Përgatiti për “www.shendeti.com.al”: Elena Beta
Tensioni i gjakut është forca që ushtron gjaku në muret e enëve të gjakut. Mund të matet duke përdorur një mëngëz llastiku që fryhet, e cila mbështillet rreth pjesës së sipërme të krahut dhe lidhet me një aparat që tregon tensionin. Aparati mund të tregojë dy numra. Për shembull: 120/80. Numri i parë quhet tension sistolik i gjakut, sepse tregon tensionin e gjakut gjatë tkurrjes së zemrës (sistolës). Numri i dytë quhet tension diastolik i gjakut, pasi tregon tensionin e gjakut kur zemra lëshohet (diastolë). Tensioni i gjakut matet në milimetra shtyllë mërkuri dhe mjekët i klasifikojnë pacientët si hipertensivë kur e kanë tensionin e gjakut më shumë se 140/90.
Studiuesit kanë zbuluar se nëse një person ka të afërm me tension të lartë gjaku, mundësia që ai të vuajë nga kjo sëmundje është më e madhe.
Rekomandohet të tregoni kujdes të veçantë me ushqimin! Kripa (natriumi) mund t’ua rritë tensionin e gjakut disa njerëzve, në veçanti atyre me diabet, atyre me tension tepër të lartë, si dhe të moshuarve. Yndyra e tepërt në gjak mund të krijojë depozita me kolesterol në muret e brendshme të enëve të gjakut (arterioskleroza), duke e zvogëluar kështu diametrin e tyre të brendshëm dhe duke rritur tensionin e gjakut. Njerëzit që janë më shumë se 30 për qind mbi peshën e tyre ideale, rrezikohen të kenë tension të lartë gjaku. Studimet tregojnë se duke rritur konsumin e kaliumit dhe të kalciumit tensioni i gjakut mund të ulet.
Pirja e duhanit shton gjithashtu rrezikun e arteriosklerozës, diabetit, infarktit në zemër dhe apopleksisë. Për këtë arsye, pirja e duhanit dhe tensioni i lartë i gjakut janë një kombinim i rrezikshëm që mund të çojë në sëmundje kardiovaskulare. Edhe pse dëshmitë janë kontradiktore, kafeina—që gjendet te kafeja, çaji dhe pijet e gazuara, si edhe stresi emocional e lodhja fizike mund ta rritin edhe tensionin e gjakut. Përveç kësaj, shkencëtarët e dinë se konsumimi i tepërt ose i vazhdueshëm i pijeve alkoolike dhe mungesa e aktivitetit fizik mund ta rritin tensionin e gjakut.
Një mënyrë e shëndetshme jetese ëshët ajo që mund të parandalojë më së miri tensionin e lartë të gjakut. Jetesës të shëndetshme duhet t’i kushtojmë vëmendje që në moshë të re në mënyrë që të mos kemi probleme ne të ardhmen.
Masa që mund të ndihmojnë të mbani nën kontroll tensionin e lartë të gjakut:
- Bini në peshë
- Pakësoni konsumimin e kripës
- Shtoni ushqimet e pasura me kalium
- Pakësoni konsumimin e pijeve alkoolike
- Bëni rregullisht ushtrime
- Kalcium dhe magnez shtesë
- Dietë vegjetariane e pasur me fibra
- Terapi kundër stresit
- Lini duhanin
- Mbani nën kontroll nivelin e kolesterolit
- Mbani nën kontroll diabetin
- Shmangni ilaçet që mund të rritin tensionin e gjakut
Burimi: healthyfood / shëndeti.com.al


