Denisa Canameti
Është konsideruar skandal dhe i pazankontë një urdhër i mbërritur sot rreth orës 15:30 në QSUT. Sipas këtij urdhri, drejtuesve të pavioneve dhe të departamenteve u është kërkuar të zbrazin sallat dhe dhomat me përjashtim të të sëmurëve shumë rëndë. Kjo pasi në ditët e ardhshme nuk do të ketë furnizim me ujë për shkak të një kontaminimi. Të kontaktuar nga “Shëndet+” disa prej shefave të shërbimeve në QSUT kanë konfirmuar lajmin duke u shprehur se ky urdhër dikton nxjerrjen e të sëmurëve lehtë dhe atyre që janë banorë të Tiranës. Lidhur me dakordësinë që ata kanë shprehur për këtë vendim, ata nuk kanë pranuar të komentojnë më gjatë.
Pas këtij lajmi, i menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i zyrës së shtypit në Ministrinë e Shëndetësisë.
Sipas një deklarate të përbashkët për mediat, zëdhënësi Thanas Goga ka sqaruar se “si pasojë e kushteve të rënduara atmosferike në 24 orët e fundit, ku pas një periudhe të gjatë thatësire patëm shira të dendur e të rrëmbyeshëm, uji i liqenit të Bovillës është turbulluar si asnjëherë tjetër në vitet e fundit. Kjo e ka vështirësuar kalimin e këtij uji në impiantin e Bovillës, për t’u trajtuar e shpërndarë më pas në rrjetin e shpërndarjes. Për këtë arsye, gjatë gjithë ditës së sotme specialistët e UKT-së kanë kryer analizat e ujit çdo 30 minuta, për të garantuar cilësinë e tij.
“Ndërkaq, sot Ujësjellës-Kanalizime Tiranë ka vijuar furnizimin me ujë të spitaleve të kryeqytetit për të mos pasur probleme me mungesën e ujit në këto institucione. Vetëm gjatë ditës së sotme UKT-ja ka shpërndarë në terren 7 bote uji, të cilët kanë furnizuar 21 herë me ujë QSUT “Nënë Tereza”, 6 herë Spitalin Universitar të Traumës, 4 herë SUOGJ “Mbretëresha Geraldinë”, si dhe disa institucione të tjera.
“Në lidhje me situatën e krijuar, Ministria e Shëndetësisë informon si në vijim:
- SUOGJ “Koço Gliozheni” – Deri në mesditën e ditës së nesërme nuk do të ketë probleme me mungesën e ujit, ndërkohë që aktiviteti i tij vazhdon normalisht;
- SUOGJ “Mbretëresha Geraldinë” – Pas furnizimit të depozitave të ujit dhe furnizimit në vazhdimësi me anë të autoboteve, nevojat e institucionit janë plotësuar duke siguruar shërbimin normal;
- Shërbimi i Traumës – Vijon ofrimin normal të shërbimeve dhe garanton vijimësinë normale të punës;
- SU “Shefqet Ndroqi” – Nuk ka ndërprerje të furnizimit me ujë dhe puna vijon në funksionin e vet normal.
Aktualisht, aktiviteti spitalor dhe ai i ofrimit të shërbimeve spitalore në qytetin e Tiranës vijon pa probleme.
Gjatë ditës janë marrë masat edhe për furnizimin e mjaftueshëm me ujë të Shërbimit të Dializës, duke siguruar dhënien e shërbimit në vijimësi për të sëmurët, të cilët kanë nevojë për dializë.
“Nga ana tjetër, deri në zgjidhjen e këtij problemi me furnizimin e vijueshëm dhe pa probleme me ujë, për rastet e urgjencave kirurgjikale që mund të paraqiten pranë QSUT “Nënë Tereza”, sallat kirurgjikale të këtij spitali do të suportohen nga ekipet dhe sallat e gatshme të SU “Shefqet Ndroqi”. Drejtoria e QSUT “Nënë Tereza” po monitoron përdorimin e ujit në mjediset spitalore, duke garantuar furnizimin e nevojshëm dhe pa probleme në vazhdimësi”, përfundon deklarata.


