Spitali Ushtarak apo Trauma? Ja përplasjet mes mjekëve (me mjekët) dhe qeverisë!

Denisa Canameti

Ndryshimi i varësisë së Spitalit të Traumës dhe kalimi i tij si Spitali Ushtarak u cilësua normal nga ana e ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj, i cili tha se një gjë e tillë nuk sjell ndryshim për mjekët, por thjesht për strukturat lart.

Megjithatë, duket se mjekët e Spitalit (tashmë) Ushtarak nuk e mendojnë një gjë të tillë. Janë 70 firma që e vërtetojnë këtë në një peticion kundër kalimit të spitalit nën varësinë e Ministrisë së Mbrojtjes. Mjekët shprehen se vendimi për ta kaluar Traumën sërish në Spital Ushtarak nënkupton kthim mbrapa dhe tranzicion për këtë spital. Gjithashtu, ata shprehin shqetësimin se në kohën kur ishin në varësi të Ministrisë së Mbrojtjes, kanë pasur shumë mungesa në medikamente dhe kushte jo të mira pune.

Gjithsesi, 70 firma do të thotë se jo të gjithë mjekët janë dakord me kolegët që e kundërshtojnë vendimin. Ka midis tyre që shprehen tepër entuziastë për këtë vendim. “Ky është një vendim i mirë, pasi spitali nuk duhet të ishte hequr kurrë nga varësia e Ministrisë së Mbrojtjes”, thotë njëri prej mjekëve të spitali për “Shëndet+”. Ndërsa kërkon që të mos i citohet emri, ai vazhdon: “Nëse shikoni peticionin, ai është firmosur nga të gjithë shefat e shërbimeve, sepse pikërisht atyre u prishen interesat, u ikën posti nga duart”.

Në mbledhjen e 1 shtatorit të këtij viti të qeverisë u miratua vendimi që kalon spitalin e Traumës në varësi të Ministrisë së Mbrojtjes, pikërisht aty ku ka qenë gjithnjë. Ka qenë deklarata e Ministres së Mbrojtjes, Mimi Kodheli, ajo që ka shokuar opinionin e gjerë e veçanërisht mjekët e atij spitali.

“Kjo çështja e pronave është një tjetër akuzë që i keni ngritur opozitës. 60% të pronave nuk janë regjistruar për shkak të abuzimeve që janë bërë me pronat… Shembulli më i spikatur është Spitali Ushtarak, i cili kaloi në varësi të Ministrisë së Shëndetësisë pa procesverbal, dokumente, auditim, i shkoi Ministrisë së Shëndetësisë, ndërkohë që forcat ushtarake kërkojnë një shërbim specifik. Vendi ka nevojë për atë spital si Spital i Traumës, por ushtria ka nevojë për një spital, pra, duhet ta zgjidhim dhe ta bëjmë sipas procedurave”, ka qenë deklarata e  ministres Kodhelit.

 

Ndërkohë, në faqen e Ministrisë së Mbrojtjes kalimi i Spitalit të Traumës sërish në Spital Ushtarak është fakt i kryer. Në të lexohet se ” Spitali Ushtarak Qendror Universitar (SUQU) është institucion kombëtar shëndetësor i Ministrisë së Mbrojtjes së Republikës së Shqipërisë (RSH)” (Shikoni foton bashkangjitur).

Ministria e Mbrojtjes, Spitali Ushtarak

Postime të ngjashme

Shqipëria vijon të shuhet, lindjet ranë me 10.5% në T3, shtesë pozitive vetëm Tirana e Durrësi
Shtatë fëmijë të Kopshtit nr. 10 në Vlorë përfundojnë në spital, dyshohet për helmim nga ushqimi
Produktet e pasigurta në treg, alarmi vjen nga Belgjika; kontrollet në Shqipëri ranë me 33% në 2025
Trajtimi me medikamentet GLP-1 RA, mjekja zbulon gabimet më të zakonshme që bëjnë pacientët
Buxheti 2027/ Spahiu: 117.8 miliardë lekë për shëndetësinë dhe mirëqenien sociale
Pagesat nga xhepi për shëndetësinë, Raporti i KE: Qytetarët paguajnë tri herë më shumë se mesatarja e BE-së
Mjekja zbulon dietat që janë efektive për rënien nga pesha
Përtej vitaminës D: Si ndikon drita e diellit në metabolizëm dhe sheqerin në gjak