Dy vjet pas ndryshimit të ligjit të barnave, ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj flet me siguri se sasia e barnave në treg është rritur me afro 17%, kushtojnë më lirë dhe nuk është prekur cilësia e tyre. Sipas ministrit, janë futur 671 barna të reja në treg.
Në një dalje për mediat, kreu i shëndetësisë ka pohuar se vetëm gjatë vitit 2015 janë lëshuar 48.2 milionë pulla sigurie nga Agjencia Kombëtare e Barnave dhe e Pajisjeve Mjekësore (AKBPM), në krahasim me 41 milionë të lëshuara në vitin 2012, duke rritur praninë e tyre me 17.5% më shumë.
“Çfarë ka ndodhur me listë e barnave të rimbursueshme? Të shtuara për herë të parë në 2013 janë 19 barna, në 2014 janë 56, në 2015 janë 29 dhe në 2016 kemi përsëri 56 barna. Pra, nga viti 2014 e në vazhdim kemi rreth 140 barna të shtuara,” ka pohuar ministri Beqaj.
Në Programin e Qeverisë për kujdesin shëndetësor, vazhdoi më tej ai, “ne jemi angazhuar për një vëmendje më të veçantë në sëmundjet kardiovaskulare dhe ato tumorale, për faktin se kanë edhe barrën më të lartë të sëmundshmërisë në Shqipëri. Për sëmundjet tumorale në 3 vjet e kemi pasuar Listën e Barnave me Rimbursim me 25 barna për sëmundjet tumorale”, tha ai, ndërsa ka theksuar se për sëmundjet e zemrës në këto vjet janë shtuar 30 barna.
Lidhur me akzuat se nga Shqipëria po largohen kompani të mëdha farmaceutike, ministri shpjegon se kompania për të cilat pretendohet, furnizon tregun shqiptar me barna, por ka ndryshuar vetëm përfaqësinë e saj.
“Nuk është e vërtetë që kompanitë e mëdha po ikin nga Shqipëria. Për mua është e rëndësishme që kompanitë të vendosin barnat e tyre në treg”, tha Beqaj. / https://shendeti.com.al/

