Përshtati në shqip për “Shendeti.com.al”: Blertina Koka
Në moshën 83-vjeçare është shuar nga jeta një nga aktorët më të dashur të ekranit, Gene Wilder, pas një beteje 3-vjeçare me sëmundjen e alzheimerit. Aktori, i njohur për rolet e tij të famshme si Uilli Uonka dhe dr. Frankenshtajn, ndërroi jetë për shkak të komplikacioneve me këtë sëmundje. Ajo është një sëmundje shkatërruese dhe shkaktarja e gjashtë e vdekjeve në SHBA.
Por, shumë pak njerëz janë të informuar në lidhje me këtë sëmundje. Menjëherë pas njoftimit të ndarjes nga jeta të aktorit, në motorin e kërkimit Google u shtuan rezultatet e kërkimit në lidhje me “ndërlikimet e sëmundjes së alzheimerit”.
Kërkimet në lidhje me “si vdesin njerëzit nga sëmundja e alzheimerit” u rritën me 650%.
Personat që vuajnë nga alzheimeri zakonisht vdesin nga ndërlikimet e shkaktuara nga kjo sëmundje. Sëmundja në vetvete është një gjendje degjenerative e pashërueshme, që vret qelizat në tru. Ajo mund të zgjasë për 15-20 vjet, ndërsa kur është në fazë më të avancuar, zakonisht zgjat rreth 2 vjet.
Me kalimin e kohës pacientët fillojnë të humbasin reflekset që na mbajnë gjallë, si gëlltitja, kollitja, dhe frymëmarrja. Ata humbasin gjithashtu oreksin, të folurin dhe mundësinë për të lëvizur vetë. Shkaktari më i zakonshëm i vdekjes është pneumonia e frymëmarrjes, që mund të shkaktojë goditje në tru.
Një tjetër shkaktar është ataku në zemër. Duke qenë se pacientët me alzheimer humbasin aftësinë për të lëvizur lirshëm, ata shpesh detyrohen të qëndrojnë në shtrat. Kjo mund të çojë në mpiksje të gjakut dhe probleme me zemrën, duke rritur kështu rrezikun për arrest kardiak. Shkaktari i tretë më i zakonshëm është nga infeksioni.
Burimi: Daily Mail / https://shendeti.com.al/


