Gjykata e Tiranës ka shpallur fajtorë 7 persona të akuzuar për rimbursimin e ilaçeve, por u ka dhënë një dënim minimalist, edhe pse i kanë shkaktuar një dëm të konsiderueshëm arkës së shtetit.
Prokuroria e Tiranës i bënte përgjegjës të pandehurit për përfshirje në një skemë mashtrimi financiar me rimbursimet e medikamenteve, që i ka shkaktuar shtetit një dëm prej gati 56 milionë lekësh të rinj.
Sipas Prokurorisë, të pandehurit kanë përfituar rimbursim për recetat e nënshkruara fiktivisht nga katër farmaci në kryeqytet. Në vendimin e shpallur më 7 korrik, nga një trup gjykues i kryesuar nga gjyqtari Altin Abdiu dhe anëtarë Migena Laska e Tereza Lani, të pandehurit u gjetën fajtorë, sipas roleve përkatëse, për kryerjen e veprave penale të “mashtrimit”, “shpërdorimit të detyrës”, kryer në bashkëpunim dhe të “falsifikimit të dokumenteve”.
Gjykata dha një total prej 24 vitesh heqje lirie për të pandehurit, por verdikti përfundimtar ka lehtësuar ndjeshëm pozitat e tyre, duke bërë që vetëm tre prej tyre të rrezikojnë qelinë. Ulja e një të tretës së dënimit, e përfituar për shkak të gjykimit të shkurtuar, e çoi në gati 17 vjet heqje lirie dënimin në total për shtatë të pandehurit. Më tej, gjykata ka vendosur pezullimin e ekzekutimit të dënimit me burg për katër nga të pandehurit.
Ata do të qëndrojnë të lirë për periudhat e caktuara nga gjykata, teksa u duhet të mbajnë kontakte me Shërbimin e Provës.
TË PANDEHURIT
Hysni Roçi
Pronar farmacish, u hetua me masë sigurimi “arrest në burg”. Akuzohet për mashtrim dhe u dënua me 4 vite burg
Pjerin Xhuvani
Ish-drejtor i Fondit Rajonal të Kujdesit Shëndetësor, hetuar fillimisht në burg dhe më pas në arrest shtëpie (Apeli). U dënua me kusht
Edlira Mara
Zyrtare e Fondit Rajonal të Kujdesit Shëndetësor, hetuar me masën e sigurimit “arrest në shtëpi”. Akuzohet për shpërdorim detyre
Frida Lamçe
Zyrtare e Fondit Rajonal të Kujdesit Shëndetësor, hetuar me masën e sigurimit “arrest në shtëpi”. Akuzohet për falsifikim dokumentesh
Fatbardh Budo
Zyrtare e Fondit Rajonal të Kujdesit Shëndetësor, akuzuar për falsifikim dokumentesh
Mimoza Tufi
Drejtore teknike e farmacisë “Lundër”, hetuar me masën detyrim për paraqitje. Akuzohet për mashtrim
Nikollaq Thanasi
Drejtor teknik i farmacisë “Nutrimed”, hetuar me masën detyrim për paraqitje. Akuzohet për mashtrim
Adelina Manaj
Drejtore teknike e farmacisë “Adelina”, hetuar me masën detyrim për paraqitje. Akuzohet për mashtrim
Arens Spahiu
Drejtor teknik i farmacisë “Bërzhitë”, hetuar me masën detyrim për paraqitje. Akuzohet për mashtrim

