Rjepaj: Brenda vitit kontrollet, ja ekzaminimet që ofrohen falas

Eriola Çuko

Rreth 800 mijë persona do të përfitojnë nga program i kontrollit bazë falas tek moshat 40-65 vjeç, që pritet të nisë në gjysmën e dytë të vitit. Ministria e Shëndetësisë ka nisur tashmë punën me ngritjen e grupeve të punës për programin e kontrollit bazë mjekësor tek kjo grupmoshë. Paketa e ekzaminimeve, që do të ofrohet në 250 qendra shëndetësore në vend.

vizit 2

Zv. Ministri i Shëndetësisë, Klodian Rrjepaj shpjegoi me detaje shërbimet që do të ofrohen falas.

Programi, sipas tij, është reflektim i njërës nga tezat kryesore të Programit të Shëndetësisë 2013-2017, sipas të cilit, “brenda vitit 2014 do të fillojë zbatimi i një programi kombëtar për kontrollin bazë të shëndetit për popullsinë. Ky kontroll do të përfshijë  grupmoshën 40-65 vjeç si dhe mosha më të reja për disa shtresa të veçanta të shoqërisë.

Depistimi i popullatës konsiston në ofrimin e testeve të ndryshme të gjithë individëve të një popullate të caktuar target, të përzgjedhur zakonisht në bazë të moshës, si pjesë e një programi më të gjerë dhe të mirëorganizuar. Rjepaj sqaroi se “është menduar që popullata e përfshirë në program të jetë 40-65 vjeç, pasi individët e kësaj moshe kanë rrezik më të lartë për një sërë gjendjesh shëndetësore jo të favorshme dhe pikërisht këta individë do të kishin përfitimin maksimal nga zbulimi i hershëm i sëmundjes se tyre”.

Paketa e ekzaminimeve, ku do të ofrohet

Zëvendësministri Rjepaj sqaron dhe paketën e ekzamimeve që do të ofrohen falas për këtë grupmoshë, por edhe se ku mund të përfitohet prej tyre. Paketa e ekzaminimeve parashikohet të përfshijë konsultë të hollësishme me fokus tek konsumi i duhanit dhe i alkoolit, ushqyerja, si dhe aktiviteti fizik, tha Rjepaj. Ndërkohë, në paketë përfshihen ekzaminime fizike, si matja e presionit të gjakut dhe BMI (diametri i barkut), si dhe ekzaminime laboratorike si glicemia, kolesteroli total, HDL kolesterol, LDL kolesterol, triglyceride, formulë e gjakut, si dhe Hb, HCT, MCV, MCH, MCHC, albuminuria, prania e qelizave, cilindrave, kristaleve në urinë, feçe për gjak. Po kështu, paketa përfshin ekzaminime për shëndetin riprodhues, kancerin e qafës se mitrës, si dhe mamografi për kancerin e gjirit, por edhe për shëndetin mendor.

vizit 1

Kontrolli mjekësor bazë do të ofrohet në 250 qendra shëndetësore, nga 421 që funksionojnë në vend. Përzgjedhja e tyre, sipas Rjepajt, do të bëhet në bazë të karakteristikave demografike, kapaciteteve infrastrukturore dhe burimeve njerëzore në dispozicion, por edhe të shpërndarjes së popullatës dhe infrastrukturës rrugore. “Për të arritur zona më të largëta, do të jenë në dispozicion njësi mobile të marrjes së mostrave dhe depistimit”, sqaroi Rjepaj. Sipas tij, “programi i depistimit synon të përdorë kartelën e pacientit/individit të regjistruar pranë mjekut përkatës të familjes, në mënyrë që të dokumentohen të dhënat e depistimit, të mblidhen dhe të dërgohen në qendrën e përpunimit të informacionit”.

Megjithë kufizimet, depistimi i popullatës mund të ketë avantazhe për përmirësimin e shëndetit publik, tha Rjepaj.  Sëmundjet kronike jo të transmetueshme, veçanërisht ato kardiovaskulare dhe tumorale, janë shkaktarët më të mëdhenj të vdekshmërisë në Shqipëri. Këto sëmundje kanë në bazë të tyre një stil jetese jo të shëndetshme, ndaj insistohet që të mund të parandalohen duke u kapur në kohë dhe duke ndikuar në edukimin shëndetësor të popullatës për një stil të shëndetshëm jetese

Postime të ngjashme

EMRI/ Ndalohet drejtori i Spitalit të Fierit, zbardhen detajet e para
Shqipëria vijon të shuhet, lindjet ranë me 10.5% në T3, shtesë pozitive vetëm Tirana e Durrësi
Trajtimi me medikamentet GLP-1 RA, mjekja zbulon gabimet më të zakonshme që bëjnë pacientët
Pagesat nga xhepi për shëndetësinë, Raporti i KE: Qytetarët paguajnë tri herë më shumë se mesatarja e BE-së
Mjekja zbulon dietat që janë efektive për rënien nga pesha
Përtej vitaminës D: Si ndikon drita e diellit në metabolizëm dhe sheqerin në gjak
Pudinga me copëza xhami në treg, AKU: Mos e konsumoni
Medikamentet GLP-1 RA: Çfarë duhet të presin personat me obezitet nga trajtimi me këto barna?