Qeveria stimulon mjekët që të punojnë larg vendbanimeve të tyre me shtesë mbi pagë deri në 100.000 lekë dhe kontratë 1-vjeçare. Në një intervistë për gazetaren Manjola Hasa të “Ora News”, zv.ministrja e Shëndetësisë, Milva Konomi, tha se spitalet rajonale nga 20 shërbime mundësojnë vetëm 13 deri në 15, ndërsa në spitalet rajonale të Korçës, Sarandës dhe Shkodrës mungojnë mjekët kirugë dhe kardiologë. Gjithashtu zv.ministrja tha se në gusht infermierët në spitalet rajonale do t’i nënshtrohen provimit, ndërsa rezultatet do të dalin në muajin shatator, përpara provimit të riçertifikimit.
Rreth 200 mjekë të cilët do të ushtrojnë profesionin e tyre në spitalet rajonale të vendit do të përfitojnë një pagesë mujore bonus prej 100 mijë lekësh të reja.
Vendimi i marrë në në mbledhjen e fundit të qeverisë vjen si pasojë e shtimit të rasteve shëndetësore për shkak të sezonit turistik.
Konomi: “Në zona ku kemi më shumë ngjarje shëndetësore, që ka nevojë për shërbim siç është psh Shkodra, Korça, Saranda, që janë spitale ku ka fluks turistik të madh nevoja për këtë lloj shërbimi është dhe më i lartë”.
Spitalet tona rajonale sipas zv.ministres së Shëndetësisë duhet të ofrojnë të paktën 20 shërbime shëndetësore, por një gjë e tillë nuk ndodh pasi në këto spitale ofrohen mesatarisht 13 shërbime.
Ndaj Konomi thekson se është e nevojshme që këto spitale të paisen me mjete moderne në mënyrë që dhe cilësia në shërbim të rritet.
Konomi: “Pajisja e spitaleve me mjete më moderne është dhe në fokusin kryesor. Sa i takon barnave në spitalet tona rajonale bëhet një planifikim që lidhet me planifikimin global që në bëjmë për nevojat spitalore ku natyrisht QSUT zë një vend të rëndësishëm, por edhe spitalet rajonale”.
Një nga çështjet e cila ka ngjallur debat në sistemin shëndetësor është edhe dhënia me konçesion e laboratoreve mjekësore.
Për zv.ministren Konomi arsyeja e këtij vendimi vjen pasi mjetet për kryerjen e këtyre analizave janë shumë të vjetra dhe nuk e kryejnë më funksionin.
Konomi: “Po shikohet të gjendet një formë më e përshtashme që ne të rrisim eficencën e punës së laboratorëve në të gjithë rrjetin spitalor rajonal, publik në vendin tonë. Se cila do të jetë forma ne nuk e dimë akoma, është akoma në studim”.


