Drejtoresha e spitalit të Shkodrës: Infarkt se e hoqën nga puna? Infermierja vdiq nga gëzimi!

Denisa Canameti, gazeta “Shëndet+”

Melita Çenga, 49 vjeçe ka humbur jetën para dy ditësh, për shkak të një infarkti. E ndjera ishte infermiere në spitalin e Shkodrës. Familjarët etiketuan si fajtor drejtuesit e spitalit të cilët kanë kërkuar ryshfet në këmbim të mbajtjes së vendit të punës. Bëhej fjalë për një shumë 5 000 euro. Kjo deklaratë ka 2 ditë që qarkullon në media.

spitali, shkodër“Për atë që thuhet aty, ne nuk e kemi dëgjuar ashtu. Dimë që atë e kanë hequr nga puna sepse ka qenë me kontratë pune.  Ajo ka pasur shumë probleme në shtëpinë e saj, me burrë të sëmurë me nënën e saj plakë në shtëpi. Një njeri me halle shumë”, u shprehën burimet për gazetën.

E kontaktuar nga “Shëndet+”, Dhurata Kopliku gjithashtu mohon çdo akuzë për ryshfet. Kopliku konfirmon që e ndjera është hequr nga puna sepse i ka mbaruar kontrata.

“Çenga ka qenë fillimisht me kontratë 3-mujore, në përfundim të saj drejtori i mëparshëm i bëri një kontratë tjetër 6-mujore e cila i ka përfunduar në qershor të këtij viti. Duke ia ditur problemet, në përfundim të kontratës e kemi thirrur disa herë në punë, me nga një muaj, kur kishim mungesë personeli. Pra, nuk është hequr padrejtësisht.

“Ka qenë një grua e vuajtur dhe me shumë probleme familjare. 2 ditë para se të ndodhte ajo që ndodhi, më kërkoi 500 mijë lekë borxh sepse kishte dritat pa paguar. Ndërsa natën që ka ndërruar jetë, ajo ka fejuar djalin, kështu që infarkt i ka rënë nga gëzimi.

“E ndjera ka qenë e sëmurë, obeze, pinte shumë duhan. I kam dhënë disa herë lekë për medikamente se ajo ka qënë shumë afër meje dhe m’i qante hallet”, u shpreh Kopliku për “Shëndet+”.

E pyetur për lajmet që qarkullojnë në media, Kopliku vazhdon “mediat abuzojnë shumë me lajmin. Dëgjojnë vetëm një variant, duhen dëgjuar dhe investiguar të gjitha për të dalë në përfundim”, përmbylli drejtoresha Kopliku. Ndërkohë, edhe burime brenda spitalit të Shkodrës që kanë punuar shumë pranë të ndjerës, mohuan për gazetën “Shëndet+” zërat që qarkullojnë për marrjen e ryshfetit.

Postime të ngjashme

Ngacmoi seksualisht pacienten 21-vjeçare, arrestohet kirurgu
Këto 3 vitamina që ekspertët rekomandojnë të mos i merrni me stomak bosh
Rimbursimi në mars, sëmundjet kardiovaskulare dhe diabeti përhapje në masë
Helmohen 56 studentëve të Akademisë së Sigurisë, reagon AKU
Sa kafe mund të pimë në ditë pa rrezikuar shëndetin? Ja çfarë thonë studimet
Alarm në Zvicër dhe Francë, identifikohen rastet e para me Hantavirus
Alarm në det: Shpërthen hantavirusi në anije turistike, 3 të vdekur
Brokoli apo lulelakra: Cila ka më shumë fibra dhe cila është më e shëndetshme?