Bakteri që na rrezikon jetën në kuzhinë

Denisa Canameti, shendeti.com.al

Termi salmonelozë përfshin të gjitha infeksionet që shkaktohen nga bakteret e gjinisë së salmonelave. Rreziku për t’u infektuar ekziston përgjatë gjithë vitit, por mundësia më e madhe për shfaqjen e kësaj sëmundjeje është gjatë stinës së verës, për shkak se ky bakter në temperatura të larta gjen terren të shumohet. Mjekja infeksioniste, Imelda Zeqo, në një intervistë për lexuesin e gazetës “Shëndet+” shpjegon se si shfaqet kjo sëmundje dhe si mund të parandalohen këto raste gjatë stinës së verës.

gatim kuzhineDoktoreshë, çfarë është sëmundja e salmonelës?
Termi salmonelozë përfshin të gjitha infeksionet që shkaktohen nga bakteret e gjinisë së salmonelave, të cilat paraqesin forma klinike të ndryshme, duke filluar me baktereminë, siç ndodh me ethen tifoide, paratifon dhe infeksione me lokalizime jashtë zorrës, si: në kocka, zemër deri në rastet kur infeksioni është i lokalizuar vetëm në tubin tretës, duke shkaktuar enterokolit.

Këto janë sëmundje infektive që shkaktohen nga bakteri i salmonelës. Salmonelat janë baktere gramë negative. Shumica e tyre ngordhin në temperaturën 55 gradë celsius për një orë, ndërsa në 60 gradë për 15-20 min. Por në disa raste ato mund t’u rezistojnë temperaturave të larta, sidomos kur janë në mjedise që përmbajnë proteina, si: mishi, veza etj. Shumica e salmonelave ngordhin në pH acid. Salmonelat mbijetojnë në akull për një periudhë të gjatë kohe.

A është e vërtetë që stina e verës është më problematike për të shfaqur të tilla probleme, dhe pse?
Rreziku ekziston gjatë gjithë vitit, por në fakt mundësia për shfaqjen e kësaj sëmundjeje është gjatë stinës së verës. Kjo për shkak se ky bakter në temperatura të larta gjen terren të shumohet dhe përhapet më shpesh gjatë ditëve të nxehta. Favorizuar kjo dhe nga mungesa e kushteve higjieno-sanitare. Veç kësaj, mungesa e higjienës në gatimin e ushqimeve, apo akulloreve, pijeve të ftohta, bën që kjo sëmundje të jetë mjaft e shpeshtë gjatë stinës së verës.

Doktoreshë Imelda Zeqo

Doktoreshë Imelda Zeqo

Si shfaqet kjo sëmundje, çfarë ankesash ka pacienti?
Simptomat përfshijnë diarrenë e ujshme dhe të vjellat.

Personi i infektuar mund të ketë:

  • dhimbje koke,
  • ethe,
  • dhimbje barku të lokalizuara më tepër në pjesën e poshtme të barkut.

Ndonjëherë mund të ndodhë që të shfaqet dhe temperatura.

Kush rrezikon të preket nga këta forma virozash dhe si mund të trajtohen?
Nuk ka grupmosha më tepër të riskuara dhe më të mbrojtura, çdokush mund të infektohet për mënyrën e transmetimit. Për këtë arsye rekomandohet që të gjithë të tregojnë kujdes maksimal, sidomos personat që kanë sistem imunitar të dobët: të moshuarit, fëmijët, të sëmurët kronikë etj.

Si vendoset diagnoza e kësaj sëmundjeje?
Analiza e vetme në këtë rast është mbjellja e feçeve të të sëmurit, e cila është e vetmja që mund të përcaktojë diagnozën diferenciale nga sëmundjet infektive të tjera.

Si mund të parandalohet sëmundja e salmonelës gjatë stinës së nxehtë?
Fakti që salmonela është një bakter që mund të gjendet kudo, e bën të pamundur mbrojtjen komplet prej saj. Gjithsesi, rekomandohet shmangia e kontaktit me persona të sëmurë, respektimi i një higjiene të mirë personale dhe larjes së shpeshtë të duarve. Kujdes duhet treguar në përgatitjen e ushqimeve si akulloret, vezët dhe mishi, që thamë që është terren i përshtatshëm për vendosjen e salmonelës. Gatimi duhet të bëhet në temperatura të larta. Rekomandohet gjithashtu trajtimi me kujdes i çdo episodi diarreik që zgjat në kohë, në mënyrë që të shmangen ndërlikimet e mundshme që mund të shfaqen.
Shenjat
• diarre e ujshme
• të vjella ose të përziera
• dhimbje koke
• dhimbje stomaku
• këputje trupi
• temperaturë
• mungesë oreksi
• dhimbje gjymtyrësh dhe muskujsh

Çfarë janë diarretë infektive?
Diarretë infektive mund të hasen në çdo moshë. Rëndësia e tyre lidhet me rrezikun e dehidratimit që mund të ndodhë sidomos te fëmijët dhe të moshuarit. Ato mund të shfaqen në formë sporadike apo endemike. Diarretë infektive janë të lidhura pothuajse vetëm me çrregullimin e sekretimit dhe të thithjes. Ato më shpesh janë akute dhe më rrallë subakute dhe kronike.

 

Postime të ngjashme

Çfarë dihet për rastet e hantavirusit të lidhura me shpërthimin vdekjeprurës në anijet turistike
Zakonet që do t'ju "shpëtojnë" nga fryrja e barkut
PCOS tani quhet PMOS. Çfarë duhet të dini rreth ndryshimit të emrit dhe çfarë do të thotë kjo për kujdesin
Sterilizimi, shtyhet seanca ndaj ish-ministrit të Shëndetësisë Ilir Beqaj
Studimi i ISHP: Të rriten taksat për pijet me sheqer, të ulen për të shëndetshmet
Ngacmoi seksualisht pacienten 21-vjeçare, arrestohet kirurgu
Këto 3 vitamina që ekspertët rekomandojnë të mos i merrni me stomak bosh
Rimbursimi në mars, sëmundjet kardiovaskulare dhe diabeti përhapje në masë