Virusi Zika, që në vendet e Amerikës Latine po kthehet ne epidemi, rrezikon edhe Shqipërinë. Sipas ekspertëve të sëmundjeve infektive në Institutin e Shëndetit Publik, mushkonja që transmeton këtë virus gjendet edhe në vendin tonë. Por që virusi të transmetohet tek njeriu, mushkonja duhet të ketë pasur kontakt më parë me një person të infektuar.
Specialistët e sëmundjeve infektive sqarojnë se personat e prekur nga ky virus nuk kanë rrezik për jetën. Sëmundja kurohet për shtatë ditë dhe nuk lë pasoja në shëndet. Ndërsa nënat shtatzëne duhet të kenë më shumë kujdes, pasi ky virus mund të kalojë tek fetusi, duke i shkaktuar atij deformime në kokë. Foshnjat e lindura me këtë defekt kanë kokë më të vogël se normalja dhe truri i tyre nuk zhvillohet normalisht.
Deri tani në Shqipëri nuk ka raste të konstatuar me virusin Zika, megjithatë, specialistët e Institutit të Shëndetit Publik bëjnë apel për kufizim të udhëtimeve në vendet ku është përhapur ky virus.


