Trëndafili e ka origjinën nga Azia dhe është konsideruar si bekim i Zotit. Sot trëndafili konsiderohet si imazh i bukurisë dhe dashurisë dhe kuptimi i saktë varet nga ngjyra që ka.
Trëndafilat e kuq janë simbol i dashurisë dhe pasionit, një lloj mesazhi për njeriun që e doni. Prezanton kurajë dhe respekt.
Trëndafili i bardhë simbolizon bukuri, dashuri të vërtetë dhe qetësi mendore. Nëse lulja është e mbyllur, do të thotë që vajza është shumë e re për martesë.
Trëndafilat e kuq dhe të bardhë së bashku prezantojnë bashkim, mirëkuptim dhe plotësim.
Trëndafilat portokalli ngjajnë pak me zjarrin, sepse kanë të verdhën dhe të kuqen brenda dhe për këte arsye shprehin energji dhe entuziazëm.
Mund të thuhet se janë konkurrentët më të fortë të trëndafilave të kuq për arsye se tregojnë një dashuri të fortë.
Trëndafilat e verdhë përfaqësojnë shoqëri, kënaqësi, lumturi, nganjëherë edhe xhelozi. Nëse e kombinoni me një trëndafil të kuq, nënkupton se jeni mendjehapur.
Trëndafilat rozë simbolizojnë afeksion, zemërbutësi, modesti, besnikëri dhe i thurin lavde bukurisë femërore.
Të dhurosh trëndafila ngjyrë rozë nënkupton një ndjenjë të pastër dashurie. Kur ato përdoren në buqetë së bashku me lule të tjera, mesazhi që këto të fundit transmetojnë, vjen duke u përforcuar. Këto lule mund t’i dhurohen një nënë të re, nënës suaj, të dashurës, si një shenjë e besnikërisë ose ndaj çdo personi të cilit doni t’i tregoni se e pëlqeni.
Trëndafili blu na dërgon mesazhin: mund të mos jesh e imja, por unë do të të mendoj gjithmonë./Përgatiti për “Shëndet+”: Elena Beta

