Denisa Canameti, gazeta “Shëndet +”
Nga janari i 2014-s e deri në gusht të 2016-s ka shkuar në 400 numri i mjekëve që kanë bërë kërkesë të largohen nga vendi. Gjermania është destinacioni i preferuar, për shkak se ky shtet njeh çdo diplomë, certifikatë apo specializim të bërë. Kriteri i vetëm është gjuha.
Pavarësisht nevojave të theksuara të vendit tonë për mjekë specialistë, këta të fundit refuzojnë t’i ofrohen një vendi i cili nuk ofron as kushtet më minimale të punës, duke fyer rëndë dinjitetin e të qenit mjek, siç janë shprehur vetë ata në intervista të ndryshme.
Në një intervistë për lexuesin e gazetës “Shëndet+“, Fatmir Brahimaj, president i Urdhrit të Mjekëve të Shqipërisë, flet për numrin e mjekëve që kanë bërë kërkesë për t’u larguar, si dhe arsyet e këtij vendimi.
Sipas regjistrit që ky institucion disponon, për vitin 2016 kanë bërë kërkesë 100 mjekë për të tërhequr një certifikatë që dëshmon sjellje të mirë të mjekut në punë.
“Nëse Fakultetit i Mjekësisë nxjerr 150 mjekë në vit, është po 150 numri i mjekëve që bëjnë kërkesë për t’u larguar çdo vit. Praktikisht, po na ikin të gjithë”, është shprehur Brahimaj për “Shëndet+“.
Ministria: Mungojnë 300 mjekë. UMSH: Çdo vit 150 mjekë largohen nga vendi
Spitalet e rretheve vuajnë prej kohësh mungesën e specialistëve, duke u kthyer kështu në godina të pavlera dhe sakrifikuese për ata pak mjekë që japin shërbim në çdo specialitet që munden.
“Anesteziolog, nga Fieri deri në Greqi është vetëm një në Gjirokastër. Që e gjithë Shqipëria ka gjithsej nja 70 anesteziolog, që 70 nuk i dalin vetëm QSUT-së. Ai është dhe reanimator”, thotë Brahimaj.
Pas bërjes së evidencave për nevojat e spitaleve rajonale për mjekë specialistë, rezultoi se në të gjithë vendin ka mungesë të 300 mjekëve. Për të stimuluar bluzat e bardha të punojnë në këto rajone, qeveria miratoi në gusht bonusin prej 100.000 lekë shtesë mbi pagë. Në Komisionin për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë në maj të këtij viti, Ministri i Shëndetësisë evidentoi se pavarësisht bonusit, fatkeqësisht, vetëm 7 mjekë kanë pranuar të shkojnë nëpër rrethe.
Mjekët jo vetëm që refuzojnë të shkojnë nëpër rrethe, por kanë vendosur që të largohen përfundimisht nga Shqipëria. Duke e thelluar edhe më shumë hendekun e mungesave nëpër spitale, jo vetëm në rrethe. Fatmir Brahimaj, president i Urdhrit të Mjekëve të Shqipërisë, thotë se janë të paktën 3-4 mjekë në javë që vijnë e marrin te një certifikatë të sjelljes së mirë, një vërtetim që ndaj tyre nuk është marrë masë ndonjëherë.
“Më ka bërë përshtypje vitin që fillova punë. Edhe tani vazhdon njësoj. Të paktën 3-4 mjekë në javë, mos të them më shumë, kërkojnë certifikata të sjelljes së mirë. Kur e shikoj sa i shpeshtë është ky fenomen, kërkoj që të hapet një regjistër e të mbahen shënime.
Në dy vitet e kaluara (2014-2015) ishin gati 300 mjekë që kishin kërkuar këto certifikata. Mirëpo Fakulteti i Mjekësisë nxjerr rreth 150 mjekë në vit. Praktikisht ne po na ikin të gjithë.
Më kërkoi Avokati i popullit në një konferencë. Ai kërkoi që të parashtronim problemet. Një nga problemet që them unë është largimi i mjekëve. Ndërkohë, zëdhënësi i ministrisë merr fjalën dhe jep përgjigje: “Po trumbetohet largimi i mjekëve. Por ajo është e drejta e tyre” thotë Brahimaj.
Fatmir Brahimaj: Largimi i mjekëve nuk është vetëm çështje pagash
“Largimi i mjekëve nga vendi nuk është vetëm çështje pagash. Mjekët duan kushte pune, duan mjete diagnostikuese dhe kuruese. Duan kushte për t’u rritur në karrierë. Duan besim më të madh nga ana e pacientëve. Ka një krizë shumë të madhe besimi mjek-pacient. Një milet që mendon se vetëm mjeku e ka fajin. Në vendet e zhvilluara nuk ka njerëz që kanë dëshirë të bëhen mjekë. Se mjekësia kërkon të sakrifikosh nga vetja.
Këtë vit mjekësia në vendin tonë, si rrallë herë, radhitej në vendin e 16, nga e para degë e preferuar që ka qenë. Është rritur edhe ngarkesa e punës. Nuk mund të bëjë mjeku 100 vizita. Pyes një mjek në Vlorë dhe më thotë që për një ditë kishte bërë 130 vizita dhe 45 shtrime. Për 24 orë, të vesh ti numërosh këta se është e lodhshme. Çfarë standardi do t’i kërkosh këtij mjeku?! Hajde e gjykoje se pse bëri një gabim. ” shprehet Brahimaj për “Shëndet+”.
Gjermania lehtëson procedurat e punësimit
Sipas të dhënave, rezulton se mjekët që largohen synojnë kryesisht Gjermaninë. Brahimaj tregon se Gjermania i njeh të gjitha diplomat, certifikatat, specializimet etj.
Në shumë spitale gjermane mungojnë mjekët dhe personeli mjekësor. Specialistët nga jashtë janë gjithmonë të mirëseardhur. Edhe në Afrikë të kesh mbaruar studimet se diploma njihet, thotë doktor Brahimaj. Para se mjekët të shkojnë në Gjermani për të punuar, ata duhet të kapërcejnë pengesën e gjuhës. Kusht është që ata të kenë të paktën nivelin e gjuhës B1, ideale është B2. Falë ligjit të ri gjerman për njohjen e kualifikimeve të fituara jashtë shtetit, që hyri në fuqi më 1 prill 2012, marrja e lejes për të punuar si mjek në Gjermani nuk lidhet më me shtetësinë e mjekut. Në Gjermani nuk është e mirë vetëm pagesa, por edhe mundësitë e arsimit dhe të trajnimit janë më të mira. Ndihmë mjekëve të huaj u jepet edhe për të përballuar sfidat me autoritetet e ndryshme në Gjermani: zyrat e të huajve, zyrat tatimore, apo komisionet për provimet mjekësore.


