Artrozat, ç’duhet të kenë parasysh të sëmurët

Nga mjeku ortoped Tahir Çela

Kur bëhet fjalë për artrozat, arsyeja kryesore pse pacientët vijnë tek mjeku është për shkak të dhimbjeve. Ka shumë rëndësi ardhja te mjeku që pacienti të njihet me diagnozën që ka dhe të marrë trajtim për atë diagnozë. Edukimi mjekësor i pacientëve ka shumë rëndësi edhe në rezultatet që marrim në trajtimin e sëmundjeve.

spondiliartrozaRezultatet do të ishin shumë të mira nëse pacienti e di se nga çfarë vuan, çfarë e ka shkaktuar sëmundjen (në rastet kur mund ta gjejmë shkakun), dhe nëse bashkëpunon me mjekun e vet për ta trajtuar sëmundjen. Nuk mund të pretendojmë shërimin e plotë të artrozave, pasi ende mjekësia nuk i ka dhënë zgjidhje përfundimtare, por mund ta lehtësojmë dhe të mos e përkeqësojmë.

Shkenca bën përpjekje që të prodhojë ilaçe për të ushqyer kërcin, por deri sot nuk është arritur. Qëllimi i trajtimit është lehtësimi ose eliminimi i dhimbjes, si dhe rifitimi i lëvizjes.

Nëse ka një kombinim të medikamenteve, të fizioterapisë dhe trajtimit kirurgjikal ortopedik, them se rezultatet do të ishin më të mira. Fatkeqësisht, ende në vendin tonë nuk është e përhapur kultura e vajtjes te fizioterapisti. Sigurisht, kjo nuk është vetëm çështje kulture, por edhe kostoje, sepse fizioterapia kushton.

Në raste të tilla unë u këshilloj pacientëve që kanë probleme me kockat, që të lëvizin. Por të kenë kujdes që të mos bëjnë lëvizje të tepruara që u shkaktojnë dhimbje. Një ecje e gjatë pasditeve, pasi ka rënë vapa ose herët në mëngjes, do të ishte ideale për ta. Gjithashtu, është mirë që gjatë ditës të mos qëndrojnë shumë kohë ulur apo përpara televizorit. Edhe kur janë në punë ose po merren me diçka, është mirë të shkëputen për pak minuta, sa për të bërë një ecejake të shkurtër. Kjo do t’i mbajë kockat më të shëndetshme.

Pastaj, siç e thashë edhe më lart, nëse kanë probleme me peshën, rënia nga pesha do të ishte një ndihmë e madhe kundër sëmundjes. Por, do të tërhiqja vëmendjen që në raste të tilla, para se të fillojnë një dietë, pacientët duhet të kryejnë analizat dhe të konsultohen me mjekun lidhur me ushqimet që duhet apo nuk duhet të hanë. Dietat që merren nga interneti apo nga një shok a mik, nuk janë të vlefshme. Kjo për faktin se çdo trup është i ndryshëm nga tjetri dhe reagon ndryshe përkundrejt ushqimit.

Dhe meqënëse artikulacionet e njeriut janë bërë për të lëvizur po ju përmend një shprehje që ne e përdorim shpesh në ortopedi “Jeta është lëvizje, lëvizja është jetë!”

Postime të ngjashme

Mjekja pediatre: Si ta përdorni kondicionerin në mënyrë që fëmija i porsalindur të mos sëmuret
Pyet mjekun: Si t’i ndalojmë ngërçet në këmbë gjatë natës?
Pyet mjekun: A duhet të rri në regjim shtrati për dhimbjen e shpinës?
Efektet e hepatitit C në trupin tuaj, si mjekohet
A mund të pi kafe para analizës së gjakut?
Si trajtohen pacientët me HTA kur kanë dhe sëmundje pulmonare obstruktive?
Pyet mjekun: "Kam mpirje të këmbëve, a më vjen kjo për shkak të Trombofilisë Hereditare?"
Pyet mjekun: Pse ndodh urinimi i shpeshtë natën?