Denisa Canameti, gazeta “Shëndet+”
Doktor Edmond Nuellari është shefi i shërbimit të Kirurgjisë Kardiovaskulare në QSUT. Kur e pyesim për bashkëshorten e vet, nuk ngurron të thotë: “Ka 24 vjet që kam në krah një grua e cila kupton çdo shqetësim timin, që kupton orët e vona në punë, që kupton kënaqësitë e pakënaqësitë e mia. Ajo është zgjedhja ime më e mirë. Është arsyeja pse jam krenar për veten, pasi ëshë ajo që më jep çdo ditë arsye që të krenohem për zgjedhjen time”. I pyetur nga gazeta “Shëndet+” nëse martesa me një mjeke kushtëzohet nga profesioni, ai thotë:
“Sigurisht që ndikon edhe vendi i punës. Të qëndruarit shumë gjatë me persona të të njëjtit profil, për shkak të orareve të zgjatura si kur je në shkollë, ashtu edhe në punë, të orientojnë drejt një zgjedhje të tillë”. Megjithatë, për Edmond Nuellarin, Suzana Zhuka është një zgjedhje “përtej kësaj”.
“Ajo është shumë natyrë e qeshur, krejt e kundërta ime. Ndoshta kjo justifikohet me faktin se kemi grupe të ndryshme gjaku (qesh)”.
Nga ana tjetër, takimi i gazetës “Shëndet+” me Suzanën, mjeke okuliste në Poliklinikën e Specialiteteve nr.3, Tiranë, të bën të kuptosh direkt se ç’nënkupton “e kundërta”. Një njeri pozitiv, që ta përcjell direkt sapo e takon. Është ajo që na tregon historinë e lidhjes me doktor Edmondin, emocionet dhe jetën e tyre familjare.
Doktoreshë, si jeni njohur me doktor Edmondin?
Ne ishim studentë në Fakultetin e Mjekësisë. Ishim në një vit, në një paralel dhe jo në një grup të vogël. Në vitin e parë, unë s’e kam njohur shumë, ai mua po. Nuk e kisha vënë re fare që kishim në kurs një djalë me sy bojqielli (qesh). Në fakt, ishte Mondi që më vuri re mua. Ia kam bërë pyetjen se çfarë kishte parë tek unë. M’u përgjigj se në gjithë atë turmë studentesh, sytë i kishin hasur një vajzë të ndrojtur, me flokë të zeza, me një bluzë të kuqe dhe me një fund me lule. Është fantastike fakti që ai mban mend çdo gjë.
Për hir të së vërtetës, vitin e parë nuk e kam parë fare, pasi ishim të fokusuar te këshillat që na kishin dhënë prindërit, që duhet të studiojmë shumë, të ishim të përqendruar te shkolla. Fakulteti i Mjekësisë ka qenë dhe vazhdon të jetë shumë i vështirë. Nuk është se kisha kohë për veten. Ishim dhe një brez shumë i ndrydhur dhe i ndrojtur, me idenë që nuk duhet të turpëronim familjen.
Madje, isha shumë e lumtur se nuk e kisha turpëruar familjen, nuk kisha lënë asnjë lëndë për vjeshtë, që ishte gjë e madhe atëherë.
Në fund të vitit të parë ishte një metodë shumë e mirë, që pasi mbaroje provimin muajin e fundit, kishim aksion. Na çuan në Nartë të Vlorës. Punonim në hekurudhë. Në darkë na organizonin mbrëmje vallëzimi. Mondi asnjëherë nuk më ftonte për të vallëzuar, se ishte shumë i ndrojtur. Më ftonte shoku i tij dhe më thoshte: “Vallëzimin tjetër, a do të kërcesh me shokun tim, se ai e ka si siklet të të thotë vetë”.
Dhe mbaroi kështu viti i parë. Vitin e dytë shikoja se kisha një djalë që më ndiqte gjithmonë, por s’më ndalte dot. Nga fundi i vitit të dytë e mori guximin dhe më tregoi interesin për t’u njohur. Unë me atë pjekurinë, jo po shkolla, familja, dhe ne i vumë qëllim vetes që do të studionim, do të mbaronte shkolla dhe më pas do të vinim në dijeni prindërit.
Megjithatë, fillova të ndiej shumë për të aq sa gjithë librat e mia shkarraviteshin me zemra, me emra (qesh). Dashuria është një ndjenjë shumë e bukur dhe është direkt me rrahje zemre shumë të forta. Në gjithë atë mori studentësh, kur futesha në auditor unë e dija se ku ishte ulur Mondi, dhe ai e dinte se ku isha unë. Nuk uleshim asnjëherë bashkë.
Mbaruam fakultetin, vura në dijeni babanë tim dhe pastaj filluan takimet midis familjeve. Pasi mbaruam fakultetin, u fejuam. Martesa jonë u krye mbas 2 vitesh fejesë, që në vitin 1990 dhe deri sot. Në 2015-n kishim 25-vjetorin që quhet edhe përvjetori i artë. E festuam në Barcelonë.
Si kanë kaluar gjithë këto vite? Sa ju ka ndihmuar të qenët në të njëjtën fushë dhe sa ju ka penguar?
Ka shumë sfida, sepse ta kesh bashkëshortin kirurg në Qendrën Spitalore Universitare do të thotë që nuk ka shumë kohë për familjen tënde. Dhe orar pa orar duhet të jetë në spital. Ka të mirën, se duke qenë mjeke vetë, nuk kemi pasur konflikt në këtë pikë. Unë e dija që ai e adhuronte kirurgjinë dhe do ta bënte atë punë me çdo kusht. Nuk kam patur kompleksitetin pse shkon në 12 apo në 13. Binte telefonin në 2 apo 3 të natës. Ok, bëj më të mirën, shiko ç’mund të bësh për atë pacient. Nuk jam treguar asnjëherë egoiste. Unë jam marrë me edukimin e djalit, me pjesën e menaxhimit të familjes, pasi fatmirësisht puna në ambulator ka orare të caktuara.
Të qenët në një profesion ka anën e mirëkuptimit. Kam parë çifte që janë njëri mjek dhe tjetri jo, dhe nuk kuptohen shumë mirë. Këtë e kam kuptuar në këto 20 vjet me Mondin.
Një mjek është shumë i ngarkuar psikologjikisht dhe në momentin që vjen në shtëpi, ai e ka atë ngarkesë dhe një grua që nuk është mjeke nuk e kupton kurrë. Jo se nuk do, por është jashtë botës së saj.
Të mirat e tjera janë se ne kemi edhe shumë konferenca apo seminare që kryhen jashtë vendit. Gjithmonë kemi shkuar bashkë, në të gjitha aktivitetet, si në të miat dhe të tijat. Kjo mbase ka bërë që të rifreskohet herë pas here edhe lidhja. Se çdo lidhje e gjatë krijon një monotoni. Por duke bërë këto shkëputje, ka bërë që lidhja jonë të rigjallërohet. Duhet të pranojmë që çdo lidhje ka ulje-ngritjet e veta. Unë mendoj se çelësi i një lidhje është të mos jesh shumë egoist/e.


