungesë shërbimi”.

Ndërkohë në shërbimin e reanimacionit, në sajë të ndërhyrjes së Ministrisë së Shëndetësisë, është arritur të vihet në punë sistemi i monitorimit të treguesve jetësorë të pacientëve në regjim reanimacioni, ku mjekët kanë mundësi të ndjekin këto të dhëna nëpërmjet një teknologjie të avancuar. “Falënderoj drejtorin e spitalit të Traumës, si dhe stafin e spitalit për punën e bërë në këtë spital. Ne si ministri, kemi ndërhyrë për të plotësuar nevojat bazë të spitalit. Me një fond prej 150 mijë dollarësh kemi plotësuar nevojat me barna për këtë periudhë, ndërkohë që në buxhetin e vitit 2014 është parashikuar një fond më i madh për të kthyer normalitetin e furnizimit me barna në spital”, tha Beqaj.

Në buxhetin e vitit të ardhshëm është parashikuar gjithashtu investimi për një skaner të dytë në spitalin e traumës, për të mbuluar në këtë mënyrë nevojat për ekzaminime.

Ministri Beqaj tha gjithashtu se spitali Universitar i Traumës do të përfshihet në sistemin e spitaleve me financim nga ISKSH-ja, duke theksuar se janë marrë masa edhe për furnizimin e menjëhershëm me barna të QSUT-së, me një fond prej 900 mijë dollarësh, ndërkohë që lajmëroi gjithashtu vënien në punë të skanerit edhe në spitalin e Durrësit dhe Korçës, të cilët kanë qenë gjithashtu jashtë funksionit.

Ndërkohë drejtori i SUT-së, Gjovalin Bushi, u shpreh se nga ndërhyrja e Ministrisë së Shëndetësisë është bërë e mundur furnizimi me barna për këtë periudhë, plotësime me kite dhe reagentë i laboratorit të urgjencës, duke i kthyer normalitetin këtij spitali.

Postime të ngjashme

 Nga bananet te çokllata e zezë, 6 ushqime që ulin nivelet e stresit
Cilat ushqime ndihmojnë shëndetin e syve?
Çfarë i bën kafja trupit dhe sa zgjat efekti i saj
Angjinarja: Perimi i pranverës që forcon kockat dhe zemrën
Shqipërisë i mungon infrastruktura dhe mjeku gjeriatër për të moshuarit, rekomandimet  
Mos i pini ilaçet e tensionit me këto 6 pije, ju rrezikojnë shëndetin
Studimi i ri: Dieta me bazë bimore ul rrezikun e demencës
6 përfitimet e panxharit