Sot, më 8 Mars, Ditën Ndërkombëtare të Gruas, në ambjentet e Liceut Artistik të Tiranës, Shoqata “Together for Life” organizoi çeljen e konkursit të arteve pamore: “Gruaja përmes artit”. Ky konkurs zhvillohet si pjesë e aktiviteteve të projektit: “Ai dhe Ajo krijojnë jetën. Bëje botën portokalli”, e mbëshetur nga UNDP, UN Women dhe fonde të Qeverisë Suedeze në kuadër të Fushatës Ndërkombëtare të Kombeve të Bashkuara kundër Dhunës me Bazë Gjinore.
Në çeljen e konkursit, i cili do të zgjasë dy muaj, morën pjesë nxënës të gjithë gjinive të arteve pamore që lëvrohen në Liceun Artistik, si dhe një përfaqësi e konsiderueshme e stafit mësimor të kësaj shkolle.
Qëllimi i këtij aktiviteti është përfshirja e artistëve të rinj në përpjekjet për zvogëlimin e diskriminimit gjinor si dhe promovimin e barazisë gjinore dhe forcimit të rolit e pozitave të gruas në shoqëri. Ky aktivitet synon të krijojë lidhje të rëndësishme midis artit dhe aktivizmit shoqëror. 
Nxënësit u instruktuan në lidhje me zbërthimin artistikisht të tematikës së përzgjedhur në mënyrë që të përkojë dhe t’u bëjë jehonë vizionit dhe misionit të fushatës ndërkombëtare kundër dhunës me bazë gjinore.
Në përfundim të konkursit, ditët e para të muajit maj, në një event përmbyllës tre punimet më të mira do të kurorëzohen me çmime të veçanta nga një juri e përbërë nga specialistë të fushës dhe përfaqësues nga UNDP, Shqipëri.






