Denisa Canameti, gazeta “Shëndet+”
Në ambjentet e Hotel Tiranës u zhvillua sot një aktivitet i përbashkët shkencor midis “Shoqatës së Onkologëve të Shqipërisë” dhe “Shoqatës së Pneumologëve të Shqipërisë”, me tematikë “Përqasje të reja në diagnozë dhe trajtim”. Emra të njohur të onkologjisë dhe pneumolgjisë si Silvana Çeliku, Agim Sallaku, Arjan Mezini, Sotiraq Senjo, Perlat Kapisyzi, Silvana Bala etj., ishin pjesë e programit ku pritej të referonin mbi tematika interesante.
I pyetur nga gazeta “Shëndet Plus” lidhur me idenë e këtij bashkëpunimi midis dy shërbimeve shefi i shërbimit të onkologjisë, Agim Sallaku u shpreh se, “Kanceri pulmonar është kanceri kryesor që po prek sot botën dhe Shqipërinë gjithashtu. Është në vend të parë dhe është një problem i përbashkët midis pneumologjisë dhe onkologjisë. Ku, pneumologjia realizon diagnozën dhe trajtimin kirurgjikal kurse onkologjia trajtimin e mëtejshëm sistemik dhe radioterapi”.
Lidhur me pyetjen se në çfarë stadi trajtimi jemi ne në raport me vende të tjera Sallaku u përgjigj se problematikat janë të mëdha.
“Sigurisht kemi probleme të mëdha, qoftë në elementët e diagnozës, por edhe me skemat e ndryshme të kimioterapisë të cilët kanë ende probleme. Ka sot përmirësime të ndjeshme në terapinë me preparate target të cilët ende nuk janë në sasinë e nevojshme ose të duhura”.
Gjatë diskutimeve doli në pah fakti që prevalenca e kancerit të pulmonit sa vjen e rritet. I pyetur nëse dihen shkaqet e kësaj rritje shefi i onkologjisë u përgjigj se një ndër shkaqet është transferimi i njërezve nga zonat rurale drejt zonave urbane ku kushtet janë shumë herë më komplekse për të krijuar një kancer.
“Në zonat rurale ajri është i pastër, ushqimi bio, ndotja ambientale është më e pakët, e të gjitha këto janë një kompleks kushtesh të cilat bëjnë që personat në zona rurale të jenë më pak të riskuar për tu prekur nga kanceri i pulmonit. Gjithashtu, rritja e numrit të njerëzve që konsumojnë duhan është faktorë i madh risku për këtë lloj kanceri”, u shpreh Sallaku në fjalën tij.
Konkluzione që do të artikulohen:
Në fund të konferencës janë disa konkluzione për të tërhequr vëmendjen edhe ndaj aktorëve të tjerë që merren me kujdesin shëndetësore, strukturave administrative dhe shtetërore por edhe vëmendjen midis mjekëve specialist për të kuptuar se vetëm të gjithë bashkë mund ta zgjidhim problemin e kësaj patologjie.


