Një rast tjetër është paraqitur me malarje në Shërbimin Infektiv në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë, tek një shtetas i ardhur nga Guinea. Mjeku infeksionist, Pëllumb Pipero, tha se “i riu, 35 vjeçar nga Vlora, kishte ardhur nga Guinea. Ndërsa, aktualisht paraqitet jashtë rrezikut për jetën, pas marrjes së mjekimit”.
Sipas tij, për rreth një vit janë paraqitur në Shërbimin Infektiv në QSUT rreth 50 raste me malarje, të gjitha të eksportuara, të raportuara kryesisht tek punëtorë sezonalë që punojnë jashtë vendit, kryesisht në Guine”.
Në fund të dhjetorit, një i ri nga Vlora humbi jetën për shkak të kësaj sëmundjeje. I riu kishte ardhur në Shqipëri nga Guineja për të kaluar festat e fundvitit pranë familjes, ndërkohë që ishte paraqitur në QSUT në gjendje të rëndë.
Pipero tha se aktualisht medikamentet e domosdoshme për trajtimin e sëmundjes gjenden në shërbimin infektiv, ndërkohë që drejtoresha e QSUT, Ogerta Manastirliu garantoi më parë për një zgjidhje afatgjatë të furnizimit me barna për këtë sëmundje.
Malarja është një sëmundje e zhdukur prej dekadash në Shqipëri, për transmetimin e së cilës nuk kërkohet vetëm transmetimi mes individëve, por dhe një vektor që në këtë rast është mushkonja. Në maj të këtij viti, Instituti i Shëndetit Publik foli për 15 raste të identifikuara (të eksportuara) me malarje, sëmundje me një fillesë të rishfaqjes së saj prej 2 vitesh. ISHP përgatiti në muajin maj dhe udhëzuesit për masa ndaj vektorëve, në bashkëpunim edhe me strukturat lokale dhe institucione të tjera.



