Egla Bardhi / Shëndet+
Ish kreu i opozitës, Edi Rama, sot kryeministër i Shqipërisë, në fushatën elektorale të datës 06/02/2013 hodhi poshtë gjithë sistemin e sigurimeve të kujdesit shëndetësor. Madje premtoi se do ta zhbëjë këtë sistem të dështuar dhe do të shkojë drejt sistemit të mbulimit universal.
Në fakt, edhe pse kanë kaluar plot 3 vjet nga koha kur Z.Rama dhe platforma e tij erdhi në pushtet, shohim se sistemi i sigurimeve të kujdesit shëndetësor jo vetëm nuk është zhbërë siç premtoi Rama, por kryeministri merr lekët e taksave tona në këtë thes dhe i përdor për qëllime të tjera.
Ja çfarë deklaroi në vitin 2013. “Ne kemi vendosur që t’i japim fund këtij sistemi, që është provuar dhe stërprovuar si sistem i dështuar. Sistemi i ngritur mbi sigurimet shëndetësore, i vitit 1995, dhe të ndërtojmë një sistem të ri, ku të jetë shteti, që ta blejë shërbimin dhe pastaj, përmes një institucioni të ri, që ne do të themelojmë dhe që quhet Shërbimi Kombëtar Shëndetësor, ta ofrojë atë për të gjithë qytetarët në nevojë për kujdes shëndetësor. Nuk do të kërkojmë më që, ose sigurohu, ose lutu që të mos sëmuresh, se po nuk pate lek mund të vdesësh. Por, do të ofrojmë shërbim shëndetësor për të gjithë”, tha Rama. (Linkun e deklaratës mund ta lexoni këtu)
Ndërkohë, vështirësia ekonomike me të cilën po përballet vendi sot ka detyruar qeverinë që të marrë edhe paratë e sigurimeve shëndetësore, të cilat janë pjesë e fondit për kujdesin shëndetësor të qytetarëve.
Sipas statutit të Fondit, këto para mund të përdoren për disbalancimin e mundshëm të buxhetit gjatë vitit dhe për përballimin e fatkeqësive natyrore. Në të dyja këto raste, përdoret për interesin e qytetarëve.
Por Qeveria ka marrë disa ditë më parë një vendim të çuditshëm: të përdorë paratë e Fondit për të rregulluar buxhetin e vet.
Nëpërmjet një vendimi të datës 20 Prill 2016; Këshilli i Ministrave ka ndryshuar statutin e këtij Fondi, duke shtuar një nen ku i jepet e drejta Drejtorit të Përgjithshëm, (me miratimin e Këshillit Administrativ), të investojë këto para në letra me vlerë të qeverisë, deri në lekun e fundit.
Me fjalë të tjera, këto fonde rezervë nuk do të përdoren më për interesin publik, por duket se do shërbejnë si fonde të cilat qeveria do i kapë si borxh nëpërmjet skemës së letrave me vlerë./ https://shendeti.com.al/


