Media e lirë dhe shoqëria civile ndihen të kërcënuara nga subjektet private të cilat kanë marrë fonde publike për administrimin e disa shërbimeve shëndetësore. Pas publikimit në faqen online të gazetës “Shëndet+” të ankesave të pacientëve që marrin shërbimin e dializës në Spitalin Amerikan, redaksia e gazetës “Shëndet+” dhe shoqata “Together for Life” janë kërcënuar me fillim të një procesi gjyqësor. (Lexoni shkrimin e publikuar SKANDALI: Miliona euro për dializën, pacientët me bukë e patate dhe çarçafët me vete)
Spitali Amerikan ka kërkuar në mënyrë zyrtare nga redaksia e gazetës “Shëndet+” që të censurojë artikullin ekzistues dhe të përgënjeshtrojë shkrimin, duke pretenduar se ky spital nuk ka detyrim t’u sigurojë ushqim dhe as shërbimin e lavanderisë pacientëve që marrin shërbimin e dializës.
Gazeta “Shëndet+” dhe shoqata “Together For Life” theksojnë se nuk pranojnë asnjë censurë dhe se zëri i pacientëve do të jetë misioni ynë. Censura është një akt që cenon median e lirë dhe shoqërinë civile. Ne theksojmë se i gjithë shkrimi është i saktë dhe i bazuar mbi fakte dhe mbi zërat e pacientëve, të cilët marrin shërbime në Spitalin Amerikan me fondet e shtetit shqiptar.
Spitalit Amerikan i është kërkuar një muaj para botimit të shkrimit që të japë qëndrimin e vet lidhur me ankesat e pacientëve që marrin shërbimin e dializës. Megjithatë, përgjigjja e këtij institucioni ka ardhur vetëm tre javë pas botimit të shkrimit, bashkë me kërcënimin për hedhjen në gjyq.
Në letrën drejtuar gazetës “Shëndet+”, firmosur nga administratori i Spitalit Amerikan, Klodian Allajbeu, pretendohet se ushqimi “nuk përfshihet në tarifën që shteti i paguan spitalit” dhe se “ky shërbim ofrohet ekstra dhe falas nga spitali, meqë ka pasur kërkesa nga pacientët, megjithëse nga pikëpamja mjekësore pacientët nuk duhet të konsumojnë ushqim gjatë seancës“.
Në kundërshtim me pretendimet e drejtuesve të Spitalit Amerikan, paketa e shërbimit të dializës e parashikuar në vlerën 10,670 lekë të rinj dhe me marzhin e fitimit 5%, pra në total 11 204 lekë, për çdo seancë dialize, përfshin në të, në bazë të përllogaritjeve, edhe shërbimin e lavanderisë dhe të ushqimit, e pohuar kjo zyrtarisht nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor dhe e ofruar në çdo spital publik apo privat i cili ofron shërbimin e dializës në Shqipëri. Sipas Vendimit të Këshillit të Ministrave, spitalet publike dhe private duhet t’i ofrojnë paketat e shërbimeve me të njëjtat kushte “unike” (Gjeni këtu përgjigjen zyrtare të gazetës “Shëndet+”).
Sqarojmë se shkrimi i botuar në faqen online të gazetës “Shëndet+” është i ngritur mbi ankesat e pacientëve që marrin shërbimin në Spitalin Amerikan në Tiranë, në kuadër të projektit “Vepro tani! Denonco korrupsionin në sistemin shëndetësor!”, projekt i cili zbatohet nga shoqata “Together for Life”.
Po në kuadër të këtij projekti, në faqen shendeti.com.al është hapur edhe rubrika “Denonco dhe raporto”, e cila synon t’u japë zë të gjithë shtetasve shqiptarë të cilët përballen me shkelje të ligjit në sistemin shëndetësor, që të mund të denoncojnë abuzimet që u bëhen sipas ligjit “Për Kujdesin Shëndetësor në Republikën e Shqipërisë dhe Kartën për të Drejtat e Pacientëve”. Kërcënimi me hedhje në gjyq në momentin që këta pacientë flasin, është një përpjekje flagrante për ta kundërshtuar këtë zë.
Misioni i vetëm i Gazetës “Shëndet+” në bashkëpunim me shoqatën “Together for Life” është mbrojtja e të drejtave të qytetarëve si pacientë dhe krijimi i hapësirave publike ku ata të mund të shprehen lirisht dhe të pacensuruar. Këtë mision të shenjtë për ne, do të vazhdojmë ta realizojmë me përkushtim dhe profesionalizëm.
Për çdo shkrim të botuar dhe që mban logon e gazetës “Shëndet+” dhe shoqatës “Together for Life”, të dyja këto institucione janë të gatshme të mbajnë përgjegjësi përpara ligjit.



