Mesazh për Ditën Botërore të Popullsisë 2016, dr. Babatunde Osotimehin, zëvendës sekretar i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara dhe drejtor ekzekutiv , UNFPA, Fondi i Kombeve të Bashkuara për Popullsinë.
Vitet e adoleshencës janë për disa vajza vite eksplorimi, mësimi dhe autonomie në rritje. Por, për shumë të tjera, janë vite të rritjes së vulnerabilitetit dhe përjashtimit nga të drejtat dhe mundësitë, ose janë vite të diskriminimit.
Kur një vajzë adoleshente i ka fuqinë, mjetet dhe informacionin për të marrë vendimet e saj në jetë, ka gjasa që ajo t’i kapërcejë pengesat që qëndrojnë midis saj dhe një të ardhmeje të shëndetshme e produktive. Kjo gjë do të sillte përfitime për të, për familjen e saj dhe komunitetin ku jeton.
Kur vajzave nuk u dëgjohet zëri në vendimet për arsimimin, shëndetin, punën apo martesën e tyre, atyre nuk u jepet mundësia të realizojnë potencialin e tyre të plotë apo të bëhen një forcë pozitive transformuese për shtëpinë, komunitetin dhe vendin e tyre.
Në disa vende të botës, një vajzë që arrin pubertetin është e destinuar nga familja apo komuniteti të martohet, të mbetet shtatzënë e të lindë fëmijë. Ajo mund të detyrohet të martohet dhe të braktisë shkollën. Ajo mund të përjetojë kushte të tilla negative si fistula për shkak të lindjes së fëmijës përpara se trupi i saj të jetë gati. Asaj mund t’i mohohen kështu të drejtat e njeriut.
Qeveritë në gjithë botën duhet të investojnë për vajzat adoleshente, për t’i fuqizuar ato të marrin vendime të rëndësishme për jetën e tyre dhe për t’i pajisur ato me aftësi që do t’u sigurojnë një jetesë të mirë, do t’u mundësojnë angazhimin në punët e komunitetit të tyre dhe do t’i ndihmojnë të jenë të barabarta me partnerët e tyre meshkuj.
Duhen investime për të mbrojtur shëndetin e tyre, përfshirë shëndetin seksual dhe riprodhues, për t’u mundësuar atyre arsimim cilësor dhe për të zgjeruar mundësitë ekonomike, përfshirë punësim të denjë.
Një adoleshente, të drejtat e së cilës respektohen dhe potenciali i të cilës realizohet plotësisht, është një vajzë që do të kontribuojë në progresin ekonomik dhe social të komunitetit dhe kombit të saj./ https://shendeti.com.al/


