Dhuna ndaj grave në Shqipëri, problemet që lidhen me të

IPPF Qendra per popullsine dhe zhvillimin

 

Burime të ndryshme dhe situata në vend tregon rritje të ndjeshme të numrit të grave të  dhunuara. INSTAT realizoi në 2013 vrojtimin e dytë kombëtar për dhunën në familje në Shqipëri. Të dhënat treguan rritje të përqindjes së grave të dhunuara nga 56.0% (2007), në 59.4% (2013). Rezultoi se 53.7% e grave po përjetonin “aktualisht” dhunë në familje.  Krahasuar me vitin 2014, rastet e raportimit të dhunës në familje janë shtuar me 30 %; dhe shtim në 12% të rasteve të dhunës në familje që përfundojnë me vrasje. Për sa kohë dhuna seksuale do të vijojë të mbetet tabu, statistikat e denoncimit të saj nuk do të kenë (pësojnë) ndryshime, pra duhet thelluar më tej analiza e fenomenit, e shkaqeve, e pasojave, si dhe e efektivitetit të zbatimit të masave të planifikuara.

Qendra shqiptare (2)

Sipas studimit të INSTAT të vitit 2013, gratë e dhunuara shpesh ngurrojnë të kërkojnë ndihmë: 8.4% e grave që kishin përjetuar dhunë në familje “gjatë jetës”, dhe 7.1% e atyre që po përjetonin “aktualisht” dhunë në familje nuk kishin kërkuar ndonjëherë ndihmë për dhunën në martesë/marrëdhënien e tyre intime.

Shumica e grave të dhunuara në Shqipëri vazhdojnë të vuajnë në heshtje me gjithë përpjekjet e vazhdueshme për të rritur ndërgjegjësimin publik për problemet e dhunës në familje dhe shërbimet legjislative dhe sociale të krijuara rishtas për viktimat e dhunës në familje. Kështu, gratë e dhunuara nuk po marrin mbrojtjen, shërbimet e mbështetjes dhe qasjen në drejtësi, që është e drejta e tyre ligjore dhe njerëzore. Shumica e grave të dhunuara “gjatë jetës” dhe “aktualisht” që kanë kërkuar ndihmë, e kanë kërkuar këtë nga familja e tyre (përkatësisht 91.8% dhe 89.5%) dhe/ose nga familja e bashkëshortit/partnerit (përkatësisht 60.9% dhe 58.7%). Një pjesë e mirë e grave të dhunuara “gjatë jetës” dhe “aktualisht” gjithashtu kanë kërkuar ndihmë nga shoqëria (përkatësisht 29.0% dhe 27.5%).

Vetëm një përqindje e vogël e grave të dhunuara “gjatë jetës” dhe “aktualisht” kanë kërkuar ndihmë nga një mjek/punonjës i shëndetësisë (përkatësisht 14.8% dhe 15.6%), policia (përkatësisht 16.8% dhe 14.1%), avokat (përkatësisht 14.8% dhe 7.8%), apo gjykatës (përkatësisht 11.2% dhe 6.2%).

Qendra shqiptare (1)

Punonjësit e shëndetësisë janë në një pozicion strategjik për të identifikuar individët e rrezikuar ndaj dhunës. Ata janë nga të vetmit profesionistë në shërbimet publike që kanë mundësinë të takojnë një pjesë të mirë të popullatës, dhe të evidentojnë apo këshillojnë lidhur me DHBGJ. Megjithatë, nëse punonjësit nuk janë të përgatitur për ta bërë këtë, mund t’i vendosin individët në më tepër rrezik. Është shumë i rëndësishëm trajnimi i punonjësve të shëndetësisë me njohuri dhe shprehi që i ndihmojnë ata të adresojnë nevojat e personave të dhunuar.

Shumica e punonjësve të shëndetësisë shprehin interes për të mësuar dhe përmirësuar shërbimin lidhur me DHBGJ. Disa trajnime që janë zhvilluar mbi këtë tematikë kanë qenë hapi i parë i institucionalizuar (në shumicën e rasteve edhe i vetmi) që është ndërmarrë në këtë fushë.

