Sëmundjet e gojës, vuajnë 90% e shqiptarëve

Aulona Zotaj, specialiste e ISHP-së

Dhëmbët luajnë rol të rëndësishëm tek njeriu. Përveç copëtimit të ushqimit, ato na sigurojnë një buzëqeshje të bukur, ndërsa dëmtimi i tyre sjell probleme të mëdha. Sipas statistikave, rreth 90% e shqiptarëve vuajnë nga sëmundjet e gojës dhe një pjesë e madhe i dedikohet mungesës së kujdesit për shëndetin oral. Më poshtë do të gjeni disa fakte të rëndësishme lidhur me dhëmbët, si dhe kuriozitete të ndryshme që do t’ju bëjnë të jeni më të kujdesshëm ju vetë, por edhe familjarët tuaj në lidhje me dhëmbët.

dhembeA e dini se…

  • Sëmundjet e gojës ndikojnë në cilësinë e jetës së njeriut.
  • Larja e dhëmbëve duhet të fillojë menjëherë pas daljes së dhëmbit të parë të qumështit.
  • Pastat e dhëmbëve kanë në përbërje disa substanca që kanë rolin e tyre specifik.
  • Numri i baktereve në gojë mund të jetë më i madh se popullsia e botës.
  • Era e keqe e gojës mund të jetë shenjë e disa sëmundjeve.
  • Higjiena e gojës është shumë e rëndësishme, sidomos gjatë shtatzënisë.
  • Një person i rritur ka 32 dhëmbë që do të thotë 160 sipërfaqe për t’u pastruar.

Fakte botërore

  • Vetëm 60% e popullsisë botërore kanë akses në kujdesin shëndetësor oral.
  • 60-90% e nxënësve në gjithë botën vuajnë nga kariesi dentar.
  • Incidenca e kancerit oral shkon nga 1 deri në 10 raste për 100.000 njerëz në shumicën e vendeve.
  • Dhembja e dhëmbit është një ndër arsyet kryesore për mungesat në shkollë të nxënësve në shumë vende.
  • Konsumi i lartë i sheqerit është faktori kryesor i cili mund të sjellë prishjen e dhëmbëve dhe diabetin. Rreth 80% e vdekjeve për shkak të diabetit ndodhin në vendet me të ardhura të mesme  dhe të ulëta .
  • Në vendet e zhvilluara bara e sëmundjeve orale është në rënie, ndërsa komplikacionet janë më të zakonshme, sidomos te pjesa më e moshuar e popullsisë.  Faktorët kryesorë të rrezikut, si përdorimi i duhanit, pasiviteti fizik dhe një dietë e varfër në yndyrë, kripë dhe sheqer, ul ndjeshëm rrezikun për t’u prekur nga sëmundje të ndryshme të gojës.
  • Risku për t’u prekur nga kanceri oral është 15 herë më i lartë kur kombinohen bashkë dy faktorët kryesorë të riskut, duhani dhe alkooli.
  • 90 % e popullsisë së botës do të vuajnë të paktën një herë nga një sëmundje në gojë në jetën e tyre, duke filluar nga kariesi, sëmundjet periodontale, që çojnë në prishjen e dhëmbëve dhe kancerit të gojës.

Cila është sëmundja kryesore që prek dhëmbët tanë?

Sëmundja kryesore që prek dhëmbët tanë është kariesi, i cili është një infeksion që shkaktohet nga mikrobet që gjenden në hapësirën e gojës. Kariesi dentar është një sëmundje komplekse që shkaktohet nga bakterie dhe mund të lidhet me faktorë të rëndësishëm si:

− Konsumimi i ushqimeve dhe pijeve.

− Larja e dhëmbëve dhe përdorimi i fillit dentar.

− Vullneti juaj për të mbajtur dhëmbët e shëndetshëm.

Bakteri kryesor përgjegjës për prishjen e dhëmbëve është Streptokoku Mutans.

Faktorët kryesorë që ndikojnë në shumimin e këtij bakteri dhe që përcaktojnë prishjen e dhëmbëve janë:

  1. Dieta juaj.
  2. Sasia e fluorit në sipërfaqet e dhëmbëve.

Cilët janë disa nga faktorët që ndikojnë në prishjen e dhëmbëve?

Sipas stomatologëve disa nga faktorët që ndikojnë në sëmundjet e dhëmbëve janë: mungesa e kujdesit, konsumimi i duhanit dhe ëmbëlsirave, kequshqyerja etj.

Për të pasur dhëmbë sa më të shëndetshëm duhet bërë kujdes edhe me ato ushqime, të cilat përmbajnë një sasi të madhe sheqeri, duke favorizuar në këtë mënyrë prishjen e dhëmbëve. Ëmbëlsirat nuk janë të vetmet ushqime që nxisin formimin e acideve dhe kaviteteve. Shumë ushqime që njerëzit i konsiderojnë të shëndetshme, si: lëngjet e frutave, pijet energjike, frutat e thata dhe patatinat e llojeve të ndryshme, përmbajnë sasi të lartë të sheqernave të cilat nxisin kariesin dentar. Gjithashtu edhe pijet freskuese  mund të dëmtojnë dhëmbët tuaj. Megjithëse pijet dietetike që përmbajnë sheqerna artificiale, ato mund të jenë të dëmshme për dhëmbët. Këto pije përmbajnë acide të cilat ndikojnë në tretjen e smaltit të dhëmbëve, duke nxitur hiper ndjeshmërinë dhe krijimin e kaviteteve.

