Denisa Canameti, gazeta “Shëndet+”
Një trup që prej disa ditësh qëndron në shtëpi, ndërsa asnjë mjek nuk pranon ta deklarojë të vdekur. Kjo është situata me të cilën përballet familja Kamo, e cila kërkoi ndihmën e mediave duke pretenduar padrejtësi nga bluzat e bardha. Në fakt nuk bëhet fjalë për një situatë të lehtë, por për një përplasje prej tre institucionesh mjekësore dhe një familjeje që mbante një kufomë në shtëpi prej disa ditësh.
Pas hetimit të kryer nga gazeta “Shëndet+” rezulton se shtetasi Spiro Kamo, vëllai i të cilit ka vdekur në shtëpi, ka kërkuar nga mjekja e familjes që t’i japë skedën e vdekjes. Mjekja, duke qenë se nuk ka qenë personi që e ka kuruar, nuk ka pranuar ta bëjë një gjë të tillë, duke ia kaluar përgjegjësinë personave që e kanë kuruar. Ndërkohë, Kamo është paraqitur në spitalin e Traumës, ku i vëllai është kuruar nga një sëmundje e lëkurës dhe i ka kërkuar dermatologes skedën e vdekjes. As kjo e fundit nuk ka pranuar, duke u shprehur se ajo e ka kuruar personin para shumë kohës dhe nuk i takon asaj të japë një skedë vdekjeje. Sipas Kamos, as mjekësia ligjore nuk ka pranuar të japë skedën e vdekjes, duke ia kaluar përgjegjësinë mjekes së familjes. Si rrjedhojë, Kamo i është drejtuar Qendrës Shëndetësore nr.3 ku ndodhet edhe mjekja e familjes së tij dhe duke kërkuar atje skedën e vdekjes. Çështja ka arritur në një përplasje tepër të madhe, saqë drejtuesit e qendrës kanë kërkuar ndërhyrjen e policisë së shtetit. Kjo e fundit, pas ndërhyrjes ka vajtur në shtëpinë e Kamos dhe ka tërhequr kufomën për ta çuar në mjekësinë ligjore. Nga ana e policisë bëhet e ditur se trupi i të ndjerit nuk kishte vetëm dy ditë i vdekur, por ishte mbajtur në shtëpi për disa ditë, çka ka ngritur dyshime të mëtejshme për shkaqet e vdekjes.
Teksa pritet përgjigjja e Mjekësisë Ligjore, gazeta “Shëndet+” kontaktoi me drejtoreshën e Qendrës Shëndetësore nr.3, Bruna Shiroka, e cila u shpreh se institucioni që ajo përfaqëson ka ndërmend të ngrejë padi kundër shtetasit Spiro Kamo, vëlla i të ndjerit, teksa druhet për jetën e mjekëve të saj për shkak të kërcënimeve të marra nga ky pacient, ndërsa u ka kërkuar të shkelin ligjin. Në një intervistë të gjatë për gazetën “Shëndet+”, Shiroka shpjegon:
“Shtetasi në fjalë (Spiro Kamo) i ka kërkuar mjekes së familjes një skedë vdekjeje për vëllanë e tij, i cili kishte vdekur në shtëpi. Një gjë e tillë nuk është pranuar nga mjekja për shkak se nuk kishte një
diagnozë të vërtetuar nga ana mjekësore, ligjore, nga ana e ekzaminimeve apo e dokumentimit apo një mjek që ta kishte parë pacientin dhe të merrte përsipër të përcaktonte një shkak vdekjeje, të cilin e ka element të domosdoshëm skeda e vdekjes.
“Duhet të theksojmë se në skedën e vdekjes mjeku është i përgjegjshëm nga ana profesionale, por edhe ligjore për të përcaktuar një shkak të caktuar sipas klasifikimit të sëmundshmërisë që të vendosë një diagnozë që përkon me shkakun e vdekjes. Duke qenë se personi ishte moshë e re dhe nuk ishte parë nga mjekja e familjes, gjë që u vërtetua nga të dhënat, nuk kishte arsye të mjaftueshme për të plotësuar skedën e vdekjes. Në të tilla raste, kur vdekja ndodh në moshat e reja dhe nuk ka shkak të mjaftueshëm mjekësor, ndërhyn mjekësia ligjore që bën përcaktimin mjeko-ligjor të vdekjes. Ajo përcakton diagnozën dhe plotëson skedën e vdekjes. Pra, ligji është i mirëpërcaktuar, hapësirat janë të ngushta dhe të përcaktuara për çdo person që kërkon shërbim shëndetësor.
“Por, zotëria këmbëngulte t’i shkonim në banesë për të vërtetuar që ka vdekur apo jo, pavarësisht se ishte plotësisht i bindur që trupin e mbanin prej ditësh në banesë. Nuk u pranua t’i shkohej në banesë sepse në momentin që deklarohet një person i vdekur, mjeku i familjes nuk ka tagër të ndërhyjë. Aty ndërhyn mjekësia ligjore në praninë e forcave policore për të përcaktuar çfarë ka ndodhur, si ka ndodhur dhe cili është shkaku. Në momentin që erdhi pacienti, iu dha gjithë informacioni i duhur se ku duhej drejtuar për të marrë shërbimin e ekzaminimit të kufomës dhe për të përcaktuar diagnozën e vdekjes.
“Problem ishte fakti se zotëria nuk e pranonte një gjë të tillë. Duhet pasur parasysh se mjeku mban përgjegjësi penale për diagnozën që vë.
“Në momentin e parë ishte një luftë dhe për fat të mirë e kemi të incizuar të gjithë bisedën gjatë kohës që qëndroi këtu brenda dhe pacienti kërcënonte në vazhdimësi edhe pse ishte në prani të forcave të rendit, edhe pse ishin katër veta nga forcat e rendit nuk arritën ta nxirrnin jashtë, edhe pse dhunonte insitucionin, drejtoreshën, mjeken që i jepte sqarimin.
“Fillimisht ai erdhi. E dinte që mjekja ishte turni i dytë dhe kërkonte me ngulm plotësimin e skedës deri në 13:30, pra pa ardhur mjekja e vet. Kur komunikuam me këtë të fundit ajo deklaroi se ishte pacient i saj, por nuk e kishte parë pasi nuk ishte paraqitur për asnjë problem shëndetësor. Për më tepër, është histori që përsëritet. Edhe kur vdiq babai i këtij zotërisë, është mbajtur kufoma një javë në shtëpi pa treguar.
“Ne si mjekë jemi shumë të brishtë përballë këtyre problemeve, sepse mund të riskohemi fare mirë dhe mund të përfshihemi në penalitete duke u nisur nga një kërcënim. Edhe vetë dyshova te vetja, sesi jam përmbajtur përballë asaj dhune psikologjike të zgjatur prej 5 orësh. “O skedën, o jetën!” Kjo është formula e incizuar dhe kjo bëhej në prani të forcave të rendit që turp t’u vijë për uniformën që mbajnë. “Pasi u ngrit policia në këmbë, pasi u ngritën institucione përtej policusë në këmbë, arritën ta nxirrnin përjashta. Ky është pozicioni i mjekut. Kjo është pambrojtja e mjekut kur ai duhet të respektojë ligjin. Pra, o duhet të mbrojmë detyrën, ose duhet ta shkelim për të qenë mirë me pacientë të tillë. Jam e trembur nga pacient të tillë, jam e trembur për mjeken e familjes. Kjo është situata”.



