Përshtati në shqip për “Shendeti.com.al“: Fize Smailaj
Kimikatet që gjenden në ambientet e shtëpive, sidomos ato që gjenden tek mobiliet, shkaktojnë probleme në shëndetin tonë. Ja cilat janë elementet që na dëmtojnë:
Falatet – Gjenden më shumë në aromatizuesit e ajrit, tek letrat e murit dhe të llakut të drurit. Edhe pse Qendra e Kontrollit dhe Parandalimit të Sëmundjeve deklaron se për të dalë në përfundime më të sakta mbi efektin e këtij elementi në shëndetin e njeriut duhen bërë më shumë kërkime, nga eksperimentet e deritanishme laboratorike, të kryera mbi kafshët, është vënë re se te to është prekur sistemi riprodhues. Gjithashtu është vënë re se te gratë është gjetur sasi më e lartë e këtij elementi se te burrat, për shkak se falatet përdoren në prodhimin e sapuneve, shampove, produkteve kozmetike dhe produkte të tjera të kujdesit personal.
Përbërjet kimike të avullueshme (PKA) – Sipas Agjencisë së Mbrojtjes së Mjedisit (AMM), disa materiale të ngurta dhe të lëngshme çlirojnë gaze të rrezikshëm në ajër. Disa nga këto materiale janë bojërat, llaku I drurit, prerëset, materialet e pastrimit, produktet e pastrimit të shtëpisë, produktet dezinfektuese, materialet e ndërtimit (kompensatat dhe ristelat) dhe pajisjet e zyrave, si fotokopjet dhe printerat, letrat e formatit, ngjitësit etj. PKA-të mund të shkaktojnë irritim të syve, hundës dhe fytit, dhembje koke, marramendje dhe të vjella. Ato gjithashtu mund të shkaktojnë dëmtim të mëlçisë, veshkave dhe sistemit nervor qendror. Madje disa nga këto materiale dyshohet se shkaktojnë edhe kancer tek njerëzit.
Eteret – që përdoren si fikse zjarri nuk janë të lidhura kimikisht me materialet në të cilat ato paketohen, që do të thotë se ato mund të dalin prej tyre. Për shkak të kimikateve nga të cilat ato përbëhen, Agjencia e Mbrojtjes së Mjedisit beson se ato mund të jenë të rrezikshme si për mjedisin ashtu edhe për njerëzit. Ekspozimi i mitrës së kafshëve ndaj këtyre lëndëve gjatë procesit të lindjes ka shkaktuar probleme në rrugët e frymëmarrjes së të sapolindurve, por jo defekte lindjeje. Sipas raportimeve të bëra nga organet përkatëse, këto materiale nuk shkaktojnë defekte lindjeje.
Përbërjet e perflorimuarit – Janë materialet që përdoren kundër njollave nga fabrikat, ato shpesh përdoren në prodhimin e mobilieve dhe të enëve të kuzhinës, në mënyrë që të mos ngjisë ushqimi në to gjatë procesit të gatimit. Disa studiues besojnë se këto materiale shkaktojnë defekte lindjeje dhe kancer. Studimet kanë treguar se tel kafshët që kanë qenë të ekspozuar ndaj këtyre materialeve, është prekur niveli I rritjes, zhvillimit, riprodhimit dhe funksionimi i mëlçisë. studimet gjithashtu kanë treguar se ekspozimi I nënave shtatzënë ndaj këtyre materialeve ka sjellë lindje në peshë të ulët si te njerëzit ashtu edhe te kafshët.
Perkloroetileni – përdoret më së shumti në procesin e pastrimit, pasi ai është përbërës i disa kimikateve pastruese. Ekspozimi për një kohë të shkurtër ndaj këtij materiali mund të shkaktojë marramendje, gjendje të fikëti, ndërsa ekspozimi për një kohë të gjatë mund të shkaktojë dëmtim të mëlçisë dhe veshkave, humbje të kujtesës, madje edhe kancer. Përdorimi i perkloroetilenit është i ndaluar me ligj në Kanada dhe Evropë
Formaldehidi (gaz djegës pa ngjyrë, i bërë nga metanoli i oksiduar). Edhe pse njihet si shkaktar kanceri, vazhdon ende të përdoret në prodhimin e mobilieve, sapunëve, detergjenteve dhe ngjitëseve.
Triklozani – përdoret gjerësisht në prodhimin e sapunëve antibakteriale, mobilieve, madje edhe lodrave. Edhe pse Administrata e Ushqimit dhe Ilaçeve thekson se pas studimeve të kryera mbi kafshët është parë se triklozani prek zhvillimin e hormoneve, kjo nuk mund të thuhet edhe për njerëzit, nuk ka prova që tregojnë se një element i tillë prek zhvillimin hormonal të njerëzve. Sidoqoftë mbi këtë çështje vazhdojnë të kryhen studime.
Klori dhe amoniaku – janë dy elemente që mund të gjenden në çdo shtëpi, pasi, amoniaku është përbërës i pastruesve të xhamave dhe të mobilieve, ndërsa klori përdoret për të zbardhur drurin e mobilieve dhe për të pastruar mykun. Efektet e ekspozimit për një kohë të gjatë ndaj klorit janë sëmundje të veshkave dhe gërryerje e dhëmbëve. Ekspozimi ndaj një sasie të madhe amoniaku mund të shkaktojë irritim të syve, lëkurës, fytit, mushkërive dhe të kollitura dhe djegie, ai gjithashtu mund të shkaktojë dëmtim të mushkërive dhe vdekje. / https://shendeti.com.al/


