Një kompani private ka bërë kërdinë në tenderat publikë, madje mund të ketë shënuar edhe një rekord, kur në më pak se 22 muaj ka fituar plot 28 tendera. Bëhet fjalë për kompaninë “Intech +”, e cila brenda një kohe të shkurtër ka përfituar nga tenderimet publike një shumë rreth 11 milionë dollarë.
https://www.youtube.com/watch?v=Jik37hrvcgs
Sigurisht që suksesi i papritur i kësaj kompanie lidhet me emrin e ministrit të famshëm gjithashtu për tenderimet dhe konçensionet në ministrinë e tij, vetë zotin Ilir Beqaj. Ministri aktual i shëndetësisë ka qenë aksioner kryesor i kompanisë “Intech +”, por në momentin e zgjedhjes deputet, për të qenë formalisht në rregull me ligjin, Ilir Beqaj i ka shitur aksionet e tij tek një person tjetër. Likuidimi është bërë me një kontratë të veçantë që nuk është e publikuar në dokumentacionin në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit. Shumëkush e mban mend që Intech + ia dogji mandatin deputetit Ilir Beqajt në vitin 2011, pasi Gjykata Kushtetuese e quajti shkelje të ligjit faktin që kompania e deputetit socialist kishte përfituar fonde publike nga bashkia e Durrësit.
Mirëpo joshja nga paratë publike qënka e madhe. Për të mos e djegur edhe mandatin e dytë, pasi Partia Socialiste erdhi në pushtet dhe ai u emërua ministër i Shëndetësisë, më 9 shtator 2013, Ilir Beqaj i shiti pra aksionet e tij, 51 përqind, në shumën e afërsisht 120 mijë eurove. Me këtë akt, kompania Intech + i kishte duart e lira të përfitonte nga tenderat publikë dhe ministri ishte formalisht në rregull.
E ndërsa vetë Beqaj akuzohej thuajse çdo ditë për tenderime e konçesione skandaloze në ministrinë e tij, kompania Intech + lulëzonte në biznesin e saj me administratën e re të partisë së Ilir Beqajt.
Me ose pa ndikimin e kryeministrit Rama, kompania ku kishte qenë pronar ministri i Shëndetësisë, e cila ka si objekt të aktivitetit të saj shërbime të ndryshme të sistemeve kompjuterike, gjatë vitit 2014 është shpallur fituese e 10 tenderave në shumën e afro 2 milion dollarëve nga institucione si bashkia Durrës, Albcontrol, Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit, Instituti i Sigurimeve Shoqërore, ministria e Financave, Fondi i sigurimit të detyrueshëm të kujdesit shëndetësor.
Gjatë vitit 2015, Inthech + ka fituar deri tani plot 18 tendera në shumën e rreth 7 milionë dollarëve, ku institucioneve shtetërore të mësipërme u shtohen edhe OSSHE, Agjencia Kombëtare e Ushqimit, etj.
Në total, për 22 muaj kompania që ishte në emër të ministrit Beqaj, ka marrë rreth 11 milionë dollarë nga 28 tenderat e fituar, në 10 prej të cilave është fituese e vetme, të tjerat në bashkëpunim me kompani të ndryshme. Midis tyre vihet re se shumat më të mëdha i ka përfituar nga Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit për portalin qeveritar “e albania”. Gjithsej rreth 3 milionë dollarë.
Çfarë ndodhi që kompania, ku ministri nuk është më aksioner, brenda dy viteve u bë kaq e sukesshme? Mos vallë largimi i Beqajt e ndihmoi kompaninë të lulëzonte dhe ndërkohë kryeministri Rama ua bëri peshqesh shqiptarëve tek ministria e Shëndetësisë? Nuk ka dyshim që këtu nuk bëhet fjalë për histori suksesi, por për një aferë të dyshimtë biznesi. Ku përsëri në qendër është ministri i gjatë i Edi Ramës, i cili duhet patjetër të hetohet nëse ka ushtruar ose jo ndikim në kundërshtim me ligjin për të favorizuar ish kompaninë e tij. Po kështu prokuroria duhet të zbulojë nëse Ilir Beqaj përfiton ose jo, në mënyrë indirekte nga biznesi i “Intech+”, të cilën e shiti 120 mijë euro, por që në dy vjet ka fituar tendera në 10 milionë euro. Fakti që kryeministri Edi Rama ka vendosur të mbajë me çdo kusht ministrat e tij, nuk do të thotë që shqiptarët të durojnë të zhvaten dyfish, edhe kur shkojnë për t’u kuruar edhe kur paratë e tyre shpërndahen në mënyrë korruptive. /ABCNEWS/









