Edlira Sulejmani
Lindjet e parakohshmë vazhdojnë të jenë në shifra të larta në vend. Vetëm në maternitetin “Koço Gliozheni” në Tiranë, nga 4600 lindje gjatë vitit të kaluar 9,3 për qind e tyre kanë qenë para kohe. Kjo për drejtuesen e këtij institucioni, Rubena Moisiu, është një shifër shqetësuese, ndërkohë që lindjet e parakohëshme, thotë ajo sjellin edhe shpenzime të mëdha finaciare për maternitetin.
“Bebet që lindin para kohe kanë shumë probleme, pavarësisht se ato mbijetojnë”, thekson mjekja Moisiu.
Drejtuesja e maternitetit “Koço Gliozheni” ndalet dhe në problemet që ka institucioni i saj, në lidhje me mangësinë që ka ky institucion shëndetësor me stafin. Ndërsa përsa i përket buxhetit ajo thotë se ai asnjëherë nuk plotëson të gjitha nevojat.
Ndërkohë, një lajm i mirë që vjen nga ky maternitet është se vdekshmëria foshnjore është ulur ndjeshëm, 5 për mijë, thotë mjekja, ndërkohë që vdekshmëria amëtare gjatë vitit të kaluar ishte zero.



