Arlinda Gjypi, “Shëndet+”
Kompania “Intech+” nuk ka fituar 22 tendera për shkak të lidhjeve me ministrin e Shëndetësisë. Madje, në kohën kur ministri Beqaj e drejtonte (me 51% të aksioneve) dhe ishte në opozitë, kjo kompani ka fituar edhe më shumë. Një gjë e tillë u pretendua sot nga vetë ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj, në një konferencë për shtyp.
Në deklaratën e tij, kreu i sektorit të shëndetësisë u përqendrua tek të mirat që ai i ka sjellë shëndetësisë shqiptare ndërsa e ka drejtuar atë. Si “shtesë” ai tha se “si çdo sipërmarrje, edhe kompania ku unë bëja pjesë deri përpara se sa të kaloja në shërbim të publikut, ka patur vite të mira, apo vite jo të mira… ka patur vite edhe më të mira, madje, në kohën që ka qeverisur Partia Demokratike”.
Kompania “Intech+” është kompania e krijuar nga vetë ministri në vitin 2001. Në vitin 2013, me marrjen e detyrës si kreu i shëndetësisë, ai ia shiti 51% të aksioneve bashkëaksionerit të vet. Në dokumentet e bëra publike dje në media rezultoi se kjo kompani deri më tani ka përfituar 22 tendera me shifrën rreth 11 milionë euro.
Pavarësisht fjalëve të ministrit Beqaj për moslidhjen e tij me kompaninë, tabela e prezantuar nga ai vetë tregon se në vitet e mëparme kompania ka pasur luhatje të madhe nga viti në vit në fitimet e veta, ndërkohë që në dy vitet e fundit shifrat janë shumë të qëndrueshme, madje në rritje (nëse kemi parasysh se shifrat e vitit 2015 është vetëm për 9 muajt e parë).



