Kamza në Ditën Botërore të Popullsisë: Vajza të arsimuara, shoqëri dhe ekonomi më e fortë

Aktiviteti Kamze 11 korrik 2016

Denisa Canameti / Shendeti.com.al

“Vetëm vajzat e arsimuara do të mund të dilnin përballë baballarëve, vëllezërve apo bashkëshortëve të ardhshëm, në pozita të barabarta”. Këto ishin fjalët e Eneida Mjeshtrit, përfaqësueses së shoqatës “Together for Life”, në aktivitetin e zhvilluar sot në kuadër të Ditës Botërore të Popullsisë.

Ishte Kamza qyteti i përzgjedhur për të përçuar mesazhin e fuqizimit të vajzave, si domosdoshmëri për një shoqëri dhe ekonomi më të fortë. Mesazh ky që përkonte edhe me tematikën e këtij aktiviteti të organizuar nga Shoqata Together for Life në bashkëpunim me Y-PEER, Albania dhe Rrjetin “Zëri i të Rinjve”.

IMG_0120

Dita Botërore e Popullsisë është caktuar si e tillë  që prej  vitit 1989 prej Këshillit Qeverisës së Programit të Zhvillimit të Kombeve të Bashkuara, me qëllim kthimin e vëmendjes në çështje të rëndësishme  dhe urgjente të popullatës. Tema e këtij viti është: “Investimi tek vajzat adoleshente”.

“Investimi te vajzat adoleshente është shumë i rëndësishëm për shumë arsye” ,- u shpreh Andi Rabiaj, përfaqësues i Y-Peer. “Një grua e edukuar do të thotë një komb i edukuar. Vajza dhe gruaja është bërthama e familjes”. Midis të tjerave,  ai theksoi se  me mbështetjen e Fondit të Kombeve të Bashkuara, është arritur të zhvillohet  një plan aktivitetesh të ditëve kombëtare deri në dhjetor të këtij viti, ku tematika në fokus do të jetë “Investimi në vajzat adoleshente”. Ai premtoi se aktivitete të tilla do të zhvillohen në çdo cep të Shqipërisë .

IMG_0124

Fuqizimi i vajzave dhe zhvillimi i tyre personal konsiderohet ende një çështje delikate për komunitetin e Kamzës. Përfaqësuesja e “Together for Life”, znj. Eneida Mjeshtri, u shpreh në prezantimin e saj që investimi tek vajzat e reja është një investim i shumanshëm. Ai është një investim i shtetit, shoqërisë,  por gjithashtu edhe i familjeve dhe komunitetit.  Arsimimi lufton varfërinë; rrit mirëqenien; i bën njerëzit më të shëndetshëm, sjell kontroll më të mirë të lindjes, ul martesat e hershme dhe ndihmon në forcimin e barazisë gjinore.

Aktiviteti ishte konceptuar si një përballje dy modelesh femërore: modeli i gruas së arsimuar dhe të mirëpërfshirë në jetën shoqërore; dhe ai i gruas së martuar herët dhe, që për rrjedhojë, nuk  ka mundur të arsimohet dhe të bëjë një jetë shoqërore aktive.

IMG_0127

Mjekja e familjes, Kimete Hysko, solli përvojën e saj  29-vjeçare në shërbim të komunitetit të Kamzës. Ajo foli për marrëdhënien e saj me pacientët, e veçanërisht me pacientet femra.

“Në gjithë këto vite pune, marrëdhënia me pacientet gra ka qenë ajo më e veçanta. Nga profili i një vajze/gruaje të ndrojtur, që njihte mjekun e familjes vetëm për probleme të shtatzënisë, te profili i vajzës/gruas që vjen te mjeku i familjes për gjithçka, për kontrolle periodike, për të konsultuar shqetësime të ndryshme”.

IMG_0455

“Ndonjëherë nuk janë ilaçet që të shërojnë. Një buzëqeshje, një fjalë e ngrohtë apo një shtrëngim duarsh i japin pacientit besimin, fuqinë dhe dëshirën për të përballuar çdo sëmundje, dhe ne si mjekë familjeje këtë e dimë më mirë se kushdo tjetër, sepse jemi ne porta e parë e çdo pacienti.