Trajnimet që punonjësit e shëndetësisë kanë marr deri tani kanë shërbyer më së shumti në përmirësimin ndjeshëm të njohurive dhe ndërgjegjësimin lidhur me fenomenin dhe shërbimet. Megjithatë, për shkak të mungesës së ndërhyrjeve në vazhdimësi dhe ato të sektorëve paralele, ndryshimi në praktikë pas këtyre trajnimeve ka vend për përmirësim.

Punonjësit e shëndetësisë të trajnuar kanë evidentuar pasigurinë dhe mungesën e motivimit tek punonjësit, të shprehur në formën e ankthit/shqetësimit dhe mosbesimit për të ofruar këtë shërbim, të justifikuar nga mungesa e orientimeve të sakta lidhur me shërbimin, por edhe nga mungesa e sistemeve të referimit për t’iu përgjigjur rastit të dhunës.

Shumë të rëndësishme janë zhvillimi i ndërhyrjeve në vazhdimësi të fokusuara tek punonjësit e shëndetësisë, në përmirësimin e njohurive, qëndrimeve dhe aftësive të tyre, për t’iu ardhur në ndihmë individëve, viktima të dhunës, dhe të gjithë komunitetit ku ata shërbejnë. Ndryshimi është i nevojshëm përtej shërbimit të DHBGJ, dhe është më së shumti i lidhur me ofrimin e shërbimit në kuadër të konceptit gjithëpërfshirës të shëndetit (OBSH: mirëqenia e plotë fizike, mendore dhe sociale, dhe jo vetëm mungesa e sëmundjes).

Edhe shërbimi i DHBGJ ofrohet në mënyrë të fragmentuar (vetëm në rastet e deklarimit të nevojës për këtë shërbim). Ai nuk është i orientuar ndaj të gjitha kategorive të grupeve më të cënueshme si fëmijët, të rinjtë, gratë shtatzënë, LGBT, të trafikuarat/it, punëtoret e seksit, përdoruesit e drogës, etj.

Shërbimi aktual i DHBGJ nuk është i përfshirë në praktikën e përditshme të shërbimit në parësor. Tiparet e këtij shërbimi nuk reflektojnë qëllimet e strategjisë së shëndetit riprodhues apo të protokollit të hartuar mbi rastet e DHBGJ. Komponentët e shërbimit të DHBGJ si promovimi, parandalimi, identifikimi i rasteve dhe lehtësimi i tyre janë përgjithësisht të papërkthyera në paketën bazë të shërbimeve të QSH, në dokumente të tjera strategjike, apo udhëzues, e për më tepër nuk janë specifikuar në bazë të kompetencave/roleve/përgjegjësive të punonjësve të shëndetësisë në QSH. Shërbimi nuk është mbështetur përmes motivimit, mbështetjes së vazhdueshme teknike, materialeve, monitorimit dhe vlerësimit.

Barrierat në ofrimin holistik të shërbimit shëndetësor e përtej tij, kanë pasoja mbi viktimat e dhunës dhe komunitetit në përgjithësi. Ndryshimi i njohurive, qëndrimeve dhe sjelljeve në komunitet lidhur me dhunën nuk mund të ndodhë menjëherë. Duhet të zhvillohen aktivitete të shtrira në kohë dhe që përfshijnë të gjithë aktorët e mundshëm (tradicionalë dhe jotradicionalë).

Postime të ngjashme

Ozempic, bari inovativ antidiabetik me mbrojtje nga risqet kardiovaskulare edhe në Shqipëri
Dërgonin pacientët e Onkologjikut në klinika private, Prokuroria mbyll hetimet dhe dërgon për gjykim zyrtarë dhe mjekë të QSUT (EMRAT)
Pse luleshtrydhet myken kaq shpejt? Gabimi që bëjmë të gjithë
Këto janë efektet anësore të ujit me limon
Mishrat e dhëmbëve: Çfarë tregon ngjyra e tyre për shëndetin tonë
Shifra shqetësuese: Vdekjet nga kanceri i rektumit po trefishohen te të rinjtë
5 superushqime që do t'ju ndihmojnë të flini më mirë dhe më gjatë
Erëzat që zvogëlojnë inflamacionin dhe forcojnë trupin