Denisa Canameti
Ka qënë prishja e skanerëve në QSUT shkaku i vërtetë i dhunës ndaj mjekes Silvana Çeliku dhe ndaj infermieres së shërbimit të onkologjikut.
Ka thuajse një vit që skanerat e QSUT-së nuk punojnë. Gazeta “Shëndet+” e ka raportuar disa herë këtë gjendje e cila është bërë problematike si për mjekët ashtu edhe për pacientët. Rasti i fundit ishte ai i përplasjes fizike në pavionin e onkologjikut. Në media u përhap lajmi se kjo ndodhi për shkak se pacienti ka qënë i depresionuar për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore, e në kushte të tilla nuk është përmbajtur përballë mjekes e cila ka qënë duke kryer detyrën e saj.
Sot, disa ditë pas ngjarjes mësojmë se pacientja ka kërkuar të bëjë skanerin. Mjekja i ka bërë me dije se ky shërbim nuk mund t’i ofrohet për shkak se nuk punon aparatura, bëjnë me dije burimet për “Shëndet+”.
Ky debat ka degjeneruar më pas në dhunë.
Menjëherë pas lajmit Ministria e Shëndetësisë dhe Drejtoria e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë dolën me një deklaratë ku dënonin dhunën ndaj mjekes si dhe u bënë thirrje organeve kompetente që të vënë drejtësi.
I kujtojmë Ministrisë dhe Drejtorisë se organet e vetme kompetente që mund të vendosin drejtësi janë këto dy institucione të cilat duhet të marrin masa urgjente për vënien në punë të aparaturave.