“Ndoshta një formulë e tillë na ka bërë të jemi të suksesshme në ngritjen e marrëdhënieve kaq të ngushta me pacientet gra dhe vajza, pasi ne e dimë, ju e dini, të gjithë e dinë rëndësinë e të qenit i shëndetshëm.

“Shëndeti i tyre i mirë sot, lidhet me tërësinë e të qenit grua nesër” tha mjekja.

IMG_0137

Modeli i gruas që është martuar herët, e për rrjedhojë e ka pasur të pamundur të arsimohet e të punojë, u përcoll përmes figurës dhe fjalëve të Elisjana Canametit. 28 vjeç, 9 vite e martuar dhe me një djalë 9 muajsh.

“Shkolla është pengu im më i madh. Kam dashur të bëhem mësuese. Por rrethanat ma bënë të pamundur. U drejtohem të gjitha vajzave për t’ju thënë se formimi i vetes suaj, që lidhet me arsimimin, punësimin, janë gjërat  e para që duhet të realizoni në jetë për ta pasur më të lehtë më vonë”.

Elisjana tregon se largësia e shkollës me vendin ku jetonte u bënë barrierë e pathyeshme për të realizuar ëndrrën e saj. edhe pse asnjëherë nuk është vonë për t’i dhënë jetë një ëndrre.

Mesazhe (4)

Fabiola Lleshi, Përfaqësuese e Qendrës Shëndetësore Kamzë si dhe Këshilltare e Këshillit Bashkiak të Kamzës, mbështeti idenë e fuqizimit të vajzave dhe arsimimit të tyre, si rruga e vetme e zhvillimit . “Ka shumë gra që do donin të bënin diçka më shumë për veten. Problemi është se nuk janë identifikuar dhe nuk janë bashkë. Ne jemi të hapur për çdo bashkëpunim” tha Lleshi në fjalën e saj.

Në këtë aktivitet pati një përfshirje të madhe të pjesmarrësve. Midis tyre, një grup vajzash aktiviste për të drejtat e grave dhe vajzave ngritën zërin duke treguar për vështirësitë e të qenit vajzë e re  në qytete të tilla të vogla. Ato u shprehën se aktivitetet me vajzat e reja duhet të zhvillohen në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe të vazhdueshme.

“Duhet prekur realiteti, duhet parë në sy një qytet, realiteti i të cilit është i vështirë për ne. Në orën 5 të pasdites janë dritat e fikura. Vajzat nuk mund të dalin sepse kërcënohen qoftë edhe me një kompliment maskilist” u shpreh njëra prej vajzave në sallë.

IMG_0131

Mirëqenia e vajzave adoleshente është çelësi për eliminimin e varfërisë, arritjen e drejtësisë sociale, stabilizimin e popullsisë, parandalimin e krizave humanitare të parashikueshme dhe përmirësimin e gjendjes shëndetësore të fëmijëve, por dhe të nënave të reja.

Ky aktivitet u mbështet nga UNFPA-Albania dhe  u koordinua nga Observatori për të Drejtat e Fëmijëve./ https://shendeti.com.al/

Postime të ngjashme

Çfarë dihet për rastet e hantavirusit të lidhura me shpërthimin vdekjeprurës në anijet turistike
Zakonet që do t'ju "shpëtojnë" nga fryrja e barkut
PCOS tani quhet PMOS. Çfarë duhet të dini rreth ndryshimit të emrit dhe çfarë do të thotë kjo për kujdesin
Sterilizimi, shtyhet seanca ndaj ish-ministrit të Shëndetësisë Ilir Beqaj
Studimi i ISHP: Të rriten taksat për pijet me sheqer, të ulen për të shëndetshmet
Ngacmoi seksualisht pacienten 21-vjeçare, arrestohet kirurgu
Këto 3 vitamina që ekspertët rekomandojnë të mos i merrni me stomak bosh
Rimbursimi në mars, sëmundjet kardiovaskulare dhe diabeti përhapje në masë