6 këshilla të zgjuara për zemrën që ndoshta (nuk) i dini

Përgatiti për gazetën “Shëndet+”: Eneida Mjeshtri

Të shumtë janë ata që besojnë që sëmundjet kardiovaskulare kanë një faktor të fortë gjenetik dhe s’mund të bësh asgjë për t’i shpëtuar të paevitueshmes. Ju lutemi, mos bini pre e kësaj mënyre të gabuar të menduari. Një shprehje e vjetër thotë: “Gjenet të drejtojnë armën, por këmbëzën e shkreh stili i jetesës”.

dhembet zemraMegjithëqë ushtrimet fizike dhe një dietë e shëndetshme kryesojnë listën e detyrave që duhen zbatuar për të padur një zemër të shëndetshme, janë edhe 6 qëndrime të tjera që ju duhet t’i përqafoni. Filloni të forconi  muskulin më të rëndësishëm të trupit tuaj: zemrën.

Përmbajuni një programi të qëndrueshëm aktiviteti fizik dhe një diete të shëndetshme. Këshillohuni  paraprakisht me mjekun tuaj të familjes, kardiologun ose një dietist të kualifikuar në programe ushqimore për mbrojtjen e zemrës. Një dietë e shëndetshme për zemrën duhet të përmbajë: fruta, perime, drithëra, bishtajore, proteina me përmbajtje të ulët yndyrore, yndyrna të shëndetshme të pangopura dhe acide yndyrore omega 3.

Humbisni peshë në mënyrë të shëndetshme, që do të thotë në mënyrë të ngadaltë: Mbajtja e një  peshe trupore të shëndetshme redukton rrezikun e atakeve të zemrës. Megjithatë, kalimi nga një dietë tek një tjetër në mënyrë të vazhdueshme, dietat  me shumë pak kalori (hipokalorike), agjërimet dhe dietat për pastrimin e organizmit (detoksifikuese) kanë treguar se e dobësojnë sistemin imunitar dhe dëmtojnë muskujt e zemrës, duke rritur kështu kërcënimin për të zhvilluar sëmundje të zemrës.

Ndërtoni një rreth të fortë miqsh dhe njerëzish të dashur dhe ushqejini këto marrëdhënie. Studimet kanë treguar se njerëzit e vetmuar, me rrethe familjare dhe miqësore të dobëta, janë më të rrezikuar për të pasur dhe vdekur nga sëmundje të zemrës. Nëse vetmia ju lëndon, të vendosni marrëdhënie të mira njerëzore jo vetëm do të rrisë ndjesinë tuaj të lumturisë, por do t’ju bëjë të ndiheni të shëndetshëm, gjithashtu. Konsideroni të filloni të angazhoheni me punë vullnetare. Merrni pjesë në  aktivitete që ju pëlqejnë. Krijoni lidhje dhe ndërveprime me komshinj, kolegë pune, miq të vjetër. Rrjetet sociale si Facebook, Twitter, Instagram do t’ju ndihmojnë për këtë.

Lajini përditë dhëmbët. Sëmundjet e dhëmbëve dhe mishrave të dhëmbëve është provuar se ndikojnë në problemet e zemrës. Pavarësisht ritualeve vetjake të higjienës dentare, është e rëndësishme që të shkoni dy herë në vit tek mjeku stomatolog për të bërë një pastrim profesional të dhëmbëve.

Bëni gjumë të mirë. Studiuesit kanë zbuluar që mungesa kronike e gjumit përkeqëson gjasat e të paturit sëmundje zemre. Synoni për një minimum prej 7 orësh në ditë.

Reduktoni kripën. Lexoni etiketat e ushqimeve dhe zgjidhni ushqime me sasi të ulët kripe. Shmangia e  kripës direkte do të lërë vetëm një gjurmë të vogël në konsumin tuaj të përditshëm të  kripës, pasi pjesa më e madhe e kripës që konsumojmë, vjen nga ushqimet e  përpunuara që kemi blerë. Tejkalimi i pragut të rekomanduar ditor të kripës (2.400 miligram), ngre rrezikun e zhvillimit të presionit të lartë të gjakut, shpesh një shenjë paralajmëruese për sëmundje të zemrës.

Postime të ngjashme

Skema e re e furnizimit me barna dhe fondet publike: Ministria “refuzon” t’i përgjigjet TFL-së për projektligjin
Nga PMOS te disa lloje kancerash: Sëmundjet që u kanosen grave për shkak të obezitetit
Mjekja shpjegon pse vajzat dhe gratë kanë oreks të shtuar para ciklit menstrual
A ndikon obeziteti në fertilitetin e grave?
Betohet ministrja e Shëndetësisë/ Klodiana Spahiu merr zyrtarisht detyrën, zëvendëson Evis Salën
Check up-i në shtet/ Operatori i Sterilizimit shpall tender 20 mln euro për blerje kitesh dhe reagentësh
Cilat shenja tregojnë mungesë pushimi dhe gjumi?
Mazhoranca voton Klodiana Spahiun si ministre të Shëndetësisë