Çfarë problemesh mund të shkaktojnë dhëmbët e prishur?

Shumë njerëz mendojnë se dhëmbët e prishur janë normalë dhe nuk krijojnë probleme shëndetësore. Ky fakt nuk është i vërtetë. Dhëmbët e pishur mund të shkaktojnë disa probleme si:

  • Erë të keqe.
  • Ngjyrosje të dhëmbëve.
  • Mbindjeshmëri dhe dhembje.
  • Vështirësi në ushqyerje.
  • Infeksione të dhëmbëve.

Sipas stomatologëve disa shenja të dhëmbëve të prishur janë: shije e keqe në gojë, mishra të dhëmbëve të enjtur ose të skuqur, gjakosja nga mishrat e dhëmbëve, dhëmbë që lëvizin, dhembje gjatë përtypjes, gurëza në sipërfaqen e dhëmbëve. Nëse keni ndonjë nga këto shenja, drejtohuni menjëherë te mjeku stomatolog. Federata Shqiptare e Stomatologëve rekomandon shtim të kujdesit ndaj higjienës së gojës, për të evituar prekjen nga këto sëmundje.

Përse është e rëndësishme larja e dhëmbëve?

Gjatë natës sasia e pështymës ulet, duke lënë dhëmbët tuaj më pak të mbrojtur nga acidet bakterore. Për këtë arsye larja e dhëmbëve me furçë dhe përdorimi i  fillit dentar në mbrëmje është shumë e rëndësishme. Larja e dhëmbëve duhet të zgjasë 2−3 minuta, 2 herë në ditë. Përdorni një furçë me qime të buta dhe përdorni të paktën një herë në ditë fillin dentar. Përdorni shpëlarës goje të fluorizuar, përpara periudhës së gjumit. Pas kësaj procedure përdorni shpëlarës goje të fluorizuar (pyeteni dentistin tuaj). Nuk rekomandohet të ushqeheni pas kësaj procedure. Nëse ndiqni këshillat e mësipërme, ju do të zvogëloni në mënyrë të konsiderueshme rrezikun e kaviteteve dentare.

Cila është mënyra më e mirë për mirëmbajtjen e higjienës së gojës?

Mënyra më e mirë për mirëmbajtjen e higjienës së gojës është larja e dhëmbëve  çdo ditë, pas vakteve kryesore të ushqimit ose të paktën 2 herë në ditë, në mëngjes dhe në darkë me furçë dhe pastë dhëmbësh, ndërrimi i shpeshtë i furçës së dhëmbëve, si dhe kontrolli çdo 6 muaj te dentisti. Dentistët rekomandojnë që një furçë dhëmbësh të ndërrohet mesatarisht çdo 3 muaj. Shpëlarja e gojës me ujë pas vakteve ka pak efekt mbi acidet bakterore, megjithëse mund të ndihmojë në eliminimin e mbeturinave ushqimore.

Disa këshilla për një shëndet oral sa më të mirë.

Mbani një dietë të shëndetshme dhe zgjidhni ushqime nga grupet ushqimore si:

  • Bukë, drithëra, fruta, perime, mish, peshk, qumësht, djath, kos.
  • Përdorni ujë pas ushqimit.
  • Mos konsumoni ushqime të thata dhe me shumë sheqer.
  • Lani dy herë në ditë dhëmbët me pastë me përmbajtje fluori.
  • Përdorni floss dentar (fije dentare) për heqjen e mbeturinave ushqimore mes dhëmbëve.
  • Reduktoni shpeshtësinë e marrjes së karbohidrateve (sheqernave) gjatë ditës.
  • Përdorni furçën e dhëmbëve 3 herë në ditë me pastë të fluorizuar.
  • Bëni kontrolle periodike te dentisti.
  • Ndërroni furçën e dhëmbëve çdo 6 muaj.

 

Postime të ngjashme

Këto 3 vitamina që ekspertët rekomandojnë të mos i merrni me stomak bosh
Rimbursimi në mars, sëmundjet kardiovaskulare dhe diabeti përhapje në masë
Helmohen 56 studentëve të Akademisë së Sigurisë, reagon AKU
Sa kafe mund të pimë në ditë pa rrezikuar shëndetin? Ja çfarë thonë studimet
Alarm në Zvicër dhe Francë, identifikohen rastet e para me Hantavirus
Alarm në det: Shpërthen hantavirusi në anije turistike, 3 të vdekur
Brokoli apo lulelakra: Cila ka më shumë fibra dhe cila është më e shëndetshme?
3 rregulla të thjeshta për të humbur peshë shpejt