Askush s’e kupton vlerën e jetës sa ai që sheh vdekjen me sy*

pacient infermiere

Juliana Xhindoli, infermiere në Vlorë

“Infermieria është një art: dhe meqë është art, kërkon një përkushtim të veçantë, një përgatitje të vështirë, ashtu si puna e piktorit ose skulptorit. Por, nëse ata kanë të bëjnë me ngjyrën apo mermerin e pajetë, infermierët kanë të bëjnë me trupin e gjallë, që është tempull i frymës së Perëndisë. Ndaj infermieria është një nga Artet e Bukura, për më tepër: më i miri nga më të mirat e arteve.”  Florence Nightingale

Infermierët janë një forcë e madhe në shërbimin shëndetësor dhe një domosdoshmëri në suportin ndaj pacientit. Ata përbëjnë rreth 70% të gjithë punës në shërbimin shëndetësor. Si e gjithë shoqëria jonë sot, si të gjitha profesionet që kanë pësuar një transformim në këto vite të trazicionit, edhe Infermieria ka ndryshuar. Gjithmonë për t’iu përshtatur nevojave në rritje të pacientit dhe zhvillimit të shoqërisë, ka ndryshuar niveli i tyre arsimor.

Që nga viti 1994 infermierët janë me Diplomë Universitare nga Fakultete të Infermierisë, me Diploma të Nivelit të Dytë (DNP), Master profesional në specialitete të ndryshme, Master Shkencor dhe Studime të Nivelit të Tretë, Doktoratura si brenda dhe jashtë vendit. Këto kurrikula shkollore janë përshtatur me kërkesat e kohës, duke i bërë infermierët tanë, të përshtatshëm edhe për tregun evropian, SHBA dhe më tej.

Sot, shumë nga kolegët tanë shkëlqejnë dhe janë në nivele drejtuesish në shtete të ndryshme. Gjithashtu, ata e përmbushin më së miri detyrën e tyre dhe e lartësojnë figurën e infermierit në shërbimin privat, ku nuk ndihet mungesa e organizimit dhe e materialeve të punës.

Përse nuk ndodh kështu edhe në shërbimin tonë shëndetësor publik?

Faktikisht, ata përpiqen përditë duke përballuar mungesat e shumta në shërbimet e tyre. Por, problematikat që pengojnë punën e tyre, sot janë të shumta. Problemet organizative të punës  zënë vendin kryesor në shërbimet tona shëndetësore:  Numri i madh i pacientëve në raport me numrin e infemierëve; mungesat e herëpashershme në materiale e vështirësojnë shumë punën e tyre, duke cenuar jo vetëm cilësinë e shërbimit, por edhe jetën e profesionistëve. Ata shpesh përballen me rrezikun biologjik, ergonometrik duke  rrezikuar jetët dhe shëndetin e tyre.

Zëvendësimet e herëpashershme në punë, duke mos favorizuar kriteret bazë, ulin cilësinë e kujdesit dhe rrisin pakënaqësinë e qytetarëve. Gjendja psiko-socialee shkaktuar kohët e fundit shkatërron marrëdhëniet njerëzore dhe shoqërore, njëkohësisht duke ulur cilësinë e kujdesit dhe lëkundur besimin tek bluzat e bardha. Kjo, sepse tek ne efekti i sitës nuk funksionon, krundet dhe mielli janë bërë bashkë.

Por humbja e besimit nuk ka ndodhur vetëm për profesionin tonë, ajo i ka prekur të gjitha institucionet dhe profesionet e kësaj shoqërie dhe tashmë vijnë të gjithë në një rreth vicioz që duket se nuk ka për t’u sosur kurrë. Në diskutimet e përditshme me infermierët, për zgjidhjen e këtij ngërçi duket se ka pllakosur pesimizmi.

Por nuk mund të përgjithësohen të gjithë profesionistët, me elementë joprofesionistë, të cilët herë pas here krijojnë frikën e mosbesimit, gjatë shërbimeve në institucionet që ata menaxhojnë kujdesjet infermierore.

Drurët e shtrembër, që kanë hedhur rrënjët si në çdo hallkë të kësaj shoqërie, ata përbëjnë një plagë të madhe për infermierët e ndershëm, humanë, që sakrifikojnë çdo ditë veten e tyre në shërbim të jetës. Nevoja për një organizim më të mirë dhe të drejtë të strukturave drejtuese dhe organizative është domosdoshmëri. Kjo, nëse duam ta shërojmë këtë plagë që prek të gjithë ne. Nuk mund të jetë mirë askush nëse nuk është mirë shëndetësia, dhe infermirët janë zemra e sistemit shëndetësor. Kujdesi infermieror e shoqëron njeriun që nga qarja e parë e fëmijës deri në frymëmarrjen e fundit të jetës.

Shtrohet pyetja: A duan këta infermierë të punojnë në kushte të tilla? A nuk duan ata të japin shërbim të mirë? A duan ata të shohin njerëz që vuajnë dhe nuk kanë mundësi t’i ndihmojnë? JO, kurrë! Brenda vetes së tyre, shpirti rebelohet. Të strukur brenda vetes, gjithmonë nën zë, ose të heshtur ata përpiqen të përballojnë përditshmërinë sipas kushteve ku ndodhen. Ata kanë ditur të përballojnë situata dhe emergjenca kombëtare edhe në kushte të vështira. Ndaj dhe Zoti gjeti disa njerëz të fortë dhe i bëri ata infermierë.

Qëllimi i vetëm është integrimi si kolegët e tyre në mbarë botën, ata dëshirojnë të punojnë me dinjitet, dëshirojnë të jenë autonomë, të jenë korrekt me ligjet dhe të bëjnë një jetë të qetë, pasi askush nuk e kupton rëndësinë e jetës më mirë se ata që shohin çdo ditë vdekjen me sy.

Sot infermieria kërkon të  atashohet me kërkime shkencore në mastera dhe doktoraturë duke e njohur profesionin më mirë se kushdo tjetër, duke nënkuptuar se ata duan të ecin përpara.

Dëshira dhe ëndrra ime më e madhe është ta shikoj infermierinë të lartësuar në vendin që i takon, përkrah infermierisë evropiane. Shpresojmë që pengesat të zhduken dalëngadalë, duke pasur si përparësi trajnimet e herëpashershme si brenda, edhe jashtë vendit, për ta përmbushur misionin e tyre me dinjitet dhe kulturë profesionale. Qasja motivuese, qasja materiale, qasja ndaj aftësive profesionale janë padyshim efektet e dëshiruara të integrimit profesional.

*Titulli është redaksional

Postime të ngjashme

Vaksinat: Konspiracion apo mbrojtje e jetës?
Kur sëmundjes nuk i japim si terapi ilaçin, por betonin
Si 2025 mund të jetë një vit kyç përparimi për industrinë farmaceutike
Hulumtimet e fundit mbi viruset duhet të ngrenë alarmin, shkencëtarët po na vënë në rrezik
Çfarë është mjekësia e personalizuar?
Nuk ka diskutim: dhuna ndikon në shëndet dhe mirëqenie
Sistemi shëndetësor/ Rama si macja që fajson minjtë pse hëngrën djathin, dhe nginjet me të tërën
Mjeku Aliahmeti: Oksid etileni në akullore do të thotë të helmosh me duart e tua fëmijët!