“Jo të gjithë mund të bëjmë gjëra të mëdha. Por mund të bëjmë gjëra të vogla me dashuri të madhe!” (Nënë Tereza)
Elona Tereziu, gazeta “Shëndet+”
“Dua edhe unë!” Janë këto fjalët e një fëmije rom vetëm 8 vjeç, që teksa shikon të rinj me çanta me rroba dhe ushqime, sulet për të marrë atë që i ofrohet dhe, mundësisht, edhe më shumë.
Sot është Dita Botërore Humanitare. Shoqata “Together for Life”, e mbështetur nga UNFPA dhe në bashkëpunim me rrjetin “Zëri i të rinjve”, organizoi thirrjen “Trego që je human, ndihmo njerëzit në nevojë”. Nën këtë slogan, qytetarë të Tiranës përgjatë dy javëve ofruan ndihma për familjet rome të zonës së Shkozës të cilët jetojnë në kushte shumë të këqija.
Fëmijë, të rritur dhe të moshuar romë mirëpritën ndihmat e mbledhura duke falënderuar për bujarinë e shprehur. Ndërsa jetojnë në baraka, ata kërkuan më shumë mbështetje nga strukturat shtetërore për të jetuar në kushte më njerëzore dhe më tepër mundësi për të ardhmen e tyre dhe të fëmijëve të tyre.
Engjëllushe Demiri, teksa falënderoi për pakot e sjella për familjen e saj, tha se për shkak të gjendjes në të cilën ndodheshin, ushqimet dhe veshjet ishin të rëndësishme për ta. “Jetoj këtu tek kjo barakja me burrin dhe dy fëmijët. Kemi 8 muaj jemi pa drita. Presim që Bashkia, sipas premtimit, të na ndërtojë shtëpitë”, u shpreh ajo.
Prindër të tjerë u shprehën se mirëprisnin ndihmat sidomos në ushqime dhe veçanërisht ushqime për fëmijë.
Nga ana e anëtarëve të shoqatës “Together for Life” dhe anëtarëve të rrjetit “Zëri i të rinjve” u premtua një tjetër fushatë për mbledhje të ndihmave, si dhe përcjellje e zërit të banorëve në strukturat përkatëse.
Dita Botërore Humanitare është caktuar si e tillë për të kujtuar ata që punojnë në çështjet humanitare, si dhe ata që kanë humbur jetën e tyre duke punuar për këto çështje.










