Malarja, Pipero: Në verë Shqipëria do të ketë rastet autoktone

Aishe Thartori

Rastet e fundit të malaries me pasojë vdekjen e një qytetari dhe gjendjen e rënduar shëndetësore të një tjetri sollën  në  qendër të vëmendjes shqetësimin ndaj sëmundjes së malaries. Kjo sëmundje, edhe pse e zhdukur prej vitesh në Shqipëri, është risjellë përmes personave që punojnë në vende që e kanë ende.

Pellumb Pipero (2)Mjeku infeksionist në Shërbimin e Sëmundjeve infektive në QSUT, Pëllumb Pipero, në një intervistë të dhënë për gazetën “Shëndet Plus” theksoi se Shqipëria nuk është një vend malarik dhe se në vendin tonë nuk ka malarie autoktone.

Sipas Piperos, malaria në vetvete është një nga sëmundjet e harruara jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për shumë vende të tjera të Evropës të cilat e kanë çrrënjosur atë rreth 30-40 vjet më parë. Në retrospektivë, sipas tij, Shqipëria e ruan kujtesën e të qenit një vend malarik, ku kjo e fundit është shfarosur falë një fushate të gjerë të trajtimit të kësaj sëmundje me anë të keninës (medikament antimalarik), një fushatë kjo  e shtrirë edhe nëpër shkolla. Që nga ajo kohë e deri më tani se nuk ka pasur asnjë rast me malarie në Shqipëri.

“Rasti i parë me malarie të importuar ka qenë diku nga viti ’96 në mos gaboj dhe pas vitit 2010 pasi tashmë Shqipëria është një vend i hapur dhe shqiptarët mund të udhëtojnë për t’u punësuar jashtë edhe në zona malarike, veçanërisht në Afrikë dhe në Azinë Lindore. Të punuarit në vende të tilla ka bërë të mundur rikthimin e malaries në vendin tonë, por tashmë si një sëmundje riemergjente.

Rastet në Shqipëri nuk janë të pakta, edhe pse numri duket i kufizuar. Deri më tani kemi rreth 30 raste të konfirmuara. Problemi, në fakt, nuk ka të bëjë me numrin e rasteve të konfirmuara, por me malarien. Kjo ndikon në atë që ne quajmë zinxhir epidemiologjik, i cili kërkon tre kushte: burimin e infeksionit, transmetuesin apo vektorin dhe sensibilizimin e popullatës.

Në kushtet kur të tre hallkat e zinxhirit janë të pranishme, mundësia që ne të kemi rastet tona autoktone, është shumë e madhe. Pritshmërinë time për të pasur raste tonat autoktone e favorizon në radhë të parë sjellja e parazitit në organizmin e njeriut, shpeshherë periudha e inkubacionit është e gjatë, çka bën të mundur që në çdo kohë mushkonja mund të pickojë njeriun e sëmurë e më pas një njeri të shëndoshë duke transmetuar plasmodiumin e malaries.

Së dyti. kushtet e favorshme klimaterike për zhvillimin e mushkonjës anofele në Shqipëri. Për fat të keq. kjo mushkonjë gjendet tashmë në Shqipëri që nga zonat bregdetare e deri në zonat malore të Shqipërisë, duhet të konfirmojë që nga studimet e Institutit të Shëndetit Publik rreziku potencial është shumë i madh për ta transmetuar sëmundjen.

Së treti. do të thosha që numri i shtuar i rasteve apo qytetarëve që shkojnë dhe punojnë në Afrikë në zonat malarike apo numri i shtuar i turistëve që shkojnë në zona turistike ekzotike ku malaria nuk është çrrënjosur. Pra, të gjitha këto bëjnë të mundur hamendësimin tim që në verë, kur të fillojë lëvizja e dendur e mushkonjave, duke qenë se burimi i infeksionit është i pranishëm, do të kemi rastet tona, pavarësisht se nuk e dëshiroj absolutisht të ndodhë diçka e tillë.

