Një falënderim për të gjithë lexuesit e “Shëndet+”

Arlinda Gjypi, kryeredaktore e gazetës “Shëndet+” dhe “Shëndeti Online”

Brenda pak orësh një tjetër vit do të trokasë në jetët e të gjithëve. Teksa kthejmë kokën pas mund të jemi nostalgjikë për orët që ikën, me dhimbjet dhe kënaqësitë e tyre.

Për redaksinë e gazetës “Shëndet+” viti 2015 ishte tepër i rëndësishëm. Ishte një vit që e rriti shumë numrin e lexuesve tanë: shqiptarë të trojeve etnike, por edhe shqiptarëve që për kushte të caktuara ekonomike i janë drejtuar shteteve të tjera dhe që tashmë na konsiderojnë të rëndësishëm në rutinën e përditshme dhe të besueshëm për shëndetin e tyre. Ishte një vit që na lidhi edhe më shumë me ta. Kjo për shkak të përkujdesit që tregojmë për të gjithë ata që i drejtohen gazetës sonë në treg, por edhe në faqen tonë të internetit shendeti.com.al.

Kartolina e urimit

Stafi i gazetës “Shëndet+”

Përgjatë vitit 2015 u rrit numri i mjekëve që bashkëpunojnë me ne dhe të cilët, nga ana e tyre, po për shkak të gazetës “Shëndet+”, u prezantuan për të gjithë në një tjetër këndvështrim: në lodhjen dhe përpjekjet për të dhënë më të mirën për pacientët e tyre. Sepse ne si gazetë kemi premtuar të rrisim lidhjen mes mjekëve dhe pacientëve, për ta bërë atë më të fortë, më të qëndrueshme, për të mos e denigruar figurën e mjekut, por për ta sjellë në piedestalin që i takon.

Po këtë vit u rrit shumë numri i mjekëve të gatshëm për t’u dhënë përgjigje lexuesve tanë. Tashmë pyetjet e pacientëve që na shkruajnë, qoftë në adresën tonë info@shendeti.com.al, por edhe në “Facebook” marrin përgjigje më të shpejtë, ndërsa numri i tyre është 10-fishuar.

Mjekët kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë saktësia jonë më e madhe. Janë ata që verifikojnë njëri-tjetrin, që plotësojnë njëri-tjetrin dhe që bashkëpunojnë për të dhënë më të mirën. Ndaj duam t’i falendërojmë të gjithë. Për shkak të numrit të madh të tyre, nuk po përmendim emra, por jemi të sigurtë se emrat i keni fiksuar në leximin e gazetës sonë.

falU bënë tre vjet që jemi me ju, prej të cilëve, prej dy vjetësh jemi të rregullt dy herë në muaj, ditëve të hëna. I gjithë stafi i gazetës “Shëndet+” dhe faqja jonë online shendeti.com.al mundohet që të përcjellë informacion të saktë e të verifikuar për çdo sëmundje, mundohemi t’ju japim të gjitha alternativat më të mira për shëndetin tuaj, duke ju dhënë edhe mundësinë e fjalës më të fundit të shkencës, në mënyrë që të mund të përzgjidhni.

Si e para gazetë shëndetësore në tregun shqiptar, në këtë vit që iku ne kemi parë rritjen e ndërgjegjesimit të shqiptarëve për rëndësinë që ka informacioni për shëndetin. Kemi parë tashmë që të gjithë përpiqen të jenë më të kujdesshëm për veten, duke qenë akoma më përzgjedhës në informacionin të marrin. Tashmë shqiptarët janë më të vetëdijshëm se jo çdo faqe dhe çdo gazetë është e saktë dhe jo çdo lajm është i vërtetë. Pra, janë bërë më të përkujdesur për veten. Dhe kjo është një arritje vërtet e madhe në punën tonë. Si nxitësit kryesorë në këtë drejtim, ne të gazetës “Shëndet+” jemi vërtet krenarë.

Në redaksinë tonë vijnë shpesh ankesa. Për mjekë që kërkojnë para, për mjekë të papërgjegjshëm, për njerëz në shëndetësi që nuk kanë respekt për jetën, për pushtetarë të korruptuar. Ne i marrim të gjitha këto, i hetojmë dhe i përcjellim në strukturat përkatëse. Asnjë fjalë e dërguar në redaksinë e gazetës “Shëndet+” nuk shkon dëm. Për këtë ju japim fjalën tonë!

Por, në këtë fundvit, mbi gjithçka duam të falënderojmë lexuesin tonë. Ju që ditëve të hëna nxitoni në pikat e shitjes së gazetave për të na blerë dhe lexuar, ju të gjithëve që na shkruani rregullisht dhe që na vlerësoni me besimin që na jepni. Ju themi që ndihemi të nderuar. Ky mirëbesim juaji e bën të gjithë stafin tonë të ndihet më krenar, të përpiqet më shumë, jo thjesht për të sjellë informacione, por për të dhënë më të mirën në punën që bëjmë, për të respektuar kështu besimin tuaj.

Ndaj sot, në këtë numër të fundit për vitin 2015, ju falendërojmë për gjithë respektin që marrim prej jush dhe ju themi se keni nderimin tonë më të madh. Për vitin në vijim mund t’ju premtojmë vetëm që, teksa interesi juaj shtohet, edhe stafi ynë rritet, duke zgjeruar edhe më shumë gamën e informacioneve që ju japim, duke qenë më të përgjegjshëm për saktësinë që ju përcjellim, duke ju dashur më shumë. Sepse ekzistojmë falë jush!

Përzemërsisht, Gëzuar Vitin e Ri 2016!

Postime të ngjashme

Ngacmoi seksualisht pacienten 21-vjeçare, arrestohet kirurgu
Këto 3 vitamina që ekspertët rekomandojnë të mos i merrni me stomak bosh
Rimbursimi në mars, sëmundjet kardiovaskulare dhe diabeti përhapje në masë
Helmohen 56 studentëve të Akademisë së Sigurisë, reagon AKU
Sa kafe mund të pimë në ditë pa rrezikuar shëndetin? Ja çfarë thonë studimet
Alarm në Zvicër dhe Francë, identifikohen rastet e para me Hantavirus
Alarm në det: Shpërthen hantavirusi në anije turistike, 3 të vdekur
Brokoli apo lulelakra: Cila ka më shumë fibra dhe cila është më e shëndetshme?