Denisa Canameti
Në Qendrën Shëndetësore të fshatit Grabian të Lushnjës mungojnë mjekët. Ky është denoncimi më i fundit që vjen nga banorët e atij fshati. Këta të fundit shprehen shumë të shqetësuar pasi mungesa e mjekut të familjes për ta sjellë shumë problematika. E
meqë sistemi i referimit detyron pacientët të kalojnë fillimisht nga mjeku i familjes, kjo bën që ata të përballen me burokraci e probleme edhe nëpër spitale.
I kontaktuar nga gazeta “Shëndet+”, drejtori i Shëndetit Publik të Lushnjës, Pjerin Vogli, na sqaron se aktualisht ajo qendër shëndetësore po mbulohet nga një mjek i jashtëm, i cili vjen 2 herë në javë. Ai pranon se ka mungesë mjekësh për ta mbuluar atë qendër, megjithatë shumë shpejt do merren masat e duhura për të zgjidhur problemin.
Qendrat shëndetësore nëpër rrethe, por jo vetëm, jo rrallë gjenden në kushte jo të përshtatshme për të pritur pacientë. Kjo për arsye të ndryshme që nisin që nga mungesa e pajisjeve mjekësore e deri tek mungesa e mjekëve, siç është rasti i këtij fshati. Kjo e fundit sigurisht që është krijon një problematikë shumë të rëndë për komunitetin që ajo qendër mbulon. Për më tepër që qendrat shëndetësore gjatë kësaj periudhe po punojnë për check-upin. Janë pacientët ata që reagojnë përballë këtyre mungesave, duke iu drejtuar medias si mënyra më e mirë dhe më pak e lodhshme e zgjidhjes së problemeve.


