Skema e re e furnizimit me barna dhe fondet publike: Ministria “refuzon” t’i përgjigjet TFL-së për projektligjin

Ndërsa në media raportohet se një projektligj i ri për krijimin e një shoqërie shtetërore për administrimin e barnave dhe pajisjeve mjekësore është pranë miratimit, Ministria e Shëndetësisë nuk i është përgjigjur kërkesës për informacion të Together for Life. Për një reformë që prek fondet publike, prokurimet dhe tregun farmaceutik, mungesa e transparencës ngre pikëpyetje serioze.

Muajt e fundit, nisma për krijimin e një shoqërie shtetërore që do të administrojë furnizimin e institucioneve publike shëndetësore me barna dhe pajisje mjekësore ka qenë në qendër të raportimeve mediatike dhe të debatit publik e politik. Megjithatë, pavarësisht rëndësisë së saj, përmbajtja e projektligjit, argumentet mbi të cilat mbështetet kjo nismë, kostot e parashikuara dhe pasojat e mundshme për konkurrencën dhe menaxhimin e fondeve publike nuk janë bërë ende publike zyrtarisht.

Për të hedhur dritë mbi këtë nismë, Together for Life iu drejtua më 5 gusht 2026 Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, duke kërkuar dokumentet kryesore dhe analizat mbi të cilat është mbështetur hartimi i projektligjit. Por, deri më tani, TFL nuk ka marrë asnjë përgjigje nga Ministria.

Kjo mungesë transparence bëhet shqetësuese në një kohë kur dorëheqja e ministres Evis Sala, në ditët e para të shtatorit, u lidhur gjerësisht në raportimet mediatike me refuzimin e saj për të firmosur draftligjin. Ndërkohë, në media sot janë raportuar zhvillime të reja dhe sinjale se nisma mund të jetë pranë miratimit nga ministrja e sapoemëruar, deputetja Klodiana Spahiu[1].

Në këtë situatë, bërja publike e dokumentave dhe informacionit të kërkuar nga TFL më shumë se një muaj më parë do t’i mundësonin publikut dhe aktorëve të interesuar të kuptonin arsyet, qëllimin dhe pasojat e mundshme të kësaj nisme. Por, i gjithë procesi deri tani është veshur me hijen e diçkaje të fshehtë dhe sekrete.

Kjo situatë ngre një shqetësim të drejtpërdrejtë mbi arsyet e mungesës së transparencës për një nismë të tillë me ndikim të drejtëpërdrejtë në jetën dhe shëndetin e pacientëve si dhe në e financat publike. Si mund të shqyrtohet dhe vlerësohet një reformë me ndikim potencial në prokurimet publike, tregun farmaceutik dhe përdorimin e fondeve publike, kur dokumentet dhe analizat mbi të cilat ajo mbështetet nuk bëhen publike?

Kërkesa e TFL për transparencë të procesit

Në kërkesën e saj për informacion, TFL nuk ka kërkuar një qëndrim politik të Ministrisë mbi nismën, por dokumentet dhe të dhënat që do të mundësonin të kuptohej mbi çfarë baze është hartuar projekt-ligji. Në kërkesën drejtuar Ministrisë, organizata ka kërkuar, ndër të tjera, draftin e projektligjit, relacionin shoqërues, raportin e vlerësimit të ndikimit, relacionin financiar dhe analizën e kostove e përfitimeve, si edhe studimin e fizibilitetit dhe dokumentet teknike që kanë mbështetur nismën.

Kërkesa nuk ndalet te dokumentacioni formal. TFL kërkon të dijë si është hartuar projektligji, cilat institucione apo organizata janë përfshirë në proces, nëse është zhvilluar konsultim publik dhe si do të garantohet mbikëqyrja administrative, financiare dhe operacionale e shoqërisë së propozuar.

TFL ngre shqetësimin mbi ndikimin që kjo nismë mund të ketë në konkurrencën në tregun e barnave dhe pajisjeve mjekësore, aksesin e operatorëve ekonomikë në procedurat e prokurimit, kostot për buxhetin e shtetit dhe efikasitetin e sistemit të furnizimit.

Pa informacion të plotë zyrtar, debati do të zhvillohet mbështetur kryesisht në deklarata publike dhe raportime mediatike, ndërsa publiku dhe grupet e interesit do të vazhdojnë të hamendësojnë mbi përmbajtjen, qëllimin dhe pasojat e mundshme të kësaj nisme.

Nëse modeli i ri synon të ulë kostot, të rrisë efikasitetin dhe të përmirësojë furnizimin e sistemit shëndetësor, këto përfitime duhet të mbështeten me analiza të bëra publike. Po kështu, çdo rrezik për konkurrencën, menaxhimin e fondeve publike apo funksionimin e tregut duhet të jetë pjesë e debatit përpara miratimit të reformës dhe jo pasi ajo të ketë hyrë në fuqi.

Në fund të fundit, pyetja që mbetet është e thjeshtë: mbi çfarë dokumentesh dhe analizash po merret një vendim që mund të ndryshojë mënyrën e furnizimit të sistemit publik shëndetësor?

Pikërisht, për këtë arsye, përgjigjja e Ministrisë ndaj kërkesës së TFL-së nuk është thjesht një çështje administrative. Është një test i transparencës së një reforme që prek drejtpërdrejt paratë publike, prokurimet dhe funksionimin e tregut të barnave dhe pajisjeve mjekësore.

[1] https://kapitali.al/lajme-nga-vendi/ekskluzive-klodiana-spahiu-konfirmon-se-do-te-firmose-ligjin-qe–i36873?fbclid=IëY2xjaëUQ2LJëZG9mBËV4dG4DYËVtAjExAGJyaËQRMXB6S2VHU1BQaG1ëbVV4YmRzcnRjBmFëcF9pZBAyMjIëMzkxNzg4MjAëODkyAAEev3ËiBZ8MeHDec4czlBlkzUGxmP966blfLeqsJËdUehMOStTxFYoi2eQUëSY_aem_pfhlnuGslgbNgkJ_i8ËOXQ

Postime të ngjashme

Nga PMOS te disa lloje kancerash: Sëmundjet që u kanosen grave për shkak të obezitetit
Mjekja shpjegon pse vajzat dhe gratë kanë oreks të shtuar para ciklit menstrual
A ndikon obeziteti në fertilitetin e grave?
Prediabeti
Çfarë duhet të bëjë një pacient nëse diagnostikohet me prediabet
Betohet ministrja e Shëndetësisë/ Klodiana Spahiu merr zyrtarisht detyrën, zëvendëson Evis Salën
Check up-i në shtet/ Operatori i Sterilizimit shpall tender 20 mln euro për blerje kitesh dhe reagentësh
Cilat shenja tregojnë mungesë pushimi dhe gjumi?
Mazhoranca voton Klodiana Spahiun si ministre të Shëndetësisë