Ndryshe nga sa ishte lajmëruar dje, që mjekët do të merrnin masa për dhunën e ushtruar ndaj mjekes Silvana Çeliku dhe infermieres pranë shërbimit të onkologjisë në QSUT, situata sot, një ditë më pas, duket e qetë.
Ajo çfarë vihet re është se tek dera e shërbimit janë shtuar forcat e sigurisë, duke shtuar kështu 2 roje, të cilët nuk lejojnë asnjë kamera apo person tjetër të jashtëm të marrë informacion për çështjen në fjalë.
Burime brenda QSUT-së bëjnë me dije për “Shëndet+” se lajmi për bojkotimin e punës dhe protesta të bluzave të bardha nuk është i vërtetë. Puna vijon normalisht, edhe pse zëra brenda këtij shërbimi na bëjnë me dije se situata brenda stafit mjekësor vazhdon të mbetet tejet e acaruar.


