Turp! MSH dhe Fondi, partnerë në krimin kundër fëmijëve

Denisa Canameti / Shëndet+

“Qindra fëmijë rrezikojnë të mbeten shurdhë”. Ishte ky kryetitulli i një prej investigimeve të bëra nga gazeta “Shëndet +”, i cili u publikua vetëm para pak ditësh. Ky investigim lidhej me mundësinë e mohuar për implant koklear të fëmijëve që lindin me probleme në dëgjim.financim QSUT

Pavarësisht se kjo ndërhyrje është në listën e shërbimeve të rimbursueshme 100% nga shteti, nuk ka filluar të aplikohet ende. Prindërit e këtyre fëmijëve gënjehen hapur, duke u shënuar emrat në një listë e cila nuk ekziston(fakt i pranuar nga shefi i shërbimit të ORl-së, në QSUT).

Në përpjekje për të hedhur dritë mbi të vërtetën e kësaj pakete inekzistente, redaksia e “Shëndet+” ka hasur në një arrogancë të jashtëzakonshme të institucioneve përgjegjëse. Këto të fundit ia kanë pasuar fajin njëra-tjetrës, duke e lënë çështjen në hije.

Fondi i Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor, si institucioni përgjegjës për financimin e procedurës kirurgjikale, ia ka kaluar përgjegjësinë Ministrisë së Shëndetësisë.

Në përgjigjen e tyre ata janë shprehur se Fondi financon procedurën kirurgjikale të vendosjes së implantit koklear, ndërsa aparatura e implantit, sipas standardeve të Bashkimit Evropian, sigurohet në çdo rast nga Ministria e Shëndetësisë.

E njëjta përgjigje absurde, e cila nuk lidhet me marrjen përsipër të përgjegjësisë, por me leximin e dokumenteve që janë të hapura edhe në internet, është dhënë edhe nga Ministria e Shëndetësisë.

“Autoriteti kontraktor dhe përgjegjës për monitorimin e zbatimit të paketave të shërbimeve(ndër to edhe implanti koklear) është FSDKSH, ndaj kërkesën për informacion duhet ta drejtoni te ky institucion” është përgjigjur Ministria.

Përballë një situate të tillë, ku askush nuk mban përgjegjësi për asgjë, pyetjet janë:  Ku fillon dhe ku mbaron përgjegjësia e secilit prej institucioneve?

Kush mban përgjegjësi për mbarëvajtjen e kësaj pakete, në një kohë që QSUT-ja nuk po bën asnjë përpjekje për ta vënë në funksion atë,e si duket nuk ka as interes për ta bërë një gjë të tillë?

Shëndetësia në shumë aspekte të saj po mbahet peng i interesave të ngushta, të njerëzve me vizion të ngushtë. Në rastin konkret, peng po mbahen qindra fëmijë të cilët kanë nevojë dhe të drejtën për të jetuar normalisht, dhe jo me probleme që kufizojnë jetën e tyre.

Gazeta “Shëndet+” do të vazhdojë ta ndjekë edhe më tej çështjen, për t’i dhënë zë një skandali, që siç duket, qëllimshëm, po lihet në heshtje./ https://shendeti.com.al/

Postime të ngjashme

Shqipëria vijon të shuhet, lindjet ranë me 10.5% në T3, shtesë pozitive vetëm Tirana e Durrësi
Shtatë fëmijë të Kopshtit nr. 10 në Vlorë përfundojnë në spital, dyshohet për helmim nga ushqimi
Produktet e pasigurta në treg, alarmi vjen nga Belgjika; kontrollet në Shqipëri ranë me 33% në 2025
Trajtimi me medikamentet GLP-1 RA, mjekja zbulon gabimet më të zakonshme që bëjnë pacientët
Buxheti 2027/ Spahiu: 117.8 miliardë lekë për shëndetësinë dhe mirëqenien sociale
Pagesat nga xhepi për shëndetësinë, Raporti i KE: Qytetarët paguajnë tri herë më shumë se mesatarja e BE-së
Mjekja zbulon dietat që janë efektive për rënien nga pesha
Përtej vitaminës D: Si ndikon drita e diellit në metabolizëm dhe sheqerin në gjak