Doktor Sulejman Budo për gazetën “Shëndet+”
Doktor, pse është e rëndësishme të kemi këmbë higjienike si në rastin e diabetikëve, por jo vetëm?
Është shumë e rëndësishme të dihet se diabetikëve u preken shumë organe. Por një nga organet që vlerësohet më pak, është këmba. Nga intervistat që kemi bërë, jo vetëm me njerëzit diabetik, kemi vënë re se këmbët vlerësohen shumë pak, ndaj edhe dëmtimi i tyre është i madh. Higjiena që mbajnë për këmbët është shumë e ulët dhe njerëzit nuk e njohin fare si duhet të
parandalojnë dëmtimin e këmbëve në përgjithësi.
Fillimisht meraku im është që të merret një mesazh jo vetëm për diabetikët, por për njerëzit në përgjithësi. Popullsia jonë në përgjithësi, deri në masën 90%, nuk kujdeset fare për këmbët. Nuk dinë që këmbët duhen larë çdo ditë, që çorapet duhen ndërruar çdo ditë, që këmba lahet dhe mbahet mirë dhe që thithet lagështia edhe midis gishtave të këmbëve.
Sepse duke mbajtur një higjienë e mirë, nuk ndodh ajo që quhet “këmba e atletit”, që nuk është gjë tjetër veçse një shfaqje e mykut në këmbë nga djersitja dhe moskujdesja. Në këtë kuadër është e rëndësishme që për këmbët të shkruhet më tepër, që të njihet më tepër. Ne nuk e kontrollojmë çdo ditë këmbën nëse ka ndonjë flluskë, nëse ka ndonjë dëmtim, nëse ka ndonjë të skuqur, ndonjë zonë të ngrohtë. Sepse shfaqja e gjërave të tilla rrit rrezikun për të shfaqur infeksione dhe probleme shumë të rrezikshme.
Cilat janë rreziqet që vijnë në shëndet për shkak të problemeve me këmbët?
Një flluskë që ndodh kur të vret këpuca, mund të infektohet dhe ai infeksion sjell të tilla komplikacione që lind nevoja e prerjes së gjithë këmbës. Çdo ditë priten 70 këmbë në Amerikë nga diabeti. Është një shifër e frikshme. Por mendo se çfarë ndodh në vendin tonë që njerëzit i kanë këmbët e çara se punojnë tokën, që shpohen e që kanë dëmtime të vazhdueshme. Duhet thënë se prerja e këmbës është e parandalueshme.