Kjo gjë nuk është diçka e mirë për vendin tonë, sepse do të ketë ndikimin e saj dhe tek turizmi. Megjithatë, të gjithë faktorët e lartpërmendur nuk na bëjnë pesimist, përkundrazi nuk ka vend për panik apo frikë. Ka vend për kujdes të shtuar të bluzave të bardha, të institucioneve shëndetësore dhe qytetarëve, veçanërisht të atyre që udhëtojnë jashtë shtetit, të cilët përpara se të udhëtojnë, duhet të marrin këshillat e nevojshme, mjekimin e nevojshëm për ta parandaluar infektimin dhe pas kthimit të vijnë për një periudhë 6-mujore për t’u mbikëqyrur nga mjekët specialistë.

Ajo çka duhet të bëjmë tjetër është rritja e kapaciteteve pritëse të shërbimit shëndetësor jo vetëm në QSUT, por edhe në Spitalet Rajonale të vendit, siç është Vlora apo Fieri që kanë raste të shtuara malarie, që malaria të diagnostikohet dhe mjekohet atje në mënyrë që të mos e transportojmë burimin e infeksionit nga Vlora në Tiranë apo edhe më gjerë, pasi në këtë mënyrë do të mundësonim shpërndarjen e infeksionit.

Një përgjegjësi po kaq e madhe i takon përveç sistemit shëndetësor dhe edukimit të qytetarëve edhe organeve të pushtetit lokal të cilët duhet të marrin masa për shfarosjen e popullatave të mushkonjës, veçanërisht në zonat moçalore, kënetore dhe brenda qyteteve ku ka ujëra të zeza në sipërfaqe.

Vendet malarike, trajtimi mjekësor i shqiptarëve joprofesional

Pipero gjithashtu vuri në dukje një tjetër problematikë  lidhur më malarien. Në vendet afrikane ku punojnë qytetarët shqiptarë, sipas tij, nuk janë lejuar ekipet mjekësore të shërbimit infektiv për të shkuar dhe kryer verifikime, kjo në bazë të politikave që këto vende kanë për të mos i lejuar vendet e tjera të kryejnë verifikime.

“Nga informacione jozyrtare që kemi deri më tani, trajtimi mjekësor i rasteve tona, pra i shqiptarëve që punojnë atje, nuk është profesional. Kjo është konstatuar nga dëshmia e qytetarëve që punojnë në Afrikë, Guine. E gjithë kjo situatë lë vend për keqardhje. Por, gjithsesi, falë medias vizive, të shkruar dhe elektronike qytetarët shqiptarë po marrin informacion të mjaftueshëm, të nevojshëm dhe të domosdoshëm për të qenë të informuar dhe për t’u konsultuar qoftë me klinikën tonë dhe qoftë me ISHP për t’u mbajtur në kontroll para dhe pas kthimit nga vendet malarike ku punojnë në mënyrë që numri i rasteve të prekura nga malaria të jetë sa më i vogël.

Postime të ngjashme

Ozempic, bari inovativ antidiabetik me mbrojtje nga risqet kardiovaskulare edhe në Shqipëri
Dërgonin pacientët e Onkologjikut në klinika private, Prokuroria mbyll hetimet dhe dërgon për gjykim zyrtarë dhe mjekë të QSUT (EMRAT)
Pse luleshtrydhet myken kaq shpejt? Gabimi që bëjmë të gjithë
Këto janë efektet anësore të ujit me limon
Mishrat e dhëmbëve: Çfarë tregon ngjyra e tyre për shëndetin tonë
Shifra shqetësuese: Vdekjet nga kanceri i rektumit po trefishohen te të rinjtë
5 superushqime që do t'ju ndihmojnë të flini më mirë dhe më gjatë
Erëzat që zvogëlojnë inflamacionin dhe forcojnë trupin