Denisa Canameti
Fyerje! Kështu e ka cilësuar këshilli kombëtar i Urdhrit të Mjekut vendimin e Gjykatës Administrative për shpalljen të paligjshme të zgjedhjeve për kreun e Urdhrit. Të mbledhur në një mbledhje të jashtëzakonshme, anëtarët e Këshillit Kombëtar diskutuan për vendimin e dhënë pas ankesës së njërës prej pjesëmarrëseve në zgjedhje e pikërisht drejtoreshës së Qendrës Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut, Valbona Doçit.
“Gjëja më e paligjshme në zgjedhje ka qenë pikërisht pjesëmarrja e Doçit (e cila nuk kishte dhënë dorëheqjen nga pozicioni i saj si drejtoreshë)”, u shprehën anëtarët e këshillit, ndërsa u deklarua se vendimi i gjykatës duket sikur është marrë në zyrën e ministrit të Shëndetësisë.
“Ministria ka ndërhyrë që në asamble, ku ka synuar shumicën, u shpreh kreu i Urdhrit, – Fatmir Brahimaj. – Para fushatës jemi telefonuar nga zyra e ministrit për ta pasur kujdes Doçin. Për një gjë të tillë, le të zbardhen tabulatet dhe të vërtetohet se një gjë e tillë është e vërtetë”.
Kreu i Urdhrit u shpreh se gjykata nuk ka marrë parasysh dokumentacionin dhe procesverbalet ku janë regjistruar zgjedhjet, ndërsa ministri e ka treguar armiqësinë e vet, ndërsa e ka pritur vetëm 4 muaj pas zgjedhjes në një aktivitet.
“Nëse Doçi i pa zgjedhjet e parregullta, pse vazhdoi të konkurronte?!” u shpreh Brahimaj. “Nëse do të kishte fituar, a do të ishte ankuar?” vijoi ai, ndërsa përmbylli se për rastin në fjalë ishin njoftuar ndërkombëtarët, të cilët kanë paralajmëruar përjashtimin nëse vazhdon ndërhyrja nga ministria.